Është shuar ditën e djeshme, një yll i kinemasë italiane, Monica Vitti. Lajmin e përcolli bashkëshorti i artistes, Roberto Russo.
Lindur në Romë, më 3 nëntor 1931, ajo kishte pak kohë që kishte festuar 90- vjetorin. Artistja ikonë e kinemasë, i mungonte skenës dhe admiruesve të saj të panumërt italianë, prej 2001.
Muzë e Michelangelo Antonionit, ajo ishte mbretëresha e komedisë italiane, krah të Alberto Sodrit.
Monika ishte mishërimi i gjallë i epokës së artë të kinemasë italiane, aktore me portretin, zërin e karizmën që askush tjetër, nuk ka mundur ta përsërisë.
Rritur në Siçili para luftës, për shkak të punës së të atit (inspektor tregtar), e dashuruar me aktrimin prej adoleshence (kur organizonte shfaqje në shtëpi, për të shpërqendruar të vëllezërit nga tmerret e bombave në vitet e fundit të luftës), ajo u diplomua më 1953, në Akademinë e Artit Dramatik nën drejtimin e Silvio d’Amico dhe me një mësues-shoqërues të jashtëzakonshëmm si Sergio Tofano.
Aktorja vuante nga një sëmundje neurodegjenerative, e ngjashme me atë të alzheimerit, që e izoloi nga të gjithë, e mbrojtur nga bashkëshorti i saj, Roberto Russo. Atij që ka luftuar gjithmonë lajmet e rreme për të, iu desh të jepte lajmin e hidhur:
”Në agimin e shekullit të ri vullkani u shua, thuajse pa dashje dhe vetëm përkushtimi i bashkëshortit të saj Roberto Russo, e mbrojti atë nga kurioziteti morbid i paparacëve.
Ndaj sot mund ta shohim dhe ta kujtojmë atë, të pavdekshme, në plotësinë e artit dhe vitalitetit të saj, me të qeshurën e ngrohtë, pa afekt, që ajo shfaq duke na parë nga lart, në homazhet që i kushtohen asaj.”