MENU
klinika

Diplomat e atdhetar

Rauf Fico, ky shqiptar i ndritur

13.03.2022 - 14:37

         “Rauf Fico ishte shqiptar kur nuk kishte Shqipëri!” Faik Konica

Bashkëkohësit e tij e kanë vlerësuar dhe shprehur konsideratën e tyre për kontributin atdhetar të patriotit Rauf Fico. Më 1913, kur delegacioni shqiptar shkoi në Vjenë dhe Itali, Rauf Fico i ra në gjunjë ministrit të Jashtëm italian Scalea dhe i tha: “Shkëlqesi na ndihmoni të marrim tokën tonë Çamëri! … gjë e cila bëri përshtypje të madhe”. (Eqrem bej Vlora, “Kujtime (1885-1925)”, (përkthyer nga Afrim Koçi), Shtëpia e Librit & Komunikimit, Tiranë, 2003, fq. 325-326). Gjatë periudhës së Qeverisë së Përkohshme të Vlorës, Rauf Fico u ngarkua me detyrën e këshilltarit në Ministrinë e Punëve të Brendshme. Ai shkoi në fshatrat e Skraparit, Vlorës, Mallakastrës dhe Tepelenës duke organizuar batalione vullnetarësh dhe armatosur ata me armët që dispononte Qeveria e Vlorës dhe së bashku me ta u vendos në mbrojtje të kufijve të atdheut. Në një telegram që Rauf Fico i dërgonte ministrit Mufid bej Libohova, mes të tjerave i shkruante: “Do të bëjmë çmos t’i hedhim grekët sa më poshtë e të lehtësojmë edhe çamërit tanë”. (AQSH, Fondi 145, dosja 4).

Në 23 nëntor të vitit 1938, Adolf Hitler shprehet: “Sot kam takuar dy diplomatë, njëri ishte një diplomat i madh i një shteti të vogël dhe tjetri një diplomat i vogël i një shteti të madh”. I pari ishte Rauf Fico dhe, i dyti, ambasadori japonez.

Gazeta hungareze “Pester Lloyd” në datën 18 mars 1929 shkruante: “Rauf Fico, njeriu më i kulturuar i atij vendi, kur u desh të krijohej administrata e shtetit shqiptar, rreth tij u grumbulluan njerëzit më të aftë që organizuan Shqipërinë e sotme. Ministër Rauf Fico është njeri me kulturë të shquar të përmsave evropiane, ai zotëon gjashtë gjuhë të huaja. Ai është një diplomat nga më të zotët”.

Ai zotëronte shumë mirë turqishten e osmanishten, frëngjishten dhe gjermanishten, arabishten, greqishten dhe italishten.

Si një nëpunës i ndërgjegjshëm, i ndershëm dhe i aftë, ai dekorohet nga Perandoria Austro-Hungareze, me Urdhrin e Franz Josefit të kl. I. Për shkak të veprimtarisë shoqërore dhe personalitetit të tij, me propozim të Ministrisë së Punëve të Jashtme Franceze, më 1922, Rauf Ficos i akordohet dekorata “Palma e Artë Akademike”, ndërsa Akademia Ndërkombëtare e Letërsisë dhe Shkencës së Napolit, më 16 korrik 1925, mbasi i ka dhënë gradën shkencore të Doktorit të Nderit, e zgjedh edhe anëtar korrespondent të asaj akademie. Po e asaj periudhe është edhe dekorimi italian me “Kryqin e Nderit për merita në letërsi e shkencë”, i akorduar nga Akademia Mbretërore Italiane. Rauf Ficoja ishte dekoruar nga mbreti bullgar me “Urdhrin e Borisit“ dhe nga Franca në vitin 1926, me medaljen e “Oficerit të Legjionit të Nderit“. Më 27 janar të vitit 1932, Rauf Ficoja u dekorua nga mbreti Zog me dekoratën e “Urdhërit të Komandarit të Skënderbeut“.

Rauf Fico është një nga diplomatët që ka lënë gjurmë në historinë e politikës së Jashtme të Shqipërisë. Ai është i pari që u përpoq t’i jepte një vizion perëndimor strukturës dhe funksionimit të shërbimit të jashtëm shqiptar.

Ai arriti të përcaktonte qartë prioritetet në politikën e jashtme shqiptare, marrëdhënie të mira me fqinjët dhe përfshirjen e Shqipërisë në nismat më te mira evropiane për sigurinë kolektive e bashkëpunimin ekonomik midis dy luftërave botërore, siç ishte projekti i MPJ francez Briand për Federatën Ekonomike Evropiane.

Lindi më 13 mars 1881, 140 vite më parë, në Sana të Jemenit, por i regjistruar në Gjirokastër, pasi prindërit e tij u kthyen në vendlindje.

Shkolluar në Stamboll, Fico shërbeu në administratën osmane në zona të dryshme të Perandorisë, shpesh edhe në territoret shqiptare, deri në shpalljen e pavarësisë së Shqipërisë më 1912. Ai gjendej në situata të shpeshta konflikti me Portën e Lartë për shkak të gjesteve të ndryshme atdhetare që ai kryente gjatë ushtrimit të detyrës.

Rauf Fico ishte një nga funksionarët e parë të Qeverisë së Përkohshme të Vlorës në pozicione të ndryshme. Më pas kreu detyrën e Shefit të Kabinetit të Kryeministrit gjatë qeverisjes së Princ ëiedit. Gjate luftës Rauf Fico u dekretua nga austro-hungarezët si Nënprefekt i Tiranës, post që e mbajti deri në Kongresin e Lushnjës 1920. Gjate kryerjes së kësaj detyre, ai urdhëroi që e gjithë veprimtaria zyrtare shkresore e verbale të kryhej domosdoshmërisht në gjuhën shqipe.

Mbas Kongresit të Lushnjës dhe krijimit të qeverisë së re në Shqipëri, në janar 1920 Rauf Fico u emërua Sekretar Shteti i Ministrisë së Punëve të Brendëshme deri në fund të vitit 1922, kohë kur filloi fushatën e kandidaturës për deputet. Nga viti 1923 deri në janar 1926, ai ishte i zgjedhur deputet i Durrësit në Asamblenë Kushtetuese. Gjatë kësaj periudhe atij ju akorduan disa dekorata nga Ministria e Jashtme franceze, Akademia Ndërkombëtare e Letërsisë dhe e Shkencës së Napolit, Akademia Mbreterore italiane, President francez , Mbreti bullgar, për veprimtarinë e tij shoqërore dhe personalitetin e spikatur.

Në shërbimin diplomatik shqiptar Rauf Fico hyri në shkurt të vitit 1926, kur u dekretua Ministër i Jashtëzakonshëm dhe Fuqiplotë i Shqipërisë në Turqi e Bullgari, me residencë në Ankara. Këtë detyrë e kreu deri në fund të vitit 1928. Me 14 janar 1929 Rauf Fico u dekretua si Minister i Punëve të Jashtme, dhe si i tillë sherbeu deri në 6 mars 1930. Njohes i mirë i 8 gjuhëve të huaja, Fico u përpoq ti jepte një vizion perendimor strukturës dhe fuksionimit të shërbimit të jashtëm shqiptar, si dhe të përcaktonte qartë prioritetet në politikën e jashtme shqiptare, marrëdhënie të mira me fqinjët dhe përfshirjen e Shqipërise në nismat më te mira evropiane për sigurine kolektive e bashkepunimin ekonomik midis dy luftrave boterore, siç ishte projekti i MPJ francez Briand për Federatën Ekonomike Evropiane. Ai miratoi Ligjin e pare Organik të Ministrisë së Punëve të Jashtme ne 1929, dhe Ligjin Konsullor. Fico përcaktoi juridiksionin e konsullatave shqiptare dhe Konsullatave të Nderit të Shqipërisë jashtë vendit.

Në mars 1930, Mbreti Zogu I, e dekretoi Ficon edhe Ministër të Punëve të Brendshme. Me këto dy funksione ai shërbeu deri në 20 prill 1931.

Më 27 janar 1932, Fico u dekretua si Ministër Fuqiplotë në Beograd. Këtë detyre ai kreu deri në maj 1937. Më 12 qershor 1937 ai u transferua në Athinë përsëri si Ministër Fuqiplotë dhe shërbeu atje deri me 15 gusht 1938. Në këtë kohë ai u dekretua Ministër Fuqiplotë në Berlin ku qëndroi deri në fund të qershorit 1939, kohe kur përfaqesitë diplomatike e konsullore shqiptare u shkrinë me ato italiane.


Gjate kryerjes së këtyre detyrave, dokumentacioni arkivor flet qarte për përpjekjet e Ficos për mundësimin e mësimit të gjuhës shqipe kudo ku jetonin shqiptaret, e veçanërisht hapjen e shkollave shqipe në Çamëri. Ai përdori çdo mjet diplomatik e patriotik për bashkimin e kolonive shqiptare jashtë vendit, për shmangien e dasive mes tyre, dhe për mbrojtjen e interesave të tyre nga shteti shqiptar . Fico gëzonte një reputacion dhe konsideratë të lartë nga diplomate të huaj që e takuan apo ndoqën veprimtarinë e tij diplomatike kudo ku ai shërbeu.

Në fund të qershorit 1939, Rauf Fico u kthye ne atdhe, por vazhdoi të paguhej nga Zyra e Likuidimit, si e fundit strukture e mbetur për te përmbyllur funksionet e MPJ, deri sa doli në pension në fund te vitit 1941. Ai nuk u pajtua me fashizmin, ndaj u internua në Itali ku mbahet disa muaj. Vdiq në Tiranë me 23 janar 1944 mbasi ishte kthyer nga internimi në Itali, dhe u përcoll me respekt te madh nga shqiptarët brenda e jashtë kufijve që mbërritën në Tiranë.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN



Një dhuratë e kinemasë tonë nostalgjike për të gjithë brezat

Restaurohet filmi “Kthimi i Ushtrisë së Vdekur”

Çfarë u diskutua gjatë takimit në Tiranë më 1989-ën

Refuzimi që Nexhmije Hoxha i bëri Nënë Terezës për një shtëpi bamirësie!

Në 40-të vjetorin e filmit “Proka”

Mbrëmje kinematografike me regjisorin Isa Qosja

"Kur jeni zënë për herë të fundit me gruan?"

Përgjigjet plot humor që jepte Dritëroi për Sadijen