MENU
klinika

Miratohet rregullorja e brendshme e PD

Zëvendësohen anëtarët që mbështetën Berishën në mbledhjen e Këshillit Kombëtar

15.01.2022 - 20:16

Këshilli Kombëtar i Partisë Demokratike ka miratuar në parim rregulloren, ndërsa në fjalën e tij Basha ka deklaruar se në mbledhjen e ardhshme të Këshillit Kombëtar, do duhet në zbatim të rregullores që të miratohet Sekretariati i Këshillit Kombëtar dhe caktimi i Departamenteve, që do ta diskutojmë bashkërisht, dhe më pas ndarjen e anëtarëve të Këshillit në Departamente.

Panorama.al ka siguruar rregulloren e Brendshme ku edhe janë të renditura të gjitha vendimet e marra në mbledhjen e sotme.

Rregullorja e re parashikon se mungesa, pa asnjë shkak të ligjshëm dhe pa njoftim paraprak, në tre mbledhje radhazi, i anëtarëve të zgjedhur të Këshillit Kombëtar, përbën shkak për zëvendësimin e tij me listën vijuese të anëtarëve të votuar nga Kuvendi Kombëtar i Partisë. Në rregulloren e re parashikohet zëvendësimi i mbi 200 anëtarëve të Këshillit Kombëtar të cilët mbështetën Sali Berishën dhe kanë zgjedhur të bojkotojnë mbledhje e Këshillit Kombëtar të Partisë Demokratike.

Konstatimi i mbarimit të mandatit për shkak të mungesave në mbledhje pa asnjë shkak të ligjshëm dhe pa njoftim paraprak, bëhet me vendim të Kryesisë së Partisë, pas raportimit me shkrim të Sekretarit të Përgjithshëm.