Nga Prof.Dr. Abdulla Mehmeti, Tetovë – Shkurt 2022
Zoje Paleologu, e njohur edhe si princesha Sofia, lindi rreth vitit 1448, nga i ati Thoma Paleologu prej Konstandinie, despot i Moresë (1409-1465), nga e ëma Katarina Zaharia, një fisnike prej Korfuzi (1411-1462). Zoje, apo princesha Sofia, vdiq më 7 prill 1503 në Moskë, nga shkaqe dhe në rrethana të panjohura. Ajo u martua me Gjon Vasilin e Rusisë (Ivan III Vasilyevich, 1440-1505) më 12 nëntor 1472, në Moskë. Kjo ishte një martesë e imponuar nga Papa i Romës për interesa strategjike fetare, pas dy përpjekjeve të dështuara të mëparshme për martesën e Zojës me personalitete të tjerë. Zoje lindi në një familje princërish të njohur, me tradita fetare ortodokse, por më vonë ajo u konvertua në besimin e krishterë katolik, meqë u rrit në oborrin e Papës, i cili u përkujdes për familjen e saj të mbetur, që nuk e pranuan sundimin e Perandorisë Osmane. Më 1460, Morea u morr me forcë nga ushtritë e Perandorisë Osmane të udhëhequra nga Sulltan Mehmedi II- Pushtuesi.
Ceremonia e martesës së Zoje Paleologut, sipas traditave fetare u bë më 1 qershor 1472, në Bazilikën e Shën Pjetrit në Moskë, ku thuhet se Princi i madh Ivani III nuk ishte i pranishëm, por ishin përfaqësuesi i tij. Midis të ftuarve në ceremoni ishin Clarice Orsini, gruaja e Lorencos së Madhërishëm, sundimtarit të Firences dhe Mbretëresha Katerina e Bosnjës. Si prikë (pajë) Zoja (tani princeshë Sofia) mori 6 000 dukat.** Nga kjo martesë thuhet se Zoje lindi 15 fëmijë.
Zoje Paleologu, e njohur edhe si princesha Sofia (1448, More – 1503, Moskë)
Një rol të këtillë e kanë luajtur edhe gra të tjera të fuqishme me prejardhje arbërore-shqiptare, si princesha e Vllahisë dhe Moldavisë (më parë Besia-Besarabia), Elena Gjika, princesha Fevzije Fuad e Egjiptit, më vonë mbretëreshë e Iranit, nga familja mbretërore e dinastisë së Mehmed Ali Pashës së Egjiptit, me prejardhje shqiptare nga Kavalla, etj.
* * *
Me këtë rast, vlen të përmendet se, tre shekuj më vonë, një personalitet tjetër me prejardhje shqiptare nga një familje prej Korfuzi, Jani Kapadistria (Ioannis Kapodistrias), më 1809 hyri në shërbim të Aleksandrit I të Rusisë. Misioni i tij i parë i rëndësishëm, në nëntor 1813, ishte si ambasador jozyrtar rus në Zvicër, me detyrën për të ndihmuar në shkëputjen e vendit nga dominimi francez i imponuar nga Napoleoni. Ai u angazhua dhe siguroi unitetin, pavarësinë dhe neutralitetin e Zvicrës, të cilat u garantuan zyrtarisht nga Fuqitë e Mëdha, dhe ndihmoi në mënyrë aktive përpilimin e një kushtetute të re federale për 19 kantonet, që ishin shtetet përbërëse të Zvicrës, me statuse personale. Në vitet 1816–1822 ka qenë Ministër i Punëve të Jashme i Rusisë, ndërsa pas Kryengritjes Arvanite dhe pavarësimit të Greqisë, në vitet 1822 – 1831 ka udhëhequr me shtetit e Greqisë, së pari kryeministër dhe pastaj Kryetar i parë i shtetit të Greqisë. Këto fakte janë të rëndësishme të dihen nga shqiptarët, për shkak të ndikimeve të mëvonshme të aleancës së shteteve ortodokse, Rusisë-Greqisë dhe shteteve të tjera satelite të tyre, në lidhje me fatin e popullit shqiptar gjatë dy shekujve të fundit.
_________
* Deri në vitin 1547 Rusia nuk njihej me këtë emër por si Principatë e Moskovit, ndërsa më vonë e përvetësoi këtë emër (Rusi-nga Rasia-Rascia) sipas emrit të mëhershme të shtetit Rusia e Kievit, e emëruar kështu nën ndikimin e traditës fetare të Rasisë dardane (Shih edhe krahinën e lashtë me këtë emër mes Kaukazit të Madh dhe Detit të Zi: Rasia – Rascia- Rachia në jug të Kaukazit, ku atëkohë kishin ndikim të fuqishëm autoriteti dhe predikimet fetare të Shën Hieronimit, Shën Niketë Dardanit dhe Shën Konstandinit të Madh, predikime kryesisht sipas Biblës Besiane, në të folmen e fiseve pellazge-ilire të Trakisë, të cilën e flisnin dhe kuptonin shumica e banorëve vendës përreth Detit të Zi, në Anadolli, viset poshtë Kaukazit, si në gjithë Gadishullin e Ilirisë.
** Prikë/a: Pasuri e patundshme, florinj apo shumë të hollash që i jepnin dhëndrit prindërit e vajzës para martesës, një traditë e njohur ndër familjet fisnike në periudhën e Mesjetës.
© Pashtriku.org, (shkurt 2022)