MENU
klinika

Artisti njeri i madh!

”Kadriu ishte universitet më vete”

07.02.2022 - 15:42

         Ai ishte i mbështjellë nga thjeshtësia dhe modestia. Sa i dashur dhe njerëzor ishte me të thjeshtët, me spektatorin, aq i paduruar dhe agresiv bëhej me pushtetarët. Ky ishte Kadri Roshi, që ndoshta natyra njerëzore e bëri aq të suksesshëm edhe në skenë. Por siç ndriçonte në skenë, për analogji në jetën private të tij ishte i jashtëzakonshëm te peshkimi. Gjuetia e peshkut e qetësonte. Kënaqej teksa ulej pranë detit dhe ky pasion i madh e çonte atë në monologje, bashkëbisedime dhe këngë me miq, peshkatarë, endacakë.

“Në ditën që unë do të lë peshkimin, do të mbaroj përfundimisht”, kjo është një ndër shprehjet e Kadri Roshit, që i vjen në mendje mikut të tij, regjisorit Alfred Bualotit, tek e pyet për kolosin e skenës.

Edhe pse kanë kaluar 15 vjet nga largimi i Kadriut në botën e përtejme, (6 shkurt 2007), ai është ende “shumë i gjallë” në kujtimet e miqve.

Për figurën e tij artistike janë shkruar qindra artikuj, janë xhiruar dokumentarë, e janë botuar edhe monografi, por njerëzit e tij të afërt thonë se rrallëkush prej artdashësve mund të ketë lexuar diçka për Kadriun si njeri, si ishte ai pas një shfaqjeje, në një ditë pushimi, në takime me miq, duke pirë një gotë raki apo kur peshkonte.

Regjisori Alfred Bualoti teksa kthehet pas në kohë, duke kujtuar takimet me të, thotë se peshkimi i jepte atij adrenalinën, që nuk do t’ia jepte asgjë tjetër.

“Sigurisht ai skenën e kishte jetën e tij, dashurinë e pasionin e tij, por nga ana tjetër, peshkimi i jepte atij krahë. Peshkimin e kishte një hobi tepër pasionant”, shprehet Bualoti.

Regjisori tregon se aktori nuk do t’i ndahej peshkimit, edhe pse nuk luante në skenë, ndoshta një vit para se të ikte nga kjo botë.

“Herët e kemi vazhduar peshkimin me Kadriun dhe e kemi vazhduar derisa ai u largua nga kjo jetë, sepse ai e vazhdoi peshkimin. Edhe pse nuk luante në skenë, ai në peshkim vinte, pra edhe në moshën 80-vjeçare. Ai në peshkim ashtu siç ishte aq pasionant, aq kërkues, aq këmbëngulës, aq skalitës në figurat e tij të ndritura në skenë, po kështu ishte dhe në peshkim. Ne shkonim në peshkim edhe kur temperaturat ishin -5 gradë. Flinim në çadër, ishte çadra e Kadriut”, rrëfen më tej ai me nostalgji për mikun e tij, Kadri Roshi.

Kadri Roshi jo vetëm peshkonte. Në kohën e beharit, aty buzë detit, do t’ia merrte edhe këngës, i rrethuar nga miq që e dëgjonin.

“Këngët e tij të preferuara ishin ato labe, dhe ne të tjerët rrinim dhe e dëgjonim, kështu pa e shqetësuar, ishin skena të jashtëzakonshme. Kur shkonim për peshkim merrnim dhe tiganin me vete për të skuqur peshk dhe nga një gotë raki dhe një zjarr të vogël, dhe në ndonjë moment kishte qejf ‘Fjalët e qiririt’ të Naimit, për t’i recituar…”, thotë Bualoti.

“Ai takohej me peshkatarët e Shëngjinit, me të Divjakës, të Semanit, apo të Vlorës. Kadriu ishte kripa e gjellës në bisedat me peshkatarët”, shprehet për aktori Luftar Paja, i cili e cilëson veten me fat që e ka njohur Kadri Roshin, pasi siç thotë vetë ai, “Kadriu ishte universitet më vete”. Paja thotë se me Kadriun kishte edhe një lidhje më të ngushtë se e kishte dhe kumbarin e djalit.

Ndërsa djali i tij, Kliti Roshi veçon një detaj të të atit: “Kadriu kishte një gjë, shkonte në prova, ishte në prova. Ishte në peshkim, harronte çdo gjë, e kishte mendjen vetëm te peshku”.

Duke vënë në pah se sa popullor ishte Kadri Roshi, Luftar Paja thotë se ishte e habitshme, se me gjithë moshën e thyer, ai nuk i ndahej peshkimit dhe njerëzve.

“Ishte shumë popullor, rrinte shumë me njerëzit, peshkatarët dhe në çdo takim që bënim, kishte qejf të këndonte këngën labe… Mbaj mend gëzimin e madh të tij, kur unë i gjeta një pallto të madhe, që i mbanin oficerët në atë kohë dhe i thashë: ‘Kadri këtë do ta kesh për peshkim’. Kështu që Kadriu kur vinte puna për peshkimin linte çdo gjë”.

Duke kujtuar të madhin e skenës shqiptare, miqtë njëzëri pohojnë se sa shumë kanë përfituar në jetën shoqërore, nga njeriu Kadri Roshi, nga veçantësia e tij.

“Ai ishte një masovik, i cili nuk bënte dallime me shtresat e shoqërisë, por ulej me të gjitha shtresat e popullsisë, dhe unë kam pasur shumë raste, me shoferë, me intelektualë, me fshatarë. Ai ishte mençuria e artistëve shqiptarë”, thotë aktori Luftar Paja, ndërsa nuk ngurron të tregojë edhe takimet me të në vende të ndryshme të Tiranës e Shqipërisë. “Mbaj mend takimet me shoferët e ish-parkut të autobusëve në atë kohë, të cilët prisnim me padurim të takoheshim dhe të shkëmbenim mendime. Mua më kanë mbetur shumë këshilla nga ai. Unë do të veçoja atë shpirtmadhësinë e Kadriut, prekej shumë për hallet e miqve dhe e vuante në vetvete. Ishte njeri që prekej”, rrëfen më tej Luftar Paja.

Ndofta thjeshtësia e tij e madhe lindte dhe ngaqë “vetë ai vinte nga shtresa të varfra” thotë regjisori Bualoti, dhe me bindje shprehet se fama në asnjë moment nuk ia hoqi mirësinë dhe respektin edhe për më të voglin.

“Kadriu ka qenë mjaft popullor. E gjeje kudo, në mes të fshatarëve në mes të intelektualëve, të punëtorëve, dhe formimi i tij vinte nga shtresa shumë të varfra, pra nuk e humbi marrëdhënien sidomos me njerëzit e thjeshtë. Përveç talentit, ishte një punëtor i jashtëzakonshëm”, shprehet regjisori Bualoti.

Te kjo thjeshtësi e jashtëzakonshme me njerëzit e thjeshtë për një aktor të kalibrit Roshi, fshihej edhe një “hile” e vogël.

“Në ato fytyra të lodhura nga skamja dhe brenda shpirtit të tyre të trazuar, aktori ‘vidhte’ karakteret që i duheshin për skenën e teatrit dhe sheshxhirimet e filmave. Te kjo përulësi ndaj njerëzve të thjeshtë duhej kërkuar çelësi i suksesit i mjaft roleve, që për aktorët e sotëm duken të pakapshëm. Ishin po këta njerëz të thjeshtë që e mbushnin sallën e Teatrit Kombëtar dhe i duartrokisnin me shpirt interpretimet e Kadri Roshit”, rrëfen i biri.

Teksa kujton momentet e kaluara me të, Luftar Paja thotë se Kadri Roshi nuk duronte padrejtësinë, paaftësinë apo gënjeshtrat.

“Urrente padrejtësinë që mund të bëhej në drejtim të tij ose të një tjetri. Kur erdha në Teatrin Kombëtar, gjeta një luftë të ashpër midis grupeve që ishin krijuar në teatër. Kadriu ishte i vendosur dhe ka arritur që edhe e ka paguar me qëndrimet e disa njerëzve. Për këtë qëndrim burrnor unë e admiroja. Ishte një mbështetje shumë e fortë për artistët e rinj”, vijon aktori Luftar Paja.

Regjisorin Piro Milkani që ka punuar me të e njëkohësisht ishte miku i tij e habiste njeriu që ishte aktori Kadri Roshi. Ai ndan një episod që i kishte ndodhur herët me të ku dallohej një modesti ngjethëse.

“Unë kam pasur fatin të punoj në disa filma me Kadri Roshin. Ajo që më habiti mua është se megjithëse unë e përshëndesja çekisht, ma kthente në mënyrë modeste: ‘mirëmëngjesi, e kam harruar gjuhën çekisht’”, kujton Milkani, ndërsa vijon më tej se “nuk e kuptoja pse nuk kishte dëshirë të fliste çekisht”.Veçantësinë e Kadriut, Milkani do ta kuptonte në një rrethanë tjetër pas shumë vitesh.

“Në vitin 2000 unë vij nga Çekia me një aktor shumë të madh të filmit çek, që kishte fituar çmimin ”Oscar”. Shkojmë në një pjesë teatrale të Teatrit Kombëtar, që Kadriu kishte rolin e kryetarit të familjes. Unë i them atij aktorit, që ai djalë që po shikon ti në skenë është po aq i famshëm në Shqipëri sa je ti në Çeki. Në një moment gazmor me të qeshura, Kadriu bërtet: ‘pushoni, pushoni’ dhe ka një monolog, me një qetësi absolute, dhe vijuan duartrokitje të jashtëzakonshme. Aktori çek më kthehet dhe më thotë: ‘paske të drejtë, qenka aktor i madh, hajde të shkojmë ta takojmë’ dhe shkojmë në prapaskenë për të takuar Kadri Roshin dhe unë i prezantoj: është një aktor i madh çek dhe do të të uroje dhe në këtë moment Kadriu me një çekishte korrekte: ‘Kam qenë në Pragë, Praga më ka rritur shumë etj, etj. Dhe unë i them si ka mundësi që t’u kujtua çekishtja, m’u kthye me ironi dhe më tha: ‘lëre atë muhabet, mundohu të më bësh një ftesë të vizitoj Pragën ,se kam 50 vjet pa e parë’”, rrëfehet Milkani, ndërsa e thotë me krenari: ‘ja pra, ky ishte Kadriu i veçantë’.

Ndërsa i biri përfundon duke thënë: “Për mua shumë herë më tepër ka vlerë të jesh një njeri i madh, se sa një aktor i madh. Aktor i madh je për dy orë, njeri i madh je për tërë jetën. Kadri Roshi ishte një njeri i madh”.

Nga: Luljeta Nelallari, për GazetaSi

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


“Artistët e vërtetë gjithnjë i vënë veshin jetës. Njeriut.’’

I rrallë si Ndrek Luca!

Artistët dënojnë shembjen e Teatrit Kombëtar

“Dita më e trishtuar e jetës sime!”