MENU
klinika

Lufta në Ukrainë

Zheji: Putini nënvlerësoi popullin fqinj, Kievi mund të kthehet në një Stalingrad të dytë

18.03.2022 - 17:06

Lufta në Ukrainë ka hyrë në ditën e 23-ë të saj. Betejat kanë qenë të ashpra dhe humbjet e shumta nga të dyja kampet. Për të folur rreth këtij zhvillimi, të ftuar në studion e emisionit “Pikat mbi I” ishin analisti Artur Zheji dhe konsulli i nderit i Ukrainës në Shqipëri, Bledi Bajraktari.

Zheji, tha se Putini nënvlerësoi ushtrinë ruse, duke shtuar se sipas tij ditët e tij janë të numëruara. Nga ana tjetër, Bajraktari tha se NATO duhet të bënte më shumë në këtë konflikt dhe theksoi se pika e dobët e ukrainasve është ajri.

Zheji: Parazgjedh të mos flas për pjesën e dhimbshme. Lufta është dramatike. Ukrainasi është prezantuar si një kategori njerëzore e jashtëzakonshme.

S’e kemi ditur që ka një nerv, ADN, një popull të jashtëzakonshëm që ka zgjedhur të rezistojë dhe të mbarojnë nëpërmjet gërmadhash, bombardimesh që të jenë vetvetja. Ky është shembull që ka nisur me Ukrainën. Do të mbahet mend gjatë në historinë e njerëzimit ky model i një populli që është nënvlerësuar, por duket se kryevepra e ukrainasve sot është ukrainasi. Përtej kësaj mendoj se situata është në ngërç të fortë. Ka një përplasje ushtarake në terren. Në fushën e betejës është treguar epërsi cilësore e ukrainasve. Ideja fillestare e Putinit ishte që ukrainasit do të tmerroheshin nga legjenda e ushtrisë gjigante ruse, nga raketat me rreze të mesme shkatërrimi, nga epërsia numerike. Efekti psikologjik u zerua. Putini negociatën e ka për fasadë dhe kjo është kuptuar nga ukrainasit, që nuk lëshojnë pe

Bajraktari: Problematike mbetet ajri. Vetë ushtria ruse e ka kuptuar që në tokë s’është pak e suksesshme, ndërsa nga ajri ajo po bombardon dhe po merr shumë jetë njerëzish. Këto janë kapriço të Putinit, që deri diku do të mbaj përgjegjësi ai vetë, por po vendos dhe popullin e tij në një pozicion të vështirë. Krisja është aq e madhe se këto jetë njerëzish faktojnë dhe diktojnë që interesat e një personi s’duhet të dalin mbi ato të popullit. Është shumë e vonuar në reagime, e stepur në ndihmë konkrete dhe ajo pjesë që duhet të merrej seriozisht, si mbyllja e territorit ajrorë. Mariupol është pothuajse i bombarduar, nuk ka asnjë ndërtesë të pa prekur. Shpresoj shumë të jetë një vendim që të realizohet jo vetëm me fjalë.

Zheji: Ka shumë informacione që po t’i falsifikosh krijon një pikturë të madhe. Këto janë pamje që shkaktojnë ndjeshmëri botërore, por njeriu duhet të ecë përtej, nuk duhet të demoralizohet. Evropa ka bërë disa gabime në raport me Rusinë. Ne cilësojmë planet B që qëndrojnë në rrethimin e kryeqendrave kryesore të Ukrainës. Është bërë rrethim ushtarak i Kievit. Ato pjesët e kuqe janë pjesët ku dominon ushtria ruse. Tendenca për të rrethuar kryeqytetin dhe qytetet strategjike quhet plani B, plani i shtrëngimit të presionit mbi këto qytete. Rënia e këtyre qyteteve supozohet se është rënia e Ukrainës. Janë 500 mijë vullnetarë që janë vendosur për të mbrojtur Kievin. Rusisë do t’i duhet një ushtri prej 2.5 mln ushtarësh për të marrë Kievin me dhunë, gjë që është e pamundur. Kievi është i gatshëm të flijohet. Përbetimi ukrainas është të mos lëshojë këtë qytet të madh. Aty janë ngujuar rreth 500 mijë vullnetarë, është forcë e madhe dhe e pa thyeshme. Kërkohet një ushtri ruse shumë të madhe për të luftuar me përkushtim në çdo cep të qytetit. Duket qartë tendenca për të shkëputur daljen në det të Ukrainës. Në këtë luftë luftojnë 25 mijë. Është kuptuar dhe një gjë tjetër. Autokolona qëndronte në rrugë të shtruar dhe nuk rrinin dot në terrene të tjera. Shërbimi informative rus, si ka treguar presidentin situatën e vërtetë të tankeve. Bilanci ka qenë shumë zhgënjyes. Padiskutim ka këputje kokash në shtabin e ushtrisë së rusëve. Ditët e Putinit janë të numëruara. Disfata në Ukrainë është humbja e Rusisë. Tanket ruse cilësohen si një nga tanket më të mira në botë. Shumë nga tanket janë braktisur sepse kishin defekte ordinere dhe kapeshin kollaj nga raketat anti-tank. Ka pasur dhe gabime të tjera të rënda, u larguan nga baza e nisjes e s’kanë pasur karburant. Madhështia e ushtrisë ruse që vetëm me frikën që ngjall me përmasat e saj, me këtë kurajo të Ukrainës kanë dalë shumë pikat e dobëta të saj.

Bajraktari: NATO nëse do të ndërhynte do të krijonte një Luftë të III Botërore. Sipas jush nëse ushtria ruse nuk ka armët e duhur, pse nuk ndërhyn NATO e t’i tregojë vendin kësaj ushtrie. Vendimet e marra nga populli ukrainas, për të marrë një drejtim pro NATO. Ukraina po paguan me me jetën e saj.

Zheji: NATO ka frikë kokat bërthamore që mund t’i lëshojë nga nëndetëset, aeroplanët, bazat nëntokësore, teknikat raketore të pakapshme nga anti-raketat.

Bajraktari: Edhe Rusia ka aleatë që mund t’i dëgjojnë. E keni parasysh takimin SHBA-Kinë. Nëse SHBA-të do e dinin që Kina do dilte haptas ndaj Putinit do e kishte më të lehtë. Kina ka thënë se nëse NATO ndërhyn në Rusi, ne do të ndërhyjmë për të mbrojtur Rusinë. Nëse ecim me këtë ritëm do të sheshojmë një popull të tërë. Do të duhen dhjetëra vite që kjo Ukrainë të rimëkëmbej e të shkonte aty ku ishte.