SOT KA MË SHUMË FYEJ…
“SHQIPËRIA, E BRAKTISUR, E RRECKOSUR, E RREZIKUAR NGA SHTAZËT, MES NJË PYLLI, I BINTE KAMBANËS DUKE KËRKUAR NDIHMË NGA BIJTË E SAJ. PO NJË SHEJTAN, ME NJË FYELL TË MADH, ISHTE JASHTË PYLLIT DHE, DUKE I RËNË FYELLIT NATË E DITË, BËNTE QË TË HUMBISTE ZËRI DHE THIRRJA E SHQIPËRISË, QË KËRKONTE NDIHMË NGA BIJTË E SAJ. PRANDAJ, QË TË DËGJOHEJ MIRË ZËRI I MËMËDHEUT DHE TË DINIM SE KU ISHTE AJO, DUHEJ MË PARË TË THYENIM FYELLIN E SHEJTANIT”.
Në vitin e fundit na erdhi si drejtor Xheladin Nushi, nga Gjakova, zogist. Kishte mbaruar në Vjenë. Ishte mendjemadh dhe arrogant. Na jepte matematikë. Erdhi profesor i shqipes Ernest Koliqi. Ai sillej mirë me ne dhe na rrëmbeu zemrat me mënyrën si e organizonte mësimin. Shumë herë bënte aludime për Avni Rustemin, për Ismail Qemalin. Shumë herë na shpinte te varri i Ismail Qemalit në Kaninë, na thoshte të gjunjëzoheshim para atij varri të braktisur, të rrethuar me tela me gjemba dhe plot hithra e shpendra.
Pasi gjunjëzoheshim, ai mbante ligjërata të zjarrta për Plakun e Madh, që ngriti flamurin në Vlorën kreshnike dhe tash dergjej i harruar, i lënë midis telave me gjemba, sikur ta kishte dënuar historia. Ironi! Ironi historike!
Dhe kthehej nga ne e na thoshte: “Po ju do ta lulëzoni këtë varr dhe do t’i ngrini monumentin më të madh në këtë tokë arbnore.”
Ishte koha kur Ernest Koliqi ende nanurisej nga valët e patriotizmit. Adhuronte Karduçin dhe D’Anuncion. Dihet se, më vonë, aty nga vitet 1935-1936 përktheu shqip “Poetët e mëdhenj të Italisë”. Ishte i penës, po retorik. Unë hartimet i bëja në vargje. Kur bëmë hartimin e maturës, na la të lirë të zgjidhnim një temë patriotike. Unë bëra një hartim me këtë titull: “Agimi i lirisë” dhe në parantezë (Fyelli i shejtanit).
Përmbajtja ishte kjo: Shqipëria, e braktisur, e rreckosur, e rrezikuar nga shtazët, mes një pylli, i binte kambanës duke kërkuar ndihmë nga bijtë e saj. Po një shejtan, me një fyell të madh, ishte jashtë pyllit dhe, duke i rënë fyellit natë e ditë, bënte që të humbiste zëri dhe thirrja e Shqipërisë, që kërkonte ndihmë nga bijtë e saj. Prandaj, që të dëgjohej mirë zëri i mëmëdheut dhe të dinim se ku ishte ajo, duhej më parë të thyenim fyellin e shejtanit. E kisha shkruar në vargje gjashtëmbëdhjetërrokëshe. Ai këtë hartim e lexoi në klasë.
Pastaj më thirri në dhomën e tij dhe më pyeti se nga e kisha marrë këtë motiv. I thashë se nuk e kisha marrë nga asnjë shkrimtar, por ishte pjellë e fantazisë sime. Ai më përgëzoi dhe hartimin e mbajti si kujtim. Në vitin 1932, kur kishim mbaruar shkollën dhe endeshim për punë, ai ishte larguar nga Vlora dhe në revistën “Leka” kishte botuar një vjershë: “Uji i Ftohtë – miqve të mi vlonjatë”. Unë bëra një vjershë po me atë rimë, po me ato strofa, me titull: “Nga Uji i Ftohtë – Ernest Koliqit”, ia dërgova revistës “Leka” dhe ajo u botua.
Para se ta mbyll këtë kapitull, dua të theksoj burimin e madh të patriotizmit të mjedisit ku unë ndenja gati shtatë vjet. Uji i Ftohtë është një vend piktoresk. Më nxiste për të shkruar vargje dhe tregime.
Vjershën e parë e botova më 1929, te “Shqipëria e re”, që botohej në Konstancë të Rumanisë. Ishte sonet (tingëllim) kushtuar Ismail Qemalit. Kur erdhi gazeta dhe e pashë vjershën me autor “Vlonjati”, se ashtu e vura pseudonimin, u gëzova pa masë. . .
@thenie per shqiptaret
________
Nga: ”Intervistë me vetveten (retë dhe gurët)”