MENU
klinika

Çfarë dhuroi Frenklin?

Një burrë shteti dhe testamenti ”marramendës”…

28.02.2022 - 11:10

        Historia ka njohur disa personalitete të rëndësishme, të cilët ndikuan në transformimin e fushave të tyre të ekspertizës. Le të përmendim këtu, Henry Ford, i cili revolucionarizoi industrinë; Albert Ajnshtajni, që i çeli shtigje të reja të fizikës, apo Ted Turner, me ndihmën në krijimin e medieve moderne.

Dhe nëse lista do të vijonte, gjithsesi janë relativisht pak ata individë që i janë afruar dhe kanë transformuar kaq shumë disiplina, apo fusha të ndryshme studimi, si në rastin e legjendarit amerikan, Benjamin Frenklin.

Benjamin Frenklin (1706-1790) ishte një diplomat, shkencëtar, shpikës, shkrimtar, njeri shumëdimensional, me njohuri të shumta dhe plot mençuri, i cili, bashkëpunoi në hartimin e Deklaratës së Pavarësisë dhe Kushtetutës së Shteteve të Bashkuara.

Ai konsiderohet si një nga etërit themelues të Kombit.

Më 1783, ai negocioi Traktatin e Parisit, që i dha fund luftës revolucionare. Përveç kësaj, mori titullin e nderit. si “Qytetari i parë i shekullit të 18-të”. Gjatë karrierës së tij të gjatë, të ndritur, Franklin mahniti botën e shkencës me zbulimet e tij të hershme, në lidhje me natyrën e energjisë elektrike; ai ishte një pionier i hershëm në industrinë amerikane të shtypshkrimit; për më tepër, ishte një nga njerëzit kryesorë që vunë themelet e politikës së Shteteve të Bashkuara.

Kërkimet e tij shkencore mbuluan tema të tilla, si energjia elektrike, fusha e matematikës dhe hartografisë ose mjekësisë. Si shkrimtar, ai karakterizohej nga vizioni dhe pena e mprehtë.

Është i njohur Testamenti i burrit të shtetit dhe shkencëtarit amerikan – Beniamin Franklin, ku midis të tjerash, ka lënë edhe këtë porosi:

Benjamin Franklin (1706-1790), Reading, Portrait, Painting by David Martin, 1767. (Photo by: Universal History Archive/Universal Images Group via Getty Images)

“U le në trashëgim 1 000 funte sterlina banorëve të Bostonit.

Në qoftë se ata do t’i marrin këto 1000 funte, duhet t’ua besojnë qytetarëve më të zgjedhur dhe këta, duhet t’ua japin me kamatë, nga 5 për qind në vit, hua zejtarëve të rinj.

Kjo shumë, pas 100 vjetësh do të arrijë në 131.000 funte stërlina.

Unë dëshiroj që atëherë, 100.000 funtet të përdoren për ndërtimin e godinave publike, kurse 31.000 të tjera, të jepen me kamatë për 100 vjet.

Pasi të kalojë shekulli i dytë, shuma do të arrijë deri në 4.061.000 funte sterlina, nga të cilat, 1.061.000 e lë në dispozicion të banorëve të Bostonit, kurse 3.000.000 i lë në dispozicion të drejtuesve të Bashkisë në Masaçuset.

Më tej, nuk guxoj t’i shtrij parashikimet e mia”

 

Duke lënë vetëm 1 000 funte, Frenklini kishte shpërndarë, në fakt, miliona…