Tenistja australiane Ashleigh Barty, numri 1 në botë për femra, ka vendosur të tërhiqet nga sporti në moshën 25-vjeçare. Lajmin e dha vetë tenistja përmes një postimi në rrjetet sociale, duke u shprehur:
“Jam e lumtur dhe gati për këtë vendim. E di që në zemrën time kjo është zgjedhja e duhur”. Një lajm që ka befasuar të gjithë, teksa dy muaj më parë ajo fitonte grand slam e Australian Open.
“Është koha që unë të ndjek të tjera ëndrra. Nuk kam më forcën fizike, dëshirën emotive dhe gjithçka duhet për të sfiduar veten time në nivele të larta. Jam e mbaruar”, tha më tej Ashleigh Barty.
Ajo ka fituar 3 grand slam në karrierë (Roland Garros 2019, Wimbledon 2021, Australian Open 2022). Ajo ndodhet në krye të renditjes botërore prej 121 javësh, ndërkohë që ka fituar 25 nga 26 ndeshjet e fundit. Kjo nuk është hera e parë që Barty thotë lamtumirë, ndaj gjithçka mund të ndodhë në të ardhmen.