Ish-presidenti Bujar Nishani ka reaguar për vizitën e prokurorëve belg në Shqipëri dhe faktin që morën në pyetje kryedemokratin Lulzim Basha.
Sipas Nishanit, kjo është një njollë e rëndë mbi imazhin dhe dinjitetin e Shqipërisë.
“Fakti që hetuesit e Institucionit të Akuzës për krime penale të një vendi të Bashkimit Evropian, vijnë e shkojnë, përsëri vijnë e marrin përsëri e përsëri në pyetje mbi një aferë të rëndë mafioze, Lulzim Bashën, më së paku është një njollë e rëndë mbi imazhin dhe dinjitetin e Shqipërisë.
Për fatin e mirë, imazhi i Partisë Demokratike, shpëtoi nga kjo barrë e rëndë që prej momentit kur demokratët e sikterisën prej kurrizit të tyre këtë parazit politik që ju shkatërroi rëndë ëndërrën, që ju shiti sakrificat e ju tradhëtoi shpresat !
Por duke qenë se ende ky person është anëtar i Kuvendit të Shqipërisë, del e flet nga aula e supozuar të jetë më e epërmja e dinjitetit, integritetit dhe imazhit të popullit shqiptar, fakti i rëndë vijon të na turpërojë të gjithëve.
Pavarësisht se cili do të jetë fati penal i Lulzim Bashës me drejtësinë evropiane në vijimësi të kësaj dosje penale, ai kurrsesi nuk duhet të vijojë të kompromentojë e të bëjë pis Kuvendin e Shqipërisë, duke u paraqitur ende si parlamentar i shqiptarëve para hetuesve evropianë për një aferë mafioze e trans-kriminale.
Boll më, hiqu tutje nderit të shqiptarëve !”, shkruan Nishani.