Ndërtesa disa kate, për të cilën u arrestua kryeinspektorja e IMTsë së Sarandës, Romina Pulaj, dhe dy inspektorë u shpallën në kërkim, është përfshirë edhe në një betejë të gjatë gjyqësore që daton që nga viti 2006.
E nisur që atëherë së ndërtuari, objekti nuk ka përfunduar ende. Ishte ky objekt që çoi në pranga kryeinspektoren, arrestim i konfirmuar edhe nga gjykata, ndërsa në kërkim janë edhe dy vartës të saj.
VENDIMI
Gjykata Administrative e Gjirokastrës ka vendosur më 24 shtator të vitit 2020 shtyrjen e afatit të lejes së ndërtimit, leje e dhënë fillimisht më 14 shkurt të vitit 2006. Në vendimin e gjykatës nuk përcaktohet se për cilën firmë ndërtuese shtyhet leja ndërtimore. Sipas prokurorisë, duhej nënkuptuar se leja shtyhej për firmën “Savrikal”, e cila e kishte marre lejen në vitin 2006, ndërkohë që tashmë objektin po e ndërtonte Pando Papuçi me firmën e tij “2P-SJ”. Ky i fundit, së bashku me të ndjerin Vangjel Nika, ishin pronarë të truallit ku po ndërtohet objekti, duke kontraktuar firmën përkatëse 17 vite më parë, e cila për shkaqe të ndryshme, i ndërpreu punimet. Për këtë arsye, në gusht 2020, Papuçi krijon vetë një firmë dhe, pasi Gjykata vendos shtyrjen e afatit të lejes së ndërtimit, nis punimet në objektin në pronë të tij.
Pikërisht për këtë, prokuroria akuzon kryeinspektoren e IMT-së, Romina Pulaj dhe dy inspektorët Martin Arapi dhe Nertion Jano, se përse nuk kanë interpretuar vendimin e gjykatës, thënë thjesht se “objektin duhet ta ndërtonte firma e ndërtimit e kontraktuar në 2006-ës dhe jo vetë pronari i truallit, që e kishte kontraktuar këtë firmë”. Por edhe pse prokuroria pretendon se vendimi duhej të interpretohej mirë nga zyrtarët e IMT-së, pranon se në pikën 5 të vendimit të gjykatës, përmendet trashëgimtarja e pronarit të ndjerë, Vangjel Nika, konkretisht vajza e tij, Lindita Kondi. Ne vendimin e saj, gjykata në pikën 5 ka disponuar se “zhvilluesi Lindita Kondi, përfaqësuar me prokurë nga Pando Papuçi, është e detyruar të njoftojë paraprakisht Bashkinë Sarandë për fillimin e punimeve”.
Në vendimin e Gjykatës Administrative, nuk specifikohet se për kë shtyhej leja ndërtimore, për kompaninë apo për pronarët e tokës. Në vendimin e gjykatës për caktimin e masës së sigurisë, pranohet se dy inspektorët kanë zhvilluar kontrolle në objektin në fjalë, ku më datë 20.10.2021 nënshkruajnë procesverbal konstatimi në objektin që ndërton subjekti “2P-SJ shpk”, për shkaqe teknike të sigurisë në kantier. Madje, në datë 22.10.2021, me vendim nr.15, kryeinspektori i IVMT Bashkia Sarandë, Romina Pulaj, vendos dënimin me gjobë të subjektit “2P-SJ shpk”, në masën 200.000 lekë dhe në datë 23.10.2021, me vendim nr.10, kryeinspektori i IVMT Bashkia Sarandë vendos pezullimin e punimeve të subjektit “2P-SJ shpk”, me afat 60-ditor.