MENU
klinika

Nga Ylli Pata

Lufta e padukshme, por më e egër brenda PD-së

06.04.2022 - 19:06

Në këto ditë kemi parë dy zhvillime diametralisht të kundërta, por me intensitete të ndryshme brenda Partisë Demokratike.

Takime pa zhurmë dhe intensive të Lulzim Bashës në strukturat e Partisë Demokratike, dhe zhurmën e Sali Berishës, që po e trajton selinë e PD-së, si një trofe pushtimi, megjithëse duket se nuk po i shërben për asgjë.

Po çfarë po ndodh realisht. E gjithë loja po bëhet për Kuvendin Kombëtar, anëtarët e të cilëve po tentohen që të ndryshohen dhunshëm dhe me presione. Siç dihet, anëtarë të Kuvendit Kombëtar janë drejtues të disa niveleve të strukturave të PD-së në degët e saj në 61 bashkitë.

Berisha po tenton të ndryshojë raportin e forcave brenda Kuvendit, duke larguar kryetarët që janë mbështetur nga Lulzim Basha, e u kthyen si përkrahësit më të fortë të tij.

Me këtë manovër, Berisha po tregon qartësisht se “Kuvendi” i 11 dhjetorit në Air Albania nuk ka qenë i rregullt, por me njerëz të marrë nga jashtë. Nëse Berisha do t’I kishte realisht 4 mijë delegatët e Kuvendit Kombëtar për vete, ai thjesht do t’I mblidhte e bëntë gjithçka, apo thjesht do të paraqiste firmat e tyre të noterizuara në gjykatë, gjë që duket qartë se s’ka pasur asnjë dokumentacion. Ndërkaq, sot u zgjidh edhe një dilemë, në vendimin e gjykatësit Agron Zhukri, që i dha vulën Berishën. Në fund të vendimit thuhet: “Kundër vendimit mund të ankimohet sipas afateve ligjore”. i mbani mend njerëzit e Berishës si bërtisnin nëpër ekrane që “nuk ka ankimim pasi është thjesht regjistrim”. Po ku ka vendim gjykate që nuk ankimohet? Edhe pse një shashkë e dukshme, ata e mbështetësit ulërinin në panele, kur ja sot vendimi i zbardhur doli që ja kanë future kot, për të gënjyer e hedhur tym për disa ditë.

Ndërkaq, ajo që realisht i shqetëson më shumë Berishën e të tijtë janë realisht numrat reale brenda strukturave të PD-së, e ndaj po kryen një operacion të paligjshëm e antistatutor, pasi po synon të ndryshojë anëtarët e Kuvendit Kombëtar të PD-së, për të hapur zgjedhjen e tij si kryetar të partisë. Ndërkohë Komisioni i Rithemelimit thuajse nuk ekziston, i vetmi që flet pas Sali Berishës është Flamur Noka, por kryesisht për çështje logjistike.

Ndërkaq “kryetari” i Komisionit të Rithemelimit, Belind Këlliçi është zhdukur fare nga qarkullimi. i vetmi aktivitet për Foltoren në faqen e tij këto ditë është një mission në degën e Kuçovës, kur realisht fuqia e tij në territor është kryeqyteti, e kryesisht njësia 6.

Ndërkaq Lulzim Basha, edhe pse është dorëhequr nga kreu i PD-së, duket se po udhëheq në rezistencën për të ndaluar pushtimin e strukturave të degëve nga njerëzit e Berishës. E për këtë bën disa takime në ditë 7 ditë të javës, ku ai i Shkodrës-fundjavën e shkuar ishte më i zëshmi. Sipas asaj që shikohet deri tani, Basha ka arritur të mbajë fort degët e PD-së në rrethe, ndërkohë Berisha tenton të çajë strukturat e thella të seksioneve e grupseksioneve, që edhe ata sigurojnë delegatë për në Kuvendin Kombëtar.

Një luftë që po bëhet pa vëmendjen e opinionit public edhe emisioneve të darkës. Kjo pasi atje, pra në sheshin e kësaj lufte përplasja është e egër ku nuk përjashtohen shantazhe apo edhe përleshje fizike, e më keq se kaq…