MENU
klinika

''Christie’s''

Është shkrepja më e shtrenjtë në histori

22.02.2022 - 11:16

         Në fotografinë bardhezi, realizuar në vitin 1924, artisti surealist e shndërron, duke e përfytyruar si të tillë trupin e gruas, në violinë. “Le Violon d’Ingres” e artistit vizual Man Ray, është gati të hyjë në histori, si fotografia më e shtrenjtë e shitur ndonjëherë në ankand.

Printimi origjinal i kryeveprës, i konsideruar gjerësisht si vepra më e famshme nga Man Ray, pritet të arrijë shifrat mes 5 deri në 7 milionë dollarësh, në ankandin e ardhshëm të muajit maj – vlerësimi më i lartë në histori, për një fotografi të vetme, sipas shtëpisë së ankandit ”Christie’s”.

Man Ray (1890 – 1976) ishte një anëtar i rëndësishëm i dadaizmit dhe surealizmit. Artisti vizual amerikan, e kaloi pjesën më të madhe të karrierës në Paris. Ai krijoi vepra të ndryshme, por e konsideronte veten piktor, mbi të gjitha.

Sipas shtëpisë së ankandit, çifti Melvin dhe Rosalind Gersten Jacobs, të dy koleksionistë, e blenë këtë këtë realizim nga vetë autori, Ray, në vitin 1962 dhe do ta shesin së bashku me vepra të tjera arti, si: fotografi, bizhuteri dhe postera, nga koleksioni i tyre i artit i grumbulluar gjatë dekadave.

Darius Himes, kreu i fotografive në shtëpinë ”Christie’s”, e quajti fotografinë “një nga veprat më ikonike të shekullit XX”.

“Ky imazh sureal, kaq magjepsës, është rezultat i një procesi pune unik dhe mjeshtëror, në dhomën e errët,” – tha ai.

Duke shtuar,s e: “Arritja dhe ndikimi i imazhit, njëkohësisht romantik, misterioz, ”manipulues” e lozonjar, ka bërë kurioz pothujase këdo që e ka parë, për thuajse 100 vjet.

Si vepër fotografike, është e paprecedentë në treg.”