Nga brigjet shqiptare të Adriatikut, nuk kalojnë vetëm emigrantë. Së fundmi, aty janë gjetur disa prova të kulinarisë më tradicionale tonës… Turshitë e konservuara në shihet plastike të cfarëdo forme, po habitin edhe italianët, me gjithë historinë e tyre të gjatë të qytetërimit…
Fqinjët tanë përtej detit, shkruajnë: Mund të gjeni pothuajse çdo gjë, në plazhet italiane: nga qeset plastike, te bishtat e cigareve e tanimë, edhe turshi. Po ç’duan shishet plastike plot me perime, në bregdetin italian? Kjo gjetje e pazakontë, që ka habitur italianët është vënë re ditët e fundit në brigjet e Pulias, ndërsa shishet, duket se vijnë pikërisht nga Shqipëria.
Faqja “Archaeoplastic” në “Facebook”, një projekt i krijuar për pastrimin e plazheve dhe katalogimin e mbetjeve plastike në një muze online, për ndërgjegjësimin mbi ndotjen e detit, publikoi të hënën këto pamje, shkruan media ambientaliste italiane greenMe.
Shishet përmbajnë ullinj, patëllxhanë dhe perime të tjera të konservuara me ujë dhe kripë.
“Përgjigja e këtyre gjetjeve lidhet me zakonin shqiptar, për perimet e prera në feta, apo edhe të plota, brenda shisheve plastike në ujë dhe kripë, për t’i ngrënë gjatë gjithë vitit.
Një shpjegim ndryshe, na vjen nga një skulptor shqiptar. Duket se këto preparate perimesh, të quajtura ‘turshi’, përgatiten në shishe plastike, për t’u shitur nga zonjat e fshatit dhe shiten në tregjet lokale, apo në cepat e rrugëve. Mallrat e pashitura ose të sekuestruara nga shitësit ambulantë, hidhen duke u shndërruar në mbeturina që, si shumë mbetje të tjera, më pas, do të përfundojnë në det”, – është shpjegimi në faqen “Archaeoplastic”, që ka publikuar fotografitë e kthyera virale në rrjet.
Kjo faqe, nuk e kursen ironinë dhe hapin e radhës: propozimin për “shkëmbimim kulturor” përmes detit, mes vendeve fqinje.
“Në këtë pikë, pas shisheve shqiptare të bymyera, shpresojmë që të lindë një grup shkëmbimi kulturor trans-Adriatik, me temë plastikën. Me siguri, gjatë stuhive të detit, do të mbërrijë shumë materiale nga Italia, si në brigjet shqiptare, ashtu edhe në ato kroate dhe greke. Do të ishte interesante, të dokumentohej situata në plazhet përkatëse. Ndërkohë, na tregoni nëse edhe ju e gjeni këtë lloj shisheje plot me perime të prera, në plazhet e Adriatikut, në dimër.
Aktualisht, prania e tyre konstatohet nga Bari deri në Leçe, anës së Adriatikut”, – shpjegohet në postim.