Shoh më keqardhje banorët e Unazës që protestojnë, për të shtëpitë e tyre.
Po kush janë banorët e unazës?
Janë familjet, që vijnë nga zonat më të thella të vendit, të cilat mungesën e shtetit e kanë ndjerë si në vendin e tyre të origjinës, ashtu edhe në Tiranë. Mungesën e një shteti që kujdeset për ta e ndjejnë edhe sot, sepse shtetin që i dhunon, i dënon dhe në fund i konsideron edhe shpellarë e kanë gjithmonë të pranishëm.
Nga vendet e tyre të origjinës ikën sepse nuk kishin rrugë, drita, shërbime dhe kushte minimale, për një jetesë më të mirë ose, të paktën, udhëtuan drejt Tiranës me iluzionin e tyre, për t’u ndjerë, sadopak, qytetarë të një metropoli.
Banorët e Unazës, janë kryesisht familje që janë persekutuar dhe luftuar maksimalisht nga regjimi dhe Tirana. Për ta, dje, Tirana ishte një tabu për ta vizuar dhe një ëndërr për të jetuar. Shumica e këtyre familjeve, që vijnë kryesisht nga zonat e Veriut duhet të tregonin pasaportën në Milot, për të ardhur në Tiranë si turistë dhe jo më për të ndërtuar të ardhmen dhe jetën e tyre.
Mbaj mend në vitin 1994, atë që sot quhet Unaza, ishte një fushë pafund dhe që familjet e ardhura kryesisht nga Veriu dhe jo vetëm, kishin filluar të ndërtonin shtëpitë e tyre. Çdo gjë e siguronin vetë, nuk kishin kushte minimale dhe asnjë lloj mbështetje nga shteti, i cili dukej qartë se nuk ekzistonte.
Banorët e ardhur, filluan të ndërtonin pak e nga pak shtëpitë e tyre, dikush me të ardhurat e siguruara nga emigracioni e disa të tjerë duke punuar e duke u lodhur maksimalisht në sektorin e ndërtimit në Tiranë, i cili ishte një boom informal.
Banorët e këtyre ndërtesave, që do t’ju shemben, kanë qenë të luftuar në kohën e regjimit, pas viteve ’90 të harruar dhe në mëshirën e fatit dhe sot, thuajse, hapur të urryer dhe të luftuar nga pushteti. Kush është paradoksi në këtë “mesele”?
Kemi banorët që me vuajtje, sakrifica e emigracion kanë ndërtuar për rreth 30 vjet shtëpitë e tyre dhe që tashmë rrezikojnë të përfundojnë mes katër rrugëve, por në të njëjtën kohè kemi disa deputetë të Opozitës e Pozitës, të bërë miliarderë pa punuar një ditë, por, për shkak të korrupsionit dhe abuzimit me pushtetin kanë sot më shumë se 4 banesa!
Përpjekja e banorëve për mbijetesë dhe për të drejta legjitime, jo vetëm dëshmon se si qytetari është kthyer në vasal i pushtetit, por në të njëjtën kohë edhe degradimin e politikës që nuk ka më as moral e as ideal. Po kjo situatë tregon e dëshmon qartë kapjen e shoqërisë civile nga pushteti dhe vendosja e saj në shërbim të pushtetit dhe jo të kauzave të qytetarëve.
A duhet të prishen ato banesa? Tirana është një qytet që ka një zgjerim të jashtëzakonshëm urbanistik dhe po ashtu ka nevojë të vazhdueshme për evoluim urbanistik e në këtë këndvështrim ndryshimet dhe modernizimet duhet të mirëpriten.
Po me qytetarët çfarë duhet të bëhet?
Nëse hyjmë e bëjmë analiza që ata janë abuzues e nuk duhet të gëzojnë të drejtat e tyre, atëherë duhet të bëjmë edhe analizën përse shteti i brakkisi ata në mëshirën e fatit për thuajse 30 vjet?
Këto analiza nuk na çojnë në zgjidhje të problematikës, por në përshkallëzim të situatës. Banorët kanë bërë kursimet e thuajse 30 viteve për të ndërtuar shtëpitë e tyre dhe ata nuk kanë më as kohë e as mundësi financiare për të ndërtuar shtëpi të tjera dhe për të gjetur sistemime të tjera.
Kështu Bashkia duhet t’u garatojë atyre banimin dhe sistemin e ri dhe po ashtu rikompensimin e shtëpive një për një, të legalizuara apo jo, sipas normave rregullave të treguat për ndërtimet dhe për zonën ku banojnë.
Në këndvështrimin politik, reagimi apo mospërfillja e kryetarit të Bashkisë dhe epiteti “shpellarë” dëshmon qartë se votat nuk kanë më asnjë lloj rëndësie për të fituar betejat politike.
Pse e themi këtë? Sepse, nëse qytetari do të kishte rëndësi për votën e tij, Kryetari i bashkisë do të përdorte gjuhë tjetër dhe nuk do t’i mohonte ata pikërisht në prag të zgjedhjeve të reja.
Pra, politika shqiptare ka një moskokëçarje dhe një menefregizëm total në lidhje me qytetarët, sepse votën e tyre e blen dhe shantazhon sa herë të ketë zgjedhje.
Nga Alban Daci