MENU
klinika

Për Shqipërinë nga Aleksandria

Intervista ekskluzive me mbretin Zog dhe Geraldinën

19.02.2022 - 10:09

         Nga: Aurenc Bebja, Francë – 18 Shkurt 2022

“Le Figaro” ka botuar, të premten e 21 korrikut 1950, në faqen n°5, intervistën ekskluzive të korrespondentes së saj Dominique Auclères me mbretin Zog dhe mbretëreshën Geraldinë në Aleksandri (Egjipt), të cilën, Aurenc Bebja, nëpërmjet Blogut “Dars (Klos), Mat – Albania”, e ka sjellë për publikun shqiptar.

Një familje e lumtur


Këtë herë, është pothuajse një pallat në të cilin hyj. Parku është i sheshuar, lulet me nuanca të ndritshme orientale formojnë grumbuj aromatike në një lëndinë të pastër të stilit anglez; dy kolona mbajnë një ballkon monumental, shtëpia e një harmonie të përsosur pret muret e saj ngjyrë kremi në horizont.

Shefi i Oborrit mbretëror (le grand chambellan) është atje për të më pritur, ne jemi “miq të vjetër” që prej takimit më parë, dy shërbëtorë sudanezë të veshur me xhelaba (një lloj kaftani mëndafshi i lehtë) hapin derën e një sallon të mobiluar me kolltuqe të mëdha Luigji XV. Mbreti dhe mbretëresha vijnë të më takojnë, të dashur dhe të buzëqeshur.

E shikoj Geraldinën: sytë e saj blu të qeshur, nën qerpikët e zinj, dhëmbët verbues, buzëqeshja që formon gropëza në faqet, silueta e saj e gjatë elegante, duart e gdhendura, këmbët e holla; më vjen t’i them: “Shkëlqeni”, por me të vërtetë, ai kompliment do të ishte shumë i pakëndshëm.

— Zonjë, kam qenë në Hungari, i thashë, atje ku ju keni lindur.

I shkëlqejnë sytë, më bën të ulem si nxënëse, duke më nxitur të flas. Por, çfarë t’i them asaj për Budapestin, ku tani mbretëron terrori, çfarë lajmi t’i jap për familjet fisnike aleate me të sajën, që duhej të iknin nga regjim, apo që u bënë viktima të tij?

— Zonjë, a keni ende të afërm në Budapest?

— Jo, fatmirësisht, – përgjigjet ajo. Motra ime u martua me një amerikan. Vëllai im, më i vogël – fytyra iu mbush me trishtim – vdiq nga një sëmundje marrë në front (luftë).

Ajo bën një pauzë dhe rifillon me njëfarë krenarie:

— Ai luftoi me njerëzit tuaj, në Francë.

— A e dini, zonjë, se motrat e ”Zemrës së Shenjtë të Vjenës” u tmerruan kur mësuan, se, po martoheshit me një mysliman?

Ajo nis të qeshë.

— Jo, thotë ajo dhe shton me një psherëtimë të lehtë: Nuk jam kthyer kurrë në Austri, që kur u largova nga manastiri.

Mbreti ndërhyn në bisedë.

— Çështja fetare në Shqipëri, nuk përbën asnjë problem. Gratë myslimane u liruan edhe atje, si të tjerat, në vitin 1920, kur isha ministër i Brendshëm.

— Kemi pasur, – tha Geraldina, – jetën më të mirë të të gjitha kohërave, e dua Shqipërinë. Nëse do të mund të kthehesha atje, nuk do të kërkoja të largohesha kurrë.

— Mos e dëgjoni, – më rekomandon Mbreti, – sapo të shkojë atje, sërish do të dojë të shohë Parisin.

— Për fustanet ? – i them.

— Jo, për Parisin, – përgjigjet mbretëresha.

Çfarë ndryshimi mes intervistës së djeshme dhe asaj që vazhdon në këtë kala të vogël, ku gjithçka është rehati, elegancë dhe optimizëm.

Komunizmi nuk ka rrënjë në Shqipëri

Pavarësisht gjithçkaje, mbreti është i shqetësuar. Ndjej se ai dëshiron të më bëjë të kuptoj, sesa e ndjeshme është për të kjo vizitë franceze në pallatin e tij të vogël në mërgim.

— Franca, – më tha ai, – ka pasur kontakte të drejtpërdrejta me Shqipërinë, gjatë historisë. Për pjesën tjetër, qendrat katolike në veri të Shqipërisë, mirditorët, ishin disi nën mbrojtjen e Francës. Kishte një korrespondencë të gjatë rreth tyre, midis Quai d’Orsay (Ministrisë së Jashtme franceze) dhe Portës së Lartë.

— Si përshtatet – i thashë, – populli juaj i pavarur dhe krenar, nën regjimin komunist?

— Nuk përshtatet, – përgjigjet mbreti Zog, me sytë blu ku spikat zemërimi. Komunistët? Do të kishim ndërhyrë shumë orë (kohë) më parë, nëse ora (koha) do të dukej e përshtatshme.

— Kur do të vijë, kjo orë e mbarë?

— Mendoni, – thotë mbretëresha, duke i evituar të shoqit të përgjigjet, – që mijëra vajza të reja, rrëmbyer nga prindrit, janë trajnuar ushtarakisht për t’u bërë partizane. Para disa kohësh, ata u demobilizuan dhe u dërguan në shtëpi. Megjithatë, asnjë familje nuk pranoi t’i merrte. Ata refuzohen nga edhe prindriot. A nuk është tragjike, e gjithë kjo?

— Në çdo rast, kjo dëshmon se komunizmi nuk ka rrënjë të thella në Shqipëri, – tha mbreti, duke mos dashur të qetësohet.

Intervista ndërpritet për një moment, nga hyrja e papritur e një djali bjond të pashëm, një gjigant i vogël 11-vjeçar, i cili është më shtatlartë se unë. Ky djalë i ri ka grushta të fortë, sy blu të shkëlqyeshëm dhe flokë të zbehta bjonde.

Sytë e mbretit drejtohen me krenari mbi djalin e tij të vetëm, Princin Leka.

— Ai quhet Aleksandër, – tha ai. Aleksandër, si të gjithë sundimtarët e mëdhenj të Shqipërisë, që nga Aleksandri i Madh.

— Mos vallë është, – i thashë mbretëreshës, – fëmija që lindi në prag të pushtimit italian?

Mbretëresha e re tund kokën dhe ndërsa heroi i historisë së saj largohet, me tri hapa, për të gjetur shokët e tij të lojës në lulishten e oborrit, ajo më tregon për eksodin.

— Ka lindur më 5 prill 1939; ai ishte tashmë një gjigant i vogël dhe profesori Weibel, i ardhur posaçërisht nga Vjena, bëri mrekulli. Gjatë natës italianët dhanë ultimatum, mbreti Zog më njoftoi menjëherë.

— Menjëherë? Vetëm pak orë, pas lindjes?

“Njëzet herë i jemi afruar vdekjes!”

— Ai nuk mund të vepronte ndryshe, pasi ne duhej të largoheshim para se të skadonte afati. Ishte e Premtja e Shenjtë, 6 Prill, ishte ora 3:00 e mëngjesit. Ishte e pamundur të gjenim ambulancë. U ngrita dhe hipa në makinën e mbretit. U nisëm për në Greqi. E mbajta fëmijën në krahë dhe u largova me Weibel-in. Në luginë kishte ardhur pranvera, por kur na u desh të kalonim qafën malore, në kufi, bora kishte bllokuar rrugët dhe kamufluar greminat. Njëzet herë, mendova se po shkonim drejt vdekjes. Ne ishim nisur në agim, por nuk arritëm në Greqi, në Follorinë, deri në orën 10:00 të mbrëmjes. Aty munda të pushoja tri ditë. Mbreti i Greqisë, më dërgoi mjekët e tij. Më pas, Weibel më la; i vinte keq të kthehej në Vjenë, i urrente nazistët!

— Ishte një largim i vërtetë për në Egjipt, ai i kësaj nëne të re dhe foshnjës së saj të porsalindur, – i thashë, duke iu drejtuar mbretit dhe si arritët të bashkoheshit me gruan?

Fytyra e Zogut flet shumë për vështirësitë e rrugëtimit të tij, peripecitë e eksodit të katër motrave të tij, suitës së tij dhe valixhet e panumërta të mbushura me nxitim, për t’i shpëtuar fatkeqësisë. Por, ai bën një gjest si për të larguar mendimet e rënda.

— E gjeta, kjo është gjëja kryesore.

Mbretëresha buzëqesh sërish, por sytë i mbushen me lot:

— Shqipëria ishte aq e bukur, shëtitjet në mal, shëtitjet në majat e maleve, vizitat në kalanë e vjetër të Matit, atë të paraardhësve të mbretit, mishin e dashit të pjekur në hell dhe në natyrë, buka e misrit, jeta e lirë dhe hapësira!

Mbreti e ndërpret dhe më pyet:

— Çfarë mendoni për Ballkanin?

— Po ju, Madhëri, – i thashë, – a mendoni se ata mund të çlirohen ndonjëherë nga kontrolli bolshevik dhe se, satelitët do të sulmojnë Titon?

— Historia ka treguar, – përgjigjet Zogu, – se Franca, nëpërmjet rolit si ndërmjetëse, ka mundur të shmangë luftrat; lufta do të ishte fatkeqësi.

— Po, Madhëri, por pas perdes së hekurt, popujt e vuajtur janë aq të çmendur sa të besojnë se lufta do t’i shpëtonte!

— Është vërtet çmenduri, – thotë Zogu. Kombet perëndimore duhet të bashkohen më në fund, sepse rusët po përfitojnë nga ndarja e popujve.

— Do të ishte interesante të dihet, nëse rusët synojnë të ruajnë Shqipërinë, duke fortifikuar ishullin e Sazanit, – i thashë.

— Fortifikimet kanë mbetur të njëjta si në kohën e italianëve, – përgjigjet ai, pas një momenti reflektimi, – por baza e nëndetëseve mund të bëhet jashtëzakonisht e rëndësishme dhe e rrezikshme. Ata sjellin materialin e tyre të çmontuar, qarkullimi vazhdon me autokolona detare.

— Dhe përfundimi i gjithë kësaj? Madhëri!..

— Përfundimi ka anën e tij ngushëlluese, nëse vërehet se komunizmi nuk mund të hedhë rrënjë as në Evropën Qendrore dhe as në Ballkan, – tha ai; për pjesën tjetër, e ardhmja është ende e papërcaktuar, por shpresa mbetet.

 

Dominique AUCLERES

(https://www.darsiani.com/la-gazette/le-figaro-1950-intervista-ekskluzive-me-mbretin-zog-dhe-mbretereshen-geraldine-ne-aleksandri-nostalgjia-per-shqiperine-djali-leka-komunizmi-dhe-rreziku-rus)

Një dhuratë e kinemasë tonë nostalgjike për të gjithë brezat

Restaurohet filmi “Kthimi i Ushtrisë së Vdekur”

Çfarë u diskutua gjatë takimit në Tiranë më 1989-ën

Refuzimi që Nexhmije Hoxha i bëri Nënë Terezës për një shtëpi bamirësie!

Në 40-të vjetorin e filmit “Proka”

Mbrëmje kinematografike me regjisorin Isa Qosja

"Kur jeni zënë për herë të fundit me gruan?"

Përgjigjet plot humor që jepte Dritëroi për Sadijen