Peizazhi i medias ruse e ka bërë të lehtë për presidentin Vladimir Putin të përdorë një armë të rëndësishme në luftën e tij kundër Ukrainës: propagandën.
Mediat zotërohen pothuajse tërësisht nga shteti ose nga oligarkët afër Kremlinit. Gazetarët e pavarur heshtin. Dhe megjithëse vendet e BE-së janë bashkuar për të sanksionuar qeverinë ruse, disa janë në të njëjtën kohë duke u përpjekur të imitojnë kontrollin e saj mbi median.
Sipas një raporti të ri nga Unioni i Lirive Civile për Evropën , me pjesëmarrjen e 15 organizatave të shoqërisë civile (OSHC) në të gjithë BE-në, ka pasur një rënie të vazhdueshme të lirisë dhe pluralizmit të medias në BE vitin e fundit.
Në disa raste, qeveritë kanë kërcënuar lirinë e medias si pjesë e një strategjie më të gjerë për të penguar sundimin e ligjit dhe demokracinë.
BE-ja duhet të zbatojë masa mbrojtëse për të mbrojtur median në Evropë dhe të sigurojë një mjedis të lirë dhe pluralist mediatik. Akti Evropian për Lirinë e Medias (MPJ) që është aktualisht në përgatitje nga Komisioni i BE-së do të ofrojë një mundësi të mirë.
Në disa vende të BE-së, ka shqetësime për një përqendrim të lartë të pronësisë së medias dhe presion politik mbi mediat e pavarura dhe mediat e shërbimit publik.
Në Hungari në veçanti , biznesmenë të afërt me qeverisë kanë blerë media me ndikim, media e shërbimit publik është nën kontrollin e qeverisë dhe anëtarët e Këshillit Kombëtar të Medias janë besnikë ndaj partisë në pushtet.
Tendenca shqetësuese ka edhe për sa i përket financimit publik jotransparent të mediave dhe kontrollit të panevojshëm të saj përmes subvencioneve.
Në Bullgari, Hungari, Poloni dhe Slloveni, qeveritë mbështesin vetëm mediat që janë në përputhje me ideologjitë e tyre.
Presioni ekonomik, i shkaktuar nga subvencionet më të ulëta të shtetit dhe të ardhurat nga reklamat, dhe i përkeqësuar nga pandemia Covid-19, ka ndikuar edhe në media, veçanërisht në mediat më të vogla dhe format më pak të qëndrueshme komerciale të gazetarisë.
Gazetarët përballen me një mjedis gjithnjë e më të pasigurt, madje edhe në vende me të dhëna të forta demokratike, duke përfshirë sulmet verbale dhe fizike, ngacmimet ligjore dhe fushatat e shpifjeve.
Politikanët e korruptuar dhe biznesmenët e fuqishëm përdorin padi strategjike kundër pjesëmarrjes publike, të njohura si SLAPPs , për të frikësuar dhe heshtur gazetarët.
Në disa vende, ligjet që kriminalizojnë në mënyrë disproporcionale fjalën e bëjnë të vështirë për gazetarët të bëjnë punën e tyre.
Në Irlandë, ligjet për shpifjen kanë një efekt rrëqethës te gazetarët që hetojnë korrupsionin.
Në Francë, një projekt-ligj që pretendon të forcojë respektin për parimet e republikës, i miratuar në shkurt 2021, komprometon punën e gazetarëve dhe të tjerëve që përpiqen të ekspozojnë dhunën policore.
Ruajtja e lirisë dhe pluralizmit të medias është me rëndësi thelbësore për të gjithë ne.
Pa gazetari të pavarur dhe cilësore nuk ka kush t’i mbajë sytë nga qeveria, duke dobësuar përgjegjshmërinë e përfaqësuesve të zgjedhur.
Për fat të mirë, komisioni ka shumë mjete për të mbrojtur lirinë e medias në BE. MPJ ofron një mundësi të mirë për kërcënimet e përmendura më lart.
Së pari, për të përmirësuar transparencën e pronësisë së medias, MPJ duhet të sigurojë një bazë të dhënash të disponueshme publikisht mbi strukturat e pronësisë, duke detajuar të gjithë zinxhirin e kompanive mediatike, si në nivel kombëtar ashtu edhe në atë evropian.
Për të garantuar drejtësi dhe transparencë në shpërndarjen e fondeve publike, subvencionet shtetërore duhet t’i nënshtrohen rishikimit. Më tej, MPJ duhet të kërkojë që procesi për emërimin e anëtarëve të organeve kombëtare rregullatore të medias të jetë demokratik dhe transparent.
Së dyti, MPJ duhet t’u kërkojë shteteve anëtare të vendosin masa mbrojtëse për të mbrojtur gazetarët dhe punonjësit e medias.
Komisioni duhet të dalë me një propozim për një Direktivë të BE-së Anti-SLAPP që mbështet gazetarët kundër padive abuzive dhe ndëshkon palët ndërgjyqëse SLAPP.
Së treti, komisioni duhet të gjejë një ekuilibër midis mbrojtjes së të dhënave dhe të drejtave të lirisë së shprehjes, për të shmangur përdorimin e GDPR kundër gazetarëve që raportojnë për praktikat e paligjshme të qeverisë.
Komisioni duhet gjithashtu t’u bëjë presion shteteve anëtare që të sjellin ligjet që kriminalizojnë fjalën në përputhje me standardet ndërkombëtare të të drejtave të njeriut.
Liria e medias dhe pluralizmi në BE po përkeqësohen.
Në shumicën e vendeve, ne jemi ende shumë larg një peizazhi mediatik të kontrolluar nga qeveria, siç është rasti në Rusi.
Por në të tjerat jemi shumē afër. Ne nuk duhet të ulemi dhe të shikojmë pasivishtt teksa liria dhe pluralizmi i medias janë nën sulm. Përndryshe, një ditë do të zgjohemi për të kuptuar se qasja në gazetari të pavarur dhe cilësore është zhdukur.
Burimi: Eu Observer
Përktheu dhe përshtati: Konica.al