Kristo Frashëri ka një prodhimtari të pasur shkencore, që shtrihet në të gjitha periudhat e historisë së Shqipërisë, që nga Antikiteti e deri në kohën e sotme. Ai ka botuar me dhjetëra artikuj studimorë, referate historike, vëllime dokumentare dhe monografi shkencore, që trajtojnë pa përjashtim ngjarje, personalitete dhe procese të historisë së Shqipërisë.
Në 6-vjetorin e ndarjes nga jeta të historianit, profesorit dhe akademikut të shquar shqiptar Kristo Frashëri, sjellim në vëmendje një episod nga më të rëndësishmit e jetës dhe karrierës së një figure me përmasa dhe vlera të jashtëzakonshme mbi kulturën dhe historinë e Shqipërisë, si akademiku Kristo Frashëri./Konica.al
Aurel Plasari, përcjell këtë fakt domethënës, për profesorin:
”Në vitet e para ’90, mes marrëzive të “politikës së re” për t’u marrë edhe me historinë, u bë edhe propozimi për të ndryshuar konfigurimin e shqiponjës së flamurit kombëtar me argumentin që shqiponja në të nuk duhej t’i kishte krahët “të hapur”, por “të mbyllur”, jo “horizontalë”, por “vertikalë” etj. dhe se konfigurimin ekzistues të saj e paskësh imponuar… Enver Hoxha. Fatmirësisht forcat politike ranë dakord që të thirrej për të dhënë mendimin e tij si historian i specialitetit edhe Kristo Frashëri.
Më 1992 ai paraqiti në Kuvendin e Shqipërisë një varg argumentesh historike, juridike dhe politike, të shoqëruara me ilustrimet dhe burimet dokumentare, kundër propozimit për ndryshimin e konfigurimit të shqiponjës në flamurin kombëtar. Argumentet e paraqitura prej tij përmblidhen si vijon:
Flamuri kombëtar me shqiponjë dykrenore me krahë të hapur nuk ishte caktuar nga Enver Hoxha më 1946, por nga Kuvendi Kombëtar i Vlorës më 1912, në të cilin morën pjesë përfaqësues nga të gjitha viset shqiptare, nga Preveza deri në Mitrovicë. Si rrjedhim flamurin kombëtar mund ta ndryshonte një tjetër kuvend mbarëkombëtar. Kuvendi i Shqipërisë kishte të drejtë të caktonte vetëm flamurin e Republikës së Shqipërisë, i cili nuk do të ishte flamuri kombëtar, por vetëm flamuri i shtetit shqiptar. Kështu shqiptarët do të kishin dy flamurë. Shqiptarët e Kosovës, të Maqedonisë dhe të Malit të Zi nuk mund të hiqnin dorë nga flamuri kombëtar, i cili njihej si flamuri i Skënderbeut, për të përdorur flamurin e Republikës së Shqipërisë. Do të ndodhte kështu një përçarje midis pjesëtarëve të kombit shqiptar. Argument tjetër: me flamurin që ishte në përdorim shqiptarët kishin zhvilluar deri atëherë luftërat e tyre çlirimtare kundër zgjedhës osmane, veprimtarinë e qeverisë së Ismail Qemalit, luftën çlirimtare të Vlorës, Kongresin patriotik të Lushnjës. Atë flamur kishte Shqipëria në kohën e monarkisë së mbretit Zog. Me atë flamur kishin luftuar jo vetëm partizanët, por edhe çetat balliste e legaliste. Me atë flamur zhvilloheshin demonstratat në Kosovë kundër zgjedhës serbe etj. Dhe argumenti i fundit: me ndryshimin e flamurit do të krijohej në rrafshin ndërkombëtar përshtypja se shqiptarët e ndryshojnë shqiponjën sa herë ndryshojnë regjimin, gjë që nuk e bëri as Enver Hoxha, i cili pretendonte se me fitoren e Luftës Nacionalçlirimtare dhe vendosjen e “pushtetit popullor” fillonte një epokë e re në historinë e Shqipërisë.
Në përfundim Kuvendi i Shqipërisë nuk e miratoi propozimin për ndryshimin e shqiponjës në flamurin kombëtar”.
(Aurel Plasari)
Kristo Frashëri lindi në Stamboll më 4 dhjetor 1920. Në vitin 1927 u riatdhesua familjarisht dhe u vendos në Tiranë. Pasi kreu shkollën e mesme më 1940 u regjistrua në Fakultetin e Shkencave Ekonomike në Universitetin e Firences.
Gjatë vitit 1942 ai u internua nga administrata fashiste e pushtimit dhe më 1943 kaloi në rreshtat partizane. Gjatë periudhës 1945-1952 punoi në Bankën e Shtetit Shqiptar. Studimet e larta i ndoqi në Fakultetin e Historisë e të Filologjisë, në Institutin e Lartë Pedagogjik, në vitet 1951-1955.
Gjatë viteve 1953-1999 ai punoi në disa institucione të rëndësishme, ku shërbeu si punonjës shkencor në Institutin e Shkencave, në Institutin e Historisë e të Gjuhësisë, në Fakultetin e Historisë e të Filologjisë të Universitetit të Tiranës dhe në vitin 1997 ai u emërua zv.kryetar i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, ku qëndroi deri në vitin 1999.
Kristo Frashëri ka një prodhimtari të pasur shkencore, që shtrihet në të gjitha periudhat e historisë së Shqipërisë, që nga Antikiteti e deri në kohën e sotme.
Ai ka botuar me dhjetëra artikuj studimorë, referate historike, vëllime dokumentare dhe monografi shkencore, që trajtojnë pa përjashtim ngjarje, personalitete dhe procese të historisë së Shqipërisë.
Ndër to janë sprovat për të ndriçuar mjegullnajën shqiptare gjatë Mesjetës së hershme, rendin feudal mesjetar në viset shqiptare, formacionet shtetërore mesjetare, tiparet e regjimit feudal turk në Shqipëri, Rilindjen Kombëtare Shqiptare, Luftën çlirimtare të Vlorës, jetën dhe veprimtarinë e Abdyl Frashërit, Sami Frashërit etj.
Pas vitit 1990 ai ka botuar një sërë punimesh shkencore, si: “Lidhja e Prizrenit 1878-1881” (Tiranë, 1997); “Gjergj Kastrioti Skënderbeu. Jeta dhe vepra” (Tiranë, 2002); “Historia e Tiranës” (Tiranë, 2004); “Historia e lëvizjes së majtë në Shqipëri” (Tiranë, 2006); “Skënderbeu në burimet dokumentare shqiptare në shek. XV” (Tiranë, 2005); “Identiteti kombëtar i shqiptarëve” (Tiranë, 2006); “Historiografia shqiptare në tranzicion” (Tiranë, 2006); “Shpallja e pavarësisë së Shqipërisë, 28 nëntor 1912” (Tiranë, 2008); “Historia e qytetërimit shqiptar” (Tiranë, 2008).
Kristo Frashëri, si pedagog i historisë së Shqipërisë në Universitetin e Tiranës dhe si punonjës shkencor ka një kontribut të veçantë në përgatitjen e historianëve të rinj. Akademiku Kristo Frashëri u nda nga jeta më 31 janar 2016.