MENU
klinika

Bienalja e Venecies 2022

Lume Blloshmi në pavijonin shqiptar

04.02.2022 - 15:13

           “Nuk ka paqe në pikturë, në art. Por vetëm një përpjekje sizifiane” – shprehej Lume Blloshmi, jeta e të cilës, do të qe e gjitha një e tatëpjetë e mundimshme.

Një jetë që nuk muind të shihet e shkëputur nga vepra e artistes. Pikërisht galeria e pasur e piktore, që do të përfaqësojnë Shqipërinë në Edicionin e 59-të të Bienales së Ndërkombëtare të Artit në Venecie. E ndarë nga jeta për shkak të covid-19, vepra e Lumturi Blloshmit do të vijë përmes kurimit të Adela Demetjes, që sjell këtë “skuadër” femërore, si përfaqësuese të Shqipërisë në një ngjarje të këtyre përmasave.

Pavijoni do të jetë gati për datën 23 prill 2022 dhe në hartën e bienales, mes shumë vendesh pjesëmarrëse, është dhe Shqipëria. Kuratorja Demetja, ka nisur punën në terren, në hapësirat e “Arsenales” në pavijonin është itulluar “Lumturi Blloshmi.Nga e para” dhe është i konceptuar si një ekspozitë që synon të hulumtojë, shqyrtojë, prezantojë dhe ripozicionojë veprën dhe jetën e artistes në historinë e artit kombëtar dhe ndërkombëtar.

Prezantimi është konceptuar në tri pjesë, ku ndërthuren disa mediume artistike. Thelbi i ekspozitës përbëhet nga vepra të përzgjedhura të Blloshmit nga periudha të ndryshme. Arkitektura e ekspozitës do të krijohet në bashkëpunim me arkitekten gjermane Johanna Meyer- Grohbrügge. Nëpërmjet një mjedisi të ndërtuar virtualisht, publiku do të ketë qasje në botës personale dhe mjedisit krijues të Blloshmit. Kjo pjesë që synon krijimin e një lloj arkivi virtual do të krijohet në bashkëpunim të ngushtë mes kuratores dhe artistit britanik të realitetit virtual, Alexander Walmsley.

Krahas pikturës së saj, Blloshmi vjen në këtë manifest ndërkombëtar të artit edhe përmes një dokumentari eksperimental, nga regjisori meksikan Tin Dirdamal, i cili sjell korpusin e jashtëzakonshëm të jetës dhe veprës së Lume Blloshmit.

Lumturi Blloshmi dhe ”Qumështi i ëndrrave”…

Bienalja e Artit në Venecie 2022, pagëzuar “Qumështi i ëndrrave” si huazim nga një libër i artistes Leonora Carrington, ku sikurse thotë kuratorja e Bienales, Cecilia Alemani, “artisti surealist përshkruan një botë magjike, ku jeta rishihet vazhdimisht përmes prizmit të imagjinatës dhe ku çdokush mund të ndryshojë, transformohet, të bëhet diçka dhe dikush tjetër. Ekspozita na fton në një udhëtim imagjinar përmes metamorfozave të trupit dhe përkufizimeve të njerëzimit”. Dhe Lumturi Blloshmi e personifikon më së miri këtë transformim të vazhdueshëm në pikturën e saj. Kjo është edhe arsyeja pse Ministria e Kulturës, që është edhe komisionerja e pavijonit shqiptar përzgjodhi Lumturi Blloshmin dhe Adela Demetjen, si një njohëse e mirë e veprës së artistes, por edhe për shkak të karrierës së saj brenda dhe jashtë Shqipërisë. Si pothuajse të gjithë artistët e brezit të saj, Lumturi Blloshmi pikturoi deri në fund të viteve ‘80, në stilin e realizmit socialist.

Pas viteve ‘90-të, Blloshmi ishte një nga të paktët artistë të brezit të saj, që arriti të ripozicionohet e transformohet vazhdimisht, gjithmonë suksesshëm. Punimet e saj në pikturë, fotografi, instalacion dhe performancë karakterizohen nga ironia deri në satirë, për pasqyrimin dhe tejkalimin të realitetit, edhe të asaj vetë. Sipas kuratores “Blloshmi qëndronte në mes të kozmosit të saj, jo si një vëzhguese pasive, por si një pjesëmarrëse aktive. Kjo e lejoi atë të shprehte hapur pikëpamjet mbi botën e artit dhe mekanizmat e saj, e gjithashtu për shoqërinë e së cilës ishte pjesë. Këndvështrimi i saj ishte ai i një gruaje të fortë, që kritikonte dhe provokonte me humor pushtetin e dominuar nga burrat”.

Artistja dhe karriera

Lumturi Blloshmi (1944–2020) lindi dhe jetoi në Tiranë. I ati ishte oficer i ushtrisë së mbretit Zog dhe u ekzekutua nga komunistët, kur Lumturia ishte vetëm dymuajshe. Kur ishte pesë vjeç ajo humbi dëgjimin, pas një periudhe meningjiti. Blloshmi u diplomua për pikturës në Akademinë e Arteve në Tiranë, më 1968. Nga viti 1974 deri në 1985, ajo nuk u lejua të vazhdonte aktivitetin krijues. Deri më 2004, Blloshmi ka punuar në disa institucione, si Galeria Kombëtare e Arteve dhe Instituti i Monumenteve të Kulturës në Tiranë. Më pas, ajo punoi si artiste e pavarur. Ekspozitën e saj të parë vetjake, e çeli më 1988 në Berat dhe po atë vit, mori pjesë në Bienalen e Ankarasë (Egjipt). Pas viteve ‘90-të, ajo shquhet si një nga piktoret më të mira bashkohore në artin pamor shqiptar.

Duke filluar nga viti 1992, ajo realizoi një cikël pikturash nudo, ku vihen re shpërthime ekspresioniste dhe një modelim monumental i figurës, po ashtu edhe ngjeshje e formës që shoqërohet me sfonde të lëmuara njëngjyrëshe ose me sfonde me dritë të pastër. Interesimi i Blloshmit për tema të rëndësishme shoqërore dhe shpirtërore shfaqet në zgjidhje të ndryshme kompozicionale, si në pikturat e saj “Martesa” (1995), “Misteri Biblik” (1995), “Etaloni i përsosur” (1995), “Piktori i kryqëzuar” (1995). Cikli më interesant i kësaj periudhe është ai kushtuar eksodit (përbëhet nga dy grupe në formën e një triptiku). Blloshmi është në këtë periudhë ndër të paktët artistë shqiptarë që pasqyrojnë me një gjuhë simbolike figurative eksodin e madh të shqiptarëve në Itali në vitet ‘91 – ‘92. Punimet e saj të mëvonshme në pikturë bëhen më të guximshme dhe nistë krijojë një sërë pikturash të ndërthurura me kolazhin, duke përfshirë objekte të marra nga jeta e përditshme në telajo.

Ajo mund të konsiderohet një piktore figurative dhe konceptuale që përcjell mesazhe të rëndësishme shoqërore në një gjuhë bashkohore. Blloshmi ka realizuar edhe instalacione dhe performanca në disa ekspozita vetjake, duke zgjedhur tema nga Lindja (Menu KamaSutra) dhe nga aktualiteti, duke përdorur personazhe nga jeta aktuale politike (projektet: Obsession, 2002; Piramida; Rruga utopike; Ambiguiteti (2003); Pushtimi i hapësirës; Paradoksi).

Praktika e saj mes artit modern dhe atij bashkohor është një sintezë e instalacionit, fotografisë, performancës, vizatimit dhe pikturës.

Disa nga veprat e saj janë përfshirë në koleksionin e Galerisë Kombëtare të Arteve në Tiranë.

Punimet e saj janë shfaqur ndër të tjera në ekspozita grupi dhe vetjake në institucione si: Muzeu i Artit Chelsea në Nju Jork, Galeria Komunale e Arteve Bydgoszcz në Poloni, Bienalja e Aleksandrisë për Vendet e Mesdheut në Egjipt, Galeria Kombëtare e Arteve e Shqipërisë, Galeria Kombëtare e Arteve e Kosovës. Lumturi Blloshmi ndërroi jetë më 27 nëntor 2020, si pasojë e covid-19.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Dossier/ 100 vjetori i armëpushimit

Letra shqip, nga fronti i luftës së parë