Dashnor Kaloçi
⌈Pjesa e dhjetë
Publikohen disa dokumente arkivore të nxjerra nga institucioni i Autoritetit për Informimin e Dosjeve të ish-Sigurimit të Shtetit, ku ndodhet një dosje voluminoze që i përket Tuk Jakovës, i cili që nga periudha e Monarkisë së Zogut, ishte një nga krerët kryesorë të Grupit Komunist të Shkodrës, i dënuar me burg politik në gjyqin e famshëm të vitit 1938, së bashku me Qemal Stafën e Vasil Shanton, pjesëmarrës në mbledhjen themeluese të Partisë Komuniste Shqiptare dhe anëtar i Komitetit Qendror Provizor të saj, që nga mbledhja themeluese e 8 nëntorit të vitit 1941, komisar politik i Brigadës së Parë Sulmuese dhe Korparmatës së Parë të Ushtrisë Nacionalçlirimtare, ku nga mbarimi i Luftës, në nëntorin e vitit 1944 e deri në 1955-ën, mbajti disa funksione dhe detyra të larta partiake e shtetërore, si: anëtar i Byrosë Politike dhe sekretar i Komitetit Qendror të Partisë Komuniste Shqiptare, ambasador fuqiplotë i Republikës Popullore të Shqipërisë në Beograd, President i Sindikatave të Shqipërisë, ministër i Financave dhe zv/Kryeministër i qeverisë shqiptare, të kryesuar nga Enver Hoxha etj. E gjithë dosja voluminoze (formularë dhe hetimore) që publikohet për herë të parë nga Memorie.al., ku ndodhen me qindra dokumente të panjohura, në ngarkim të ish-gjeneral-leitnant Tuk Jakovës, (“Hero i Popullit”), të cilat i përkasin periudhës së viteve 1951-1959, kur ai pas kontradiktave të shumta, që kishte me Enver Hoxhës që nga mbarimi i Luftës, në vitin 1951 u përjashtua si anëtar i Byrosë Politike dhe në 1955-ën, u përjashtua edhe nga Komiteti Qendror i PPSh-së, duke u shkarkuar edhe nga të gjitha funksionet e partiake e shtetërore, që kishte mbajtur deri në atë kohë, u internua familjarisht në rrethin e Beratit, ku pasi punoi disa kohë si përgjegjës i Repartit të Zdrukthëtarisë në atë qytet, në 1957-ën, u dënua me izolim në Kalanë e Kaninës së rrethit të Vlorës, ku dhe u arrestua në vitin 1958, duke u dënuar me 20 vjet burg, i akuzuar si “tradhtar e armik i popullit”, deri sa vdiq në spitalin e Burgut të Tiranës në vitin 1959, në rrethana misterioze! Çfarë thuhet në dokumentet sekrete (relacione, fotografi, kartela, formularë, raport-informacione, shënime, proces-verbale, raporte-survejimi, plane-masash, letra denoncuese, etj.) që i përkasin periudhës 1955-1959, kur ai ishte në ndjekje dhe survejim të vazhdueshëm nga organet e Sigurimit të Shtetit, cilët ishin oficerët e organeve të Ministrisë së Punëve të Brendshme, që ishin ngarkuar për vëzhgimin e tij dhe emrat e pseudonimet e bashkëpunëtorëve të Sigurimit, që e mbanin atë nën vëzhgim të rreptë?!
Raport-informacion i Punëtorit Operativ të Sigurimit të Shtetit, Kapiten i I-rë, Thoma Pashko, me të dhënat e bashkëpunëtorit të Sigurimit me pseudonimin “Nuredini”, lidhur me ndjekjen e survejimin e Tuk Jakovës dhe familjes së tij në rrethin e Beratit
Marrë nga P.Op., Kapit. I-rë Thoma Pashko
Dhënë nga B.P. “NUREDINI”
Raporti i datës 20/III/1956
Me datën 15/III/1956, Vangjel Dushniku i thotë atij se; para disa ditësh, isha në shtëpinë e Tuk Jakovës me rastin se kishte përvjetorin e vajzës, unë – vazhdon të thotë Vangjeli, – vete shpesh në shtëpinë e tij, pse Tuku është burrë i ndershëm, Tuku më fjalosi përveç punës që neve bëjmë në Ndërmarrje, më tha se; më vjen keq për luftën që bëri, po se jam punëtor, kjo nuk më bën përshtypje, pse horr kam qenë dhe horr u bëra prapë.
Nga data 13/III/1956, Tuk Jakova vajti në repartin e atij që po rregullonte motorin, më vonë erdhi dhe Sherif Leku, zdrukthëtar, pasi na përshëndeti, Sherif Leku i thotë Tukut; pse e shite çiften dhe nuk ma dhe mua të fitoja dhe unë nja tre-katër mijë lekë, Tuku i tha se: “Kishja nevojë se vëllai që kam në Gramsh, ka një djalë të sëmurë dhe ja dërgova lekët atij”, me kaq u shpërndamë.
“NUREDINI”
Detyra:
Me anën e Vangjelit, të bisedohet vazhdimisht për Tukun, po ashtu meqenëse ti ke patur bisedime me të, të vazhdosh bisedimin lidhur me punën e përditshme që keni në Zdrukthëtari.
Masat Operative:
Informata të shtypet dhe të vendoset në dosjen e Tukut.
Berat më 20/III/1956 Punëtori Operativ
Kapiteni i I-rë
Takimi në 3/IV/1956 Thoma Pashko
Dokumenti me raportin agjentural të Oficerit të Sigurimit të Shtetit, Kapiten i I-rë, Gjysh Tafili, me të dhënat e bashkëpunëtorit të Sigurimit me pseudonimin “Artileria fushore”, lidhur me informacionet e marra në qytetin e Shkodrës për Tuk Jakovën
Raport agjentural Marrë Kapit. I-rë, Gjysh Tafili
Datë 18.3.1956 Dhënë B.P. “Artileria fushore”
R A P O R T
Detyra: Burimi njofton se si vitin 1952, është takuar me Dr. Anton Jokoviqin në Shkodër, i cili është takuar me të në shtëpinë e Ndocit, midis shumë bisedave i ka folë edhe për çështjen politike, mbi disa divergjenca në Parti dhe në Qeveri. Me sa mban mend ai, thotë burimi, bisedimi është zhvilluar në këtë mënyrë: Dr. Anton Jokoviqi i ka thënë se; Tom Prela është mik i Tuk Jakovës dhe anëtar i Kishës dhe se përgatitej një grusht shteti ku bënte pjesë edhe Tuk Jakova dhe se kjo do t’u shfaqet me rastin e Kongresit të II-të të Partisë. Ai përfundimisht nga ky bisedim kuptoi se; Dr. Anton Jokoviqi kishte bisedime me Tukun dhe se këto bisedime i kishte të mbështetura në mes bisedimit që kish bërë me Tukun.
Konkretisht, teksti – i atij bisedimi nuk i kujtohet.
Të rrini gjithnjë me Dr. Anton Jokoviqin, krijoni përsëri bisedën e parë në lidhje me Tuk Jakovën dhe të mësoni konkretisht tekstin e bisedimit si dhe rënien nga pozita e Tukut.
Masat agjenturalo – operative:
Të shtypet raporti dhe kopja t’i dërgohet Degës P. Brendshme Berat, i cili është kërkuar me shkresën Nr.26. R.D. datë 16/4/1956.
Punëtori Operativ
Kapiteni I-rë Gjysh Tafili
Letra e Frano Jakovës nga Gramshi, dërguar vëllait të tij, Tukut, të cilën Punëtori Operativ, Nën/Toger Teki Hysi, ua dërgon eprorëve të tij
GRAMSH, më 5/IV/1956
Nxjerrë nga letra e Franc Jakovës, që ja dërgon vëllait të tij, Tuk Jakovës
I dashur Tuk
Po të shkruaj prej Gramshit. Nga Tirana u largova një javë pasi fola në telefon me ju dhe të nesërmen e nisjes (pasi fjeta një natë në Elbasan), arritëm në Gramsh. Tani me shëndet jemi mirë. Unë të thuash kam arrit në gjendjen e më përparshme. Marija shtoi 4 kg. në Tiranë, Tamara është më mirë se më përpara, Kristina e Teuta, kaluan nga nja grip të lehtë dhe tani janë mirë, kurse Vallona deri sot kishte një grip të rëndë me temperaturë të lartë, e cila ju ul pasi u bëmë dy flakon penicilinë. Tani edhe ajo duket më lehtë.
Pra pas një ndërprerjeje prej pothuaj se një muaji, filluam përsëri jetën e zakonshme të Gramshit, veç kësaj herë pa të ftohtë dhe me shpresë se pranvera që po vjen, do të na bëjë të harrojmë telashet e dimrit të mërzitshëm që kaluam. Këndej kanë filluar të lulëzojnë pemët, të dalin lulet dhe të dëgjohen në mëngjes cicërimat e zogjve të pranverës dhe besoj se edhe andej nga ju fryn kjo erë pranverore, bile andej më tepër mbasi vendi është më i ngrohtë.
Fëmijët dalin çdo ditë e mbledhin lule dhe ja bëjnë Vallonës, të cilës i pëlqejnë shumë. Në dyqan vazhdoj punën e zakonshme, vetëm se nuk gjejë sadisfaksion, pasi e ka kapë qerratallëk i madh dhe nuk realizon planin as 50 %, nga kjo qysh se ka filluar viti, nuk kam arrit asnjë herë të marr rrogën e plotë, por 90 %, kjo jepet kur nuk realizohet plani.
Nga ju morra një fryt, një sasi të hallesh që nuk i prisja dhe me të thanë të drejtën, më erdhi keq, se mendova ashtu siç doli se, sigurisht do të kishe shitur ndonjë send.
Më erdhi shumë keq për çiften nga një anë, se ka qenë shumë e mire, por qetësova kur mendova se nuk do të dalësh më në gjueti, kështu që shpëtove nga të ftohtit. Me gjithë atë, lekët erdhën në kohë dhe gjetën vendin, kështu që na i mbyllën do shtigje dhe i ngarkuem nga kolektivi familjar (veprojmë tani në mënyrë kolektive), ju dërgojmë falenderimet tona, nga letra që dërgojshe, morëm vesh që ishit mirë të gjithë, sidomos ti që si pas Mitës, qëndroje si mali i Tomorrit. Urojmë që të qëndrosh gjithnjë si mali i Tomorrit, por në këtë rast, duhet kuptuar se urimi im, nuk ka për qëllim rritjen e kultit të individit, mbasi ky është i dëmshëm dhe po dënohen gjithë kund. Urimi jonë përfshihet në kuptimin e thjeshtë të shëndetit personal.
Të them të drejtën, më erdhi keq që nuk erdha në Berat, pasi më kishte marrë malli për të gjithë, por nuk mujta me bë ndryshe, pasi doktori ma këshilloi, mos me u largu nga Tirana, pasi do të ishte e dëmshme pa plotësue analizat. Pra të mos keni merak, se besojmë ta kalojmë mirë. Ju na shkruani dhe po të kini ndonjë transferim, na njoftoni dhe telefononi (them transferimin, pasi në Tiranë flitej shumë për këtë).
Mos na harroni
Ju përqafojmë Franoja, Maria e fëmijët.
Punëtori Operativ i K.P.
N/Toger Teki Hysi
Raporti-informacion i Punëtorit Operativ të Sigurimit të Shtetit, Kapiten i I-rë, Thoma Pashko, me të dhënat e bashkëpunëtorit të Sigurimit me pseudonimin, “Lauruesi”, lidhur me ndjekjen e survejimin e Tuk Jakovës dhe familjes së tij në rrethin e Beratit
Marrë P.Op. Kapit. I-rë Thoma Pasho
Dhënë nga B.p. “Lauruesi”
R A P O R T
Burimi njofton se në shtëpinë e Tukut, nga bisedimet që u bënë midis të tjerave në datë 8 prill 1956, Tuku tha: “Fjalimi i Ohabit ishte me të vërtetë i zhveshur dhe pa një fije mëndafshi, tregonte gjendjen e brendshme si komunist dhe nuk fshihte gjë”, pastaj ai tha se, si u kritikua Partia në Poloni? Tuku tha se: “Atje ka një fije lirie më shumë se tek ne”. Më vonë tha: “Megjithëse atje gjendja ekonomike qëndron shumë më lart se tek neve, prap se prap ata ankohen, ekonomia e tyre në krahasim me tonën, është lule”.
Më 19 prill 1956, në shtëpi ai bisedoi me Tukun dhe e pyeti: kishte ndonjë të re sot në radio? Tuku tha se: “Sonte nuk kishte, veçse Vellko Cervenkovi, është zgjedhur përsëri nën kryeministër”, ai i tha; se shumë gjëra të reja po ngjajnë? Tuku tha se: “Pothuaj se të gjitha gjyqet që u bënë atëhere, dolën të gabuara, tani ka mbetur çështja e Slaviskit të Çekosllovakisë dhe e jona (për Koci Xoxen)”, ai i tha se; a mundet të dali dhe Koci i pafajshëm, Tuku tha: “S’ma merr mëndja, pasi nuk ka shenjë për një gjë të tillë, një ditë erdhi një oficer në ndërmarrje, ku referoi për një konferencë.
Aty doli një punëtor dhe e pyeti për çështjen e Koci Xoxes; si ngelet, a quhet tradhtar, ai oficeri tha se; Koci ka pas bërë krime, plus kësaj kishte dhe disa të meta nga ato gabime të Jugosllavisë dhe kështu që nuk falet. Por ai punëtori tha se; nuk e kuptova si the, ai e përsëriti edhe njëherë se Koci kishte ca të meta vetë, ca nga të Jugosllavisë dhe kështu që nuk falet, por punëtori prap tha se; nuk e kuptoj, atëhere oficeri tha se; Koci Xoxe për neve mbetet përsëri qen bir qeni, siç ka qenë dhe më parë: kjo më ka bërë përshtypje të madhe, sepse ai nuk ishte në gjendje të shpjegonte siç duhet çështjen e Kocit dhe e preu shkurt.
“Lauruesi”
Berat, më 21.4.1956
Detyra:
- Të vazhdosh të bisedosh me Tukun për çështjen e kultit të individit, po ashtu lidhur me gjërat që kanë ndodhur në Bullgari dhe në Hungari, lidhur kjo me vendin tonë.
- Të vazhdosh të bisedosh, se çfarë mendon Tuku për personin e tij.
Masat Operative: Të shtypet në një kopje dhe të vendoset në dosjen e Tukut, po ashtu këto të dhëna të nxirren për Komitetin e Partisë dhe Ministrinë.
Berad. Më 21.4.1956
Punëtori Operativ
Thoma Pashko
Raporti-informacion i Punëtorit Operativ të Sigurimit të Shtetit, Kapiten i I-rë, Thoma Pashko, me të dhënat e bashkëpunëtorit të Sigurimit me pseudonimin, “Lauruesi”, lidhur me ndjekjen e survejimin e Tuk Jakovës dhe familjes së tij në rrethin e Beratit
Marrë nga P.O. Kapiteni i I-rë Thoma Pashko
Dhënë nga B.p. “Lauruesi”
R A P O R T
Burimi njofton se më 17 prill 1956, në shtëpinë e Tukut nga një bisedë që ai pati me të shoqen e tij, Mitën, kjo tha: “Kongresi i 20-të i Partisë Komuniste të Bashkimit Sovjetik, nxori shumë gjëra të reja të papritura, ai tregoi një sërë gabimesh që kishin bërë në të kaluarën Partitë Komuniste motra, në sajë të kultit të individit dhe të Berias”.
Më vonë tha: “Të shohim në Kongresin tonë të III-të, nëse do të dali ndonjë gjë e re, pasi të gjitha Demokracitë Popullore, bënë shqyrtimin e kohës së kaluar dhe falën një sërë njerëzish që në të kaluarën ishin persekutuar”, më vonë tha se: “Çështja e Jugosllavisë nuk ishte e pakët, që më parë u quajt si tradhtarë, ndërsa sot del e larë, në gabimet që kanë bërë në të kaluarën”.
“Lauruesi”
Berat, më 21.4.1956
Detyra:
- Vazhdo të bisedosh me Mitën, sipas detyrave të mëparshme. Memorie.al
Punëtori Operativ
Thoma Pashko
Vijon numrin e ardhshëm