Mbretëreshë e Britanisë, Elizabeth II, shfrytëzon rastin në momentin historik të Jubileut të Platintë të saj, për të ripërcaktuar të ardhmen e monarkisë. Ajo bëri thirrje që Dukesha e Cornwall-it, të njihet si mbretëresha Camilla, kur Charles të bëhet mbret.
Kur Charles u martua me Camilla-n në 2005, çifti njoftoi se ajo synonte të njihej si “Princesha Consort” pavarësisht se kishte të drejtë për titullin e Mbretëreshës – titull që ishte i destinuar për gruan e parë të Charles, princeshën Diana.
Është kjo, e njëjta arsye pse Camilla nuk e përdor titullin ”Princeshë e Uellsit”.
Pritej që mbretëresha të konsultohej me trashëgimtarët e drejtpërdrejtë të ”Princeshës së popullit”, Charles dhe William, përpara se të bënte një njoftim të tillë të rëndësishëm për titujt. Por sjellja e mbretëreshës, tregon se ata të dy ranë dakord dhe mendojnë se edhe populli britanik është gati që të pranojë Camilla-n si mbretëreshë.
Monarkja 95-vjeçare, shpalosi vizionin për tranzicionin e institucionit në një mesazh të jashtëzakonshëm, dhënë në 70-vjetorin e ardhjes në fron.
“Unë do të doja t’ju shprehja falënderimet të gjithëve, për mbështetjen. Mbetem përjetësisht mirënjohëse dhe e përulur, për besnikërinë dhe dashurinë që vazhdoni të më jepni”, – tha mbretëresha.
“Dhe kur, në kohën e caktuar, im bir Charles, të bëhet Mbreti, e di se ju do t’i jepni atij dhe gruas së tij Camilla, të njëjtën mbështetje që më keni dhënë mua; ndaj është dëshira ime e sinqertë, që, kur të vijë ajo kohë, Camilla të njihet si Mbretëresha Consort (bashkëshorte, shoqëruese) teksa ajo vazhdon shërbimin e saj besnik”.
Është një ndërhyrje jashtëzakonisht domethënëse nga monarkja, e cila, është i vetmi person që mund të përcaktojë titujt mbretërorë.
Camilla u bë ”figura publike negative”, pas krisjes së marrëdhënies Charles dhe Diana, në mesin e viteve ’90-të.
Gjatë gjithë mbretërimit të saj, Elizabeth ka përdorur shpesh momentet historike, për të riafirmuar përkushtimin e saj ndaj detyrave të saj, sikur edhe kësaj here me mesazhin e të shtunës, pavarësisht faktit se mbretëresha është afër ditëlindjes së 96-të.
“Ndërsa shënojmë këtë përvjetor, më jep kënaqësinë t’ju rithem zotimin e dhënë më 1947-ën, se jeta ime, do t’i kushtohet gjithmonë shërbimit ndaj jush”, – theksoi ajo.
Mbretëresha shprehu gjithashtu, ”shpresë dhe optimizëm” për vitin e ardhshëm, përpara se të përcillte mirënjohjen për familjen e saj, për mbështetjen e tyre dhe për të nderuar bashkëshortin e ndjerë, Dukën e Edinburgut.
“Kam qenë e bekuar që tek Princi Philip, gjeta një partner të gatshëm për të kryer rolin e bashkëshortit dhe pa egoizëm, të ndërmerrte sakrificat që e shoqëronin këtë bashkudhëtim. Është një rol që, pashë nënën time të luante, gjatë mbretërimit të tim eti”, – rrëfeu mbretëresha, sipas CNN.
Monarkja e përmbylli mesazhin, duke përsëritur se mezi priste “të vazhdoj t’ju shërbej me gjithë zemër”, gjithë duke shpresuar se jubileu i saj, do të ofronte një mundësi që njerëzit të mblidheshin së bashku, pas vështirësive të viteve të fundit.
Tradicionalisht, mbretëresha shënon këtë ditë në fshat, në Sandringham, Norfolk, rreth 100 milje në veri të Londrës. Është një mundësi për të, që të reflektojë mbi vdekjen e babait të saj, larg shkëlqimit të publikut. Në përputhje me vitet e mëparshme, të dielën, nuk priten angazhime publike.
Kombi do të ketë mundësinë të nderojë mbretërimin historik të monarkes në një seri festash me tematikë jubilare, që do të zhvillohen gjatë gjithë vitit, duke kulmuar me një festë publike katërditore në qershor. Gjatë fundjavës së gjatë, fenerët do të ndizen në të gjithë Mbretërinë e Bashkuar; ”Buckingham Palace” do të hapë dyert për një koncert muzikor, si dhe atmosferë festive në rrugë.
Sidoqoftë, mbretëresha organizoi një pritje speciale më herët, të shtunën, për disa anëtarë të komunitetit në prag të jubileut. Ajo mirëpriti pensionistët dhe përfaqësuesit e disa organizatave bamirëse në sallën ”Sandringham”, për të festuar momentin historik të saj, me tortë.
Një nga të pranishmit ishte ish-studentja e kuzhinës Angela Wood, e cila ndihmoi me recetën që lidhet me fillimin e mbretërimit të saj: ”pula e Kurorëzimit”, një pjatë me pulë të ftohtë, salcë të shkëlqyer kremi me kerri dhe sallatë, më pas.
Mbretëresha dukej se ishte në humor të mirë gjatë festimeve, sipas agjencisë britanike të lajmeve ”PA Media”. Ajo mbante një shkop druri dhe çantën e saj të famshme të zezë, ndërsa bënte ecejake nëpër dhomë, duke bërë shaka dhe qeshur me të ftuarit.
Kjo ishte mbledhja më e madhe që prej muajit tetor, ku ka marrë pjesë sovrania, kohën kur organizoi pritjen e Samitit Global të Investimeve në kështjellën ”Windsor”.