Teksa ditën e sotme u prezantua projekti i Muzeut Etnografik, krahas grantit të BE-së, për banorët dhe bonusi i rijetëzimit të shtëpive të vjetra, Kryeministri, i pranishëm, theksoi se kjo është një mënyrë shumë e mirë, për t’i kthyer sytë nga vendlindja. Sikur u shpreh ai, ky projekt vjen në funksion të ekonomisë familjare, si dhe turizmit.
”Ky program, ka një potencial të jashtëzakonshëm”, – theskoi Rama, duke u bërë thirrje të gjithë banorëve që të jenë pjesëmarrës. Duke nënvizuar faktin se, përfshirja do t’u ofrojë këtyre banorëve, asistencëne nevojshme nga qeveria.
“Ne kemi bindjen se ky program ka një potencial të jashtëzakonshëm. Ne do ta fuqizojmë atë vit pas viti. Të ndërtojmë modelet e duhura në fushën e zhvillimit rural, ku AZHBR ka qenë një urë ndërveprimi dhe harmonizimi i financimeve mes BE, qeverisë shqiptare dhe sipërmarrjes private. Ftesa ime, apeli im, për të gjithë banorët e këtyre zonave, këtu në Krujë në zonën e Kalasë, por jo vetëm, në Berat, në Gjirokastër, Shkodër e kudo ku ka të tilla vlera, është që të përfshihen dhe të bëjnë atë që na mëson çdo ditë e më shumë rruga e evropianizimit dhe integrimit në familjen evropiane.
Ne po ashtu do të ofrojmë dhe asistencë për të gjithë ata që janë të interesuar dhe kanë nevojë të përfshihen në këtë proces. E fundit që kam është se kemi pasur qysh në krye të herës bindjen se kjo krizë e madhe ishte një mundësi e madhe dhe se nga kjo goditje e madhe mund, duhet e do të dilnim më të fortë, duke rindërtuar për të pasur mbrapsht ato që humbëm, por me cilësi, standarde, shumë më të mira se ç’ishin më përpara se të goditeshin nga tërmeti”, – vuri në dukje, Kryeminstri.
Fjala e plotë e Kryeministrit:
Përshëndetje dhe faleminderit për praninë!
Jemi në një takim që është në vazhdën e një pune dhe përpjekje të përbashkët, në këtë rast me Komisionin Europian, në funksion të transformimit të një krize dhe të pasojave të një krize të rëndë që u shkaktua nga tërmeti, në një sërë mundësish të reja për të prekurit prej tërmetit, për fëmijët, për të rinjtë, për familjet dhe për vetë zonat kur ndër të tjera është prekur edhe trashëgimia jonë kulturore.
Pikërisht për trashëgiminë kulturore, me Bashkimin Europian, me Komisioni Europian, kemi hartuar një program, i cili hap pas hapi do të jetësohet përmes nismave konkrete, ashtu sikundër nga ana tjetër, në vijimësi, programi i Bashkimit Europian EU4Culture, është një tjetër burim energjie dhe njëkohësisht sinergjie mes nesh dhe Komisionit Europian.
Ajo që vlen të nënvizohet sot është që këto burime plotësohen dhe harmonizohen edhe falë një ndërhyrjeje të re të qeverisë, përmes Ministrisë së Kulturës, për të stimuluar ekonominë familjare të atyre që kanë trashëguar banesa në zonat historike, të atyre që kanë trashëguar banesa me vlera të trashëgimisë kulturore, me të cilët ne jemi sot të gatshëm të ndërtojmë një rrugë të përbashkët, ku qeveria do të financojë projektet e tyre dhe ata do të përfitojnë nga grantet e qeverisë dhe të Komisionit Europian, për të transformuar banesat e vjetra dhe shpesh të pabanuara, në hapësira të një aktiviteti ekonomik që do të krijojnë vetëpunësim, punësim dhe ekonomike për familjet, por do të krijojnë vlerë të shtuar për turizmin dhe për ekonominë e zonës.
Ne kemi bindjen që ky program ka një potencial të jashtëzakonshëm dhe po ashtu kemi gatishmërinë që këtë program ta fuqizojmë vit pas viti, duke rritur financimin por fillimisht, është shumë e rëndësishme që të kemi nga ana e banorëve një reagim konkret dhe të ndërtojmë modelet e duhura, siç kemi bërë e tanimë kemi hyrë në një rrugë pa kthim, në fushën e zhvillimit rural, ku AZHBR-ja faktikisht ka qenë një urë ndërveprimi dhe harmonizimi të financimeve mes Bashkimit Europian, qeverisë shqiptare dhe sipërmarrjes private.
Kështu që ftesa ime, apeli im, thirrja ime për të gjithë banorët e këtyre zonave këtu në Krujë, në zonën e Kalasë, por jo vetëm, në Berat, në Gjirokastër, në Shkodër dhe kudo tjetër ku ka të tilla vlera, është që të përfshihen dhe të bëjnë atë që na mëson çdo ditë e më shumë rruga e europianizimit dhe integrimit në familjen europiane, që paratë, fondet, mbështetja financiare, vijnë me ide, vijnë me projekte, vijnë me aplikime të besueshme dhe bindëse, nuk vijnë si lëmosha që shpërndahen lartë e poshtë.
Për këtë, së bashku me Komisionin, së bashku me partnerët e tjerë, ne po ashtu do të ofrojmë dhe asistencë për të gjithë ata që janë të interesuar dhe kanë nevojë të guidohen në këtë proces.
E fundit që kam është, kemi pasur që në krye të herës bindjen se kjo krizë e madhe ishte një mundësi e madhe dhe se nga kjo goditje e madhe, mund, duhet, e do të dilnim më të fortë, duke rindërtuar për të pasur mbrapsht ato që humbëm, por me cilësi, me standarde shumë më të mira se sa ishin përpara se sa të goditeshim nga tërmeti e kjo ka ndodhur, e kjo po ndodh. Kjo ka ndodhur me banesat, kjo ka ndodhur me shkollat për të cilat kemi bashkëpunuar ngushtësisht me Komisionin Europian, kjo po ndodh dhe me trashëgiminë kulturore. Përpara se sa të hynim këtu, ishim për të parë Kullën e Kalasë dhe sot me këtë ndërhyrje që po bëhet, kulla është më e fortë sesa ishte përpara se të goditej nga tërmeti.
Kjo është logjika e gjithë këtij procesi, kjo është fryma dhe ky është vullneti ynë i përbashkët, kështu që edhe kalaja e Krujës, me këto ndërhyrje e me këto sinergji që do të bëjmë çmos që ta krijojmë dhe me ata që kanë asete të pavëna në shfrytëzim, por e thashë, jo vetëm brenda mureve të kalasë, do të bëhet më e mirë, më e bukur dhe patjetër edhe më tërheqëse, pasi ka ende zona brenda kalasë që kanë nevojë për ndërhyrje, kanë nevojë për përmirësim, për rikualifikim, për harmonizim me pjesët e tjera që janë të mirë restauruara e të mirëmbajtura.
Dua të falenderoj me këtë rast miqtë tanë që janë këtu me ne dhe në radhë të parë dua të falenderoj ambasadorin Soreca. Në fakt, fjala ambasador është formalisht e duhura, por tanimë besoj që të gjithë ata që e njohin dhe të gjithë ata që e ndjekin aktivitetin e tij, ndajnë mendimin se është më shumë se sa një ambasador, është një prani shumë aktive dhe një ndërlidhës shumë i volitshëm dhe i dobishëm mes nesh dhe mes Komisionit Europian, duke u angazhuar në vetë të parë për të gjitha punët, projektet, sfidat, përpjekjet. Ajo që ne bëjmë faktikisht kur na takon të dalim së bashku, për të komunikuar në momente si ky, është vetëm një pjesë shumë e vogël e gjithë asaj pune që bëhet për t’i sjellë gjërat deri këtu, sepse lufta me burokracinë, lufta me afatet, lufta me të gjitha sfidat që kanë projekte ku kërkohet harmonizimi i shumë forcave, është një luftë e përditshme, kudo qoftë, pa dallim, në Tiranë, në Bruksel, kudo. Vetëm në Napoli nuk ka burokraci, por për momentin ne kemi zgjedhur që të bëhemi pjesë e Bashkimit Europian sipas Brukselit. Mund të vijë dita që ta ndajmë dhe ne mendjen, të themi po bëhemi si Napoli e pastaj Brukseli le të vazhdojë me burokracitë e veta.
Faleminderit!