Bazuar në një ngjarje të vërtetë, filmi prodhim kosovar portretizon Fahrijen (interpretuar nga Yllka Gashi), e cila, në kërkim të burrit të humbur gjatë luftës në Kosovë, fillon një biznes bujqësor për të siguruar mbijetësën e familjes. Kjo, në një ambient tërësisht patriarkal, ku ambicia e saj për t’u zhvilluar nuk shihet me sy të mirë. Punët bujqësore fillojnë t’i ecin mbarë, pos bletëve që janë shumë kaotike dhe agresive ndaj saj. Në rrugëtimin për ta gjetur paqen me bletët, ajo fillon ta gjejë edhe paqen me vetveten. Ndërsa jeta e saj sociale, merr një kthesë jo të lehtë…
Në nominim për çmimin ”Oscar”, filmi “Zgjoi” (Hive) ka arritur një sukses të jashtëzakonshëm ane mbanë botës.
Një ndër mbështetëset më të mëdha, është artistja shqiptare me famë botërore, Dua Lipa.
Së fundmi, faqja zyrtare e këtij filmi, në ”Instagram”, ka ndarë një deklaratë të këngëtares shqiptare, ku ajo tregon sërish mbështetjen për këtë projekt e madje, duke vënë bast që “Zgjoi” do të fitojë çmimin ”Oscar”.
“Zgjoi është një film i bukur, që tregon historinë prekëse dhe frymëzuese të Fahrije Hotit dhe grave të Krushës. Kjo histori lufte dhe këmbënguljeje, është ajo që duhet treguar. Flet për shpirtin e përvojës kosovare dhe shpresoj, se mund të ndihmojë në shërimin kolektiv të familjeve që u ndanë dhe njerëzve që humbën të dashurit e tyre. Jam shumë krenare për atë që ka arritur Blerta Basholli, është një frymëzim. ZGJOI mori shumë çmime në ”Sundance” dhe basti im është që, Basholli do të shtojë një ”Oscar” në koleksionin e saj” – shkruan Dua.