MENU
klinika

Nga Artan Fuga

Z. Lulzim Bashën e dorëhoqën!

23.03.2022 - 11:32

NGA ARTAN FUGA

1. Nuk ishte dorëheqje, ishte një shkarkim e paraqitur si dorëheqje. Kjo është e vërteta. Një herë ajo që thuhet dhe ajo që bën mund të përputhen. Deputetët, anëtarët e kryesisë, ia kërkuan zotit Lulzim Basha dorëheqjen duke e vendosur me shpatulla pas murit. Ishte shkarkim. Çfarë do të bënte? Deputetët nuk i bindeshin. Nënkryetarët i lanë pendët. Militantët e lagur me gaz nuk e njihnin më për kryetar. Zgjedhjet në gjashtë bashkitë e degraduan partinë edhe më keq. Ishte shkarkim. Me pamjen e dorëheqjes!

2. Ishte një dështim i plotë. Pse? Sepse Partia Demokratike, e përsëris pa fund herë prej vitesh, ka nevojë të demokratizohet! Ishte e qartë, e thënë miqësisht: Ose demokratizim, ose shkuarje drejt fikjes. Ishkryetari ikën, kurse militantët, elektorati, opozita, Shqipëria mbetën, nuk kanë ku ikin, nuk vetëshkarkohen dot, nuk dorëhiqen sepse nuk kanë se ku të tërhiqen. Kryetari që e dorëhoqën i la të gjitha në pikën më të ulët, në kaos.

3. Nuk është vetëm ai fajtori, bashkë me të janë të gjithë ata që e mbështetën në një rrugë pa krye, sikurse ishte ajo e rrëshqitjes në një greminë autoritarizmi në vend të demokratizimit të partisë. Janë përgjegjës me të dhe të dështuar deputetët, drejtuesit qendrorë dhe lokalë që i vajtën pas një projekti krejt të dështuar, disa prej tyre me fodullëk, me budallallëk dhe thjesht për interesa të vockla karrigore.

4. Zoti Lulzim Basha iku, ose e ikën, por problemet mbeten. Grupi i tij që pretendon vulën dhe logon e ish-Partisë Demokratike është në kaos. Askush nuk i del më për zot asaj që e quanin parti demokratike mbyllur me dryna brenda bunkerit të SHQUPit. 8 janari ishte një gafë që historia e Shqipërisë do ta kujtojë me turp. Drejtuesin e ikën, e dorëhoqën, por askush nga ndjekësit nuk merr iniciativën të thotë: Më zgjidhni mua përkohësisht! Shtyrja e zgjedhjes së kryetarit të tyre deri në 2023 është vazhdim i rrugës së katastrofës!

5. Rezoluta që u lexua pasi e dorëhoqën kryetarin ishte për të ardhur keq! Bashkim fjalësh pa thënë asgjë! Ata që ikën me Foltoren e bënë se nuk ishin dakord me përjashtimin e z. Sali Berisha. Rezoluta i thërret: Hajde bashkohuni duke hequr Sali Berishën! Grupi Garlamentar i ish-PD në Kuvend në prag të shpërbërjes.

6. 10 vjet të ikura kot për Shqipërinë. Pasojat do të ndihen në 100 vjet! Ishte boshllëk në momentin më të rëndësishëm të historisë të Shqipërisë në gjysmën e parë të shekullit 21.

7. Jemi kthyer në datën 8 shtator, ose në vitin 2013. Vite me politikë që na hap dhe nuk na zgjidh problemet na presin! Thuhet se nesër do të rritet edhe çmimi i një litri karburant!