MENU
klinika

Çfarë kanë kapur kamerat?

Në 5 minuta, si ndodhën shpërthimet në Shkodër

28.03.2022 - 10:21

Dy shpërthime të forta u regjistruan në qytetin e Shkodrës në orët e para të mëngjesit të së shtunës. Nga shpërthimet fatmirësisht nuk pati persona të lënduar, por vetëm dëme materiale.

Njëri prej bizneseve ku u vendos lënda plasëse ishte në pronësi të kandidatit të Partisë Demokratike për Bashkinë e Shkodrës, Xhemal Bushati.

Në të njëjtën ndërtesë ku ndodhi shpërthimi, duke sjellë dëme të shumta materiale, banon edhe vetë Bushati me familjen e tij.

“Rreth orës 02:20, në derën e supermarketit në pronësi të shtetasit F.M. në rrugën ‘Bujar Bishanaku’ si dhe në derën e një biznesi tjetër privat, butik rrobash, në pronësi të shtetasit Xh. B. në rrugën ‘28 Nëntori’, është vendosur lëndë plasëse dhe, si pasojë e shpërthimit të tyre, janë shkaktuar vetëm dëme materiale”, tha Policia.

Dyshohet se në të dyja shpërthimet u vendos të paktën 600 gramë lëndë eksplozive e llojit C4. Dyqani që shpërtheu, megjithëse është në pronësi të Bushatit, ishte dhënë me qira prej tij.

Mësohet gjithashtu se vetë Bushati ishte prezent në banesë bashkë me familjen në momentin kur ka ndodhur shpërthimi i fortë, zhurma e të cilit ka krijuar shqetësim te banorët e zonës.

Si pasojë, dëmtime të vogla ka pësuar edhe ndërtesa e prefekturës. Dëme janë shkaktuar edhe në biznesin tjetër, ku u regjistrua shpërthimi i dytë me një distancë kohore prej 5 minutash.

KUSH E VENDOSI TRITOLIN?

Nga të dhënat e para hetimore, dyshohet se një person i veshur me rroba sportive, është afruar pranë godinës duke vendosur lëndën eksplozive. Pasi ka vendosur eksplozivin e llojit të fuqishëm C4, ai është larguar me vrap nga vendi i ngjarjes, ndërsa shpërthimi ka ndodhur pak momente më vonë.

Ndërsa e gjithë vëmendja është përqendruar te ndërtesa e Xhemal Bushatit, ende nuk dihet nëse dy shpërthimet kanë lidhje me njëri-tjetrin. Forcat e Policisë së Shkodrës kanë sekuestruar në vendin e ngjarjes pamjet e kamerave të sigurisë në një perimetër të gjerë dhe jo vetëm në pjesën e Pedonales ku ndodhi ngjarja, në përpjekje për të identifikuar autorin e ngjarjes.

Ende nuk dihet gjithashtu nëse është një autor që ka vendosur të dyja lëndët eksplozive dhe ka realizuar të dyja shpërthimet. Si ish-kandidati i Partisë Demokratike në zgjedhjet e 6 marsit, ashtu edhe pronari i marketit ushqimor ku u realizua shpërthimi i dytë, kanë deklaruar përpara grupit hetimor se nuk kanë konflikte të mëparshme.

Dy ditë pas shpërthimeve të forta, Policia nuk ka arrestuar asnjë person si të dyshuar për ngjarjen e rëndë, ndërsa thuhet se hetimet po vazhdojnë me intensitet për të zbardhur autorësinë dhe arsyet e sulmit me lëndë plasëse.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN