SHKRONJAT E ARTA
Gjuha shqipe: NJË TRASHËGIMI E VYER QË DUHET MBROJTUR E MBROTHËSUAR – Nga: Rami Memushaj
Shqetësimi për gjuhën shqipe është po aq i vjetër sa dhe historia e shkrimit të saj. Gjon Buzuku iu vu punës për hartimin e “Mesharit”, sepse “gluha jonë nukë kish gja të ndigluom n së Shkruomit shenjtë, n së dashunit së botësë sanë”, si një përpjekje për ta mbrojtur, ndërkohë që trysnia e gjuhës turke mbi të po vinte duke u shtuar. Gati një shekull më vonë, Frang Bardhi, duke parë rrezikun që i kanosej shqipes nga kjo trysni e gjuhës së pushtuesit, mori penën t’i hidhte në fjalor fjalët shqipes, siç thotë ai “me nimuem mbë nja anë giuhënë tanë, gji po bdaretë e po bastardhohetë sa më parë të ve” (që po humbet e po prishet me të kaluar të kohës).
Me këtë shqetësim De Rada, Naimi dhe gjithë plejada e veprimtarëve të Rilindjes punuan me mish e me shpirt për ta lëvruar shqipen e për ta spastruar nga turqizmat e shumtë që kishin depërtuar në leksikun e saj. Në ditët tona shqipja është ngritur në shkallën gjuhës standarde, që është shkalla më e lartë e zhvillimit të një gjuhe. Ajo sot është gjuhë zyrtare e tri shteteve, duke shërbyer në të gjitha funksionet e një gjuhe standarde: si gjuhë e administratës, e shkollës, e shtypit, e shkencës dhe e letërsisë. Megjithatë, edhe sot, në epokën e globalizmit, kur Shqipëria, Kosova dhe Maqedonia e Veriut janë vende të hapura dhe kontaktet e shqiptarëve me botën janë të shumëfishta e të përditshme, rreziku i “bastardimit” të shqipes për të cilin fliste Frang Bardhi para katërqind vjetësh është i madh.
Bastardimin e shqipes e ndihmon jo vetëm ndikimi i gjuhëve të kulturave të mëdha, sidomos i anglishtes, mbi shqipen, po edhe mungesa e plotë e kujdesit të shtetit dhe e institucioneve shkencore që merren me studimin e gjuhës. Ky ndikim shfaqet sidomos në fushën e fjalorit, ku, si rrjedhim i nevojave që ka sjellë zhvillimi i vrullshëm i disa degëve të shkencës dhe teknikës, po edhe i publicistikës etj., në shqipe kanë vërshuar qindra e qindra fjalë të huaja të reja. Ndër to ka fjalë që janë të nevojshme për shkak se i mungojnë gjuhës sonë, si termat e fushës së informatikës, por edhe ka edhe shumë fjalë të panevojshme, pasi për konceptet e dukuritë që emërtojnë këto huazime, shqipja ka fjalët e veta. Të përdorur në të folur e të shkruar, këta barbarizma i humbin ligjërimit bukurinë dhe forcën shprehëse që i jep fjala shqipe, e bëjnë gjuhën “të drunjtë”. Vërshimi i fjalëve të huaja sjell me vete pasoja jo vetëm për leksikun, po edhe për rrafshet e tjera të gjuhës. Fjalët e huaja që vijnë në shqipe nëpërmjet të folurit bartin me vete edhe mënyrën e theksimit karakteristik për gjuhën nga merret fjala. Si rrjedhim, ka marrë të përhapur shqiptimi edhe i fjalëve të shqipes me theks në rrokjet e para, si në anglishte, dhe jo me theks në rrokjen e fundit, siç është në natyrën e gjuhës sonë.
Kështu, dëgjojmë përditë të thuhet kóvid dhe jo kovíd, stamátin (një bar) dhe jo stamatín, féjsbuk në vend të fejsbúk, vódafon në vend të vodafón etj. Sa shumë ka depërtuar kjo mënyrë theksimi e fjalëve, duket sidomos në shqiptimin nga brezi i ri i të shkolluarve i emrave dhe i emërtimeve të përveçme. P.sh., dëgjojmë shpesh të shqiptohen me theks në rrokjen e parë edhe emra të përveçëm të traditës, si Ántoneta dhe jo Antonéta, Bójken dhe jo Bojkén, Hásan dhe jo Hasán, Rámi dhe jo Ramí, Téki dhe jo Teki etj.
Por, fjala e huaj bart me vete jo vetëm theksin, por edhe morfologjinë dhe sintaksën e gjuhës nga është marrë. Kështu, shqiptimi i emrave në rrokjen e parë e bën të vështirë edhe lakimin e tyre, pasi shtohet numri i rrokjeve që vijnë pas theksit, ndërkohë që shqipja e ka të kufizuar këtë numër. Mirëpo përdorimi i emrave të huaj, të përveçëm e të përgjithshëm, pa format përkatëse rasore të shqipes prek sistemin e gjuhës sonë, e cila shekuj me radhë u ka bërë ballë trysnisë së gjuhëve të huaja me strukturë tjetër gramatikore. Dhe, nëse do t’i hapet rruga theksimit në rrokjen e parë dhe përdorimit të emrave pa mbaresa si në gjuhët që nuk e lakojnë emrin, ne do t’i sakrifikonim dy hallka të rëndësishme të sistemit gramatikor të shqipes.
Ashtu si të gjitha gjuhët e kombeve të vogla, gjuha jonë do të ketë nevojë edhe në të ardhmen të huazojë nga gjuhët e kulturave të mëdha. Ajo do të mbetet një gjuhë e hapur ndaj këtyre gjuhëve e kulturave, por kjo nuk do të thotë se duhet të heqim dorë nga përpjekjet për të ruajtur identitetin e saj, për të ruajtur atë që e bën shqipen të veçantë në mesin e gjuhëve europiane. Mbrojtja e gjuhës nga bastardimi është detyrë e shoqërisë shqiptare, e shtetit, e institucioneve që merren me gjuhën, i shkollës, por edhe i konsumatorëve të mëdhenj të gjuhë – televizionit dhe shtypit. Është e pafalshme që gjuha jonë vijon të mbetet ende e pambrojtur me ligj të posaçëm; që sot kanë humbur si profesion korrektorët (lektorë) e redaktorët letrarë dhe që vetë akademitë e shkencave botojnë libra të pakorrektuar e ta paredaktuar; që institutet e gjuhësisë dhe akademitë e shkencave nuk ndjekin zhvillimin e gjuhës dhe nuk botojnë periodikisht lista të fjalëve të reja që këshillohen të përdoren dhe të huazimeve të panevojshme që nuk këshillohen të përdoren; që shkolla (veçanërisht në Kosovë e në Maqedoninë e Veriut) nuk është vendi ku duhet të kumbojë ligjërimi i folur standard. Gjuha shqipe është tipari i vetëm që i lidh e i bashkon si komb shqiptarët dhe i dallon ata nga kombet e tjera; ajo është një trashëgimi e vyer që na kanë lënë të parët, e cila duhet mbrojtur e mbrothësuar. (g.sh)