Në filmin epik «Troy», skenaristi David Benioff vë në gojën e Odiseut (Sean Bean) këto fjalë teksa dialogon me Akilin (Brad Pitt):
«Bota është e thjeshtë për ty, miku im, por kur të jesh mbret, pak zgjidhje janë të thjeshta. Itaka nuk i bën dot ballë një armiku si Agamemnoni».
Në dritën e takimit midis presidentit të Kosovës Hashim Thaçi dhe atij të Federatës Ruse Vladimir Putin, kjo e thënme përthyhet për bukuri. Ndryshe prej psikozës së frikës që po shpërhapet në formë rrathësh koncentrikë, ky takim nuk meriton as të fshikullohet pamëshirshëm dhe as të bëhet shkas që të tunden kambanat e alarmit. Ne, si individë, i japim vetës liri të pakufizuar kur i përfytyrojmë marrëdhëniet ndërkombëtare, përderisa, në komoditetin e shtëpive tona apo si bjerrakohës në kafiteritë e qytetit, nuk kemi as nocionin më të vogël të përgjegjësisë së vendimmarrjes. I shkërbejmë disi atyre malësorëve, të përshkruar në faqet e romanit «Dimri i Madh» të Kadaresë, që mendonin kanunçe kur ndodhi prishja me sovjetikët: kish edhe prej atyre që kërkonin të digjeshin kullat e Kremlinit (sic!).
Arsyeja pse frika shpërhapet në mënyrë virale dhe sakaq ngrenë krye demagogë apokalipsash kudo në Kosovë e Shqipëri, ka të bëjë thjesht me traumën tonë kolektive: Berlini (1878), Londra (1913) e Versaja (1919). Kemi frikë, gati besëtyte, se pas çdo takimi pjell një padrejtësi e re; se dikush nënshkruan një tradhti të radhës e dikush tjetër ka përfunduar pazarin me faljen e një treve të tërë. Por harrohet se faktori shqiptar sot ka një staturë të tjetërsojtë, ka një peshë dhe ka një potencial që po pahëtohet nga viti në vit.
Në domenin e diplomacisë, kategori «huntingtoniane» si dashuria, miqësia e afërsia kulturore janë veçse një lustër, janë thuajse hiçgjë. Gjithçka qendërzohet tek interesat, tek ekzistenca. Rusia, e zalisur nga pesha e sanksioneve perëndimore dhe e izoluar nga Amerika, prej kohësh rropatet të çojë sinjale pozitive ndaj Kosovës.
Prej lejimit të pjesëmarrjes së një xhudiste shqiptare (Majlinda Kelmendi) në Kampionatin e Xhudos në Rusi (prill 2016) e deri te takimi i fundit i Putinit me presidentin e një vendi që deri dje e quanin si «shtet i rrejshëm» dhe në «kundërshtim me të drejtën ndërkombëtare», rusët po e tejçojnë mesazhin tacit se e njohin ekzistencën e mëvetësishme të Kosovës. Dhe kjo nuk ka të bëjë aspak me një dashamirësi përdëllimtare ruse kundrejt shqiptarëve, por me një «pozhaluysta» (lutje), gati edhe të dëshpëruar, ndaj Perëndimit, duke e zbutur qëndrimin ndaj kontesteve të numërta.
Opozita në Kosovë nuk denjon të esëllojë mendjet e trazuara, por vazhdon të apelojë tek pjesa ireale e njerëzve, tek frika e trauma e tyre. Prandaj, Thaçit po i hahet haku padrejtësisht për një takim me një simbolikë të rëndësishme në kandarin gjeopolitik. Deri sot, politika serbe është ndjerë e trimëruar në abnegacionin e Kosovës meqë llogariste në çdo skenar në Moskën; kisha serbe llogariste në «solidaritetin pan-ortodoks», e populli serb, sidomos zellotët fetarë, shkrinin e ngrinin kryqin e bozhiqeve në pritje të Rusisë mesianike. Thjesht nuk ka të përshkruar shoku kolektiv në Serbi nga takimi i Thaçit me Putinin. Dhe në momentin e pikërishëm historik, Serbia ka si adresë veç Turqinë, së këndejmi, kjo është arsyeja pse Vuçiçi ndjen obligim moral të njoftojë Erdoganin, me linjë të drejtpërdrejtë telefonike, për çdo lëvizje të tij.
Një takim me Trump-in vlen shumë, por po kaq vlen edhe një takim me Putinin, presidentin e shtetit të dytë në botë për nga fuqia ushtarake. Nuk ka vend këtu për ngërdheshje cinikësh! Afrimi me rusët nuk është një «deja vu» e atyre viteve patetike në kohë të Enverit plot e përplot parulla ideologjike për miqësi të pavdekshme, dhe as alarm se rusët do të ngrenë instalime ushtarake në Kosovë. Përfundimisht, jo një «dimër i madh»!
*Autori është gazetar dhe studiues i historisë në Prishtinë.