MENU
klinika

"E pashë të vdesë... Shqipërinë"

Pushtimi fashist në sytë e publicistit francez, Hubert Bouchet

07.04.2022 - 11:05

        Durrësi u zgjua këtë mëngjes të së premtes së shenjtë si zakonisht. Në port ishin ankoruar dy anije të vogla të përhirta, me pamje peshkaqeni dhe që mbanin flamurin e Madhërisë së Tij Perandorit të Italisë e të Etiopisë. Të tjera anije, në det të hapët, disa milje larg po patrullonin si me pamje të pafajshme…

… Befas, një skuadrilje ajrore, grupuar si patat e egra që mërgojnë, kalon gjithë gumëzhimë në lartësi të ulët, duke shurdhuar zonën me bubullimën e mijëra kuajve fuqi në oshtimë. Të jetë vallë një sinjal? Kryqëzorë e silurues shfaqen në horizont me ndriçime të kuqërremta. Topi gjëmon. Grykat 380 mm të marinësve vjellin vdekjen nga mitralozët mbi shtëpitë e bëra në shumicën e tyre me qerpiç e dërrasa. Por edhe shtëpitë prej guri nuk është se rezistojnë më shumë përballë atij shiu të plumbtë e të çeliktë. Popullsia, që në shumicën e saj merret me peshkim, me toruan krejt të humbur pyet, në këtë të premte të shenjtë përse qielli po zëmërohet dhe po u dërgon zjarrin e skëterrës. Të jetë vallë fundi i botës? Aspak, është thjesht dëshira e Zotërisë Musolini që po vihet në jetë. Kërkon ta vërë Shqipërinë në hap, se na qenka vend mesjetar, me zakone barbare, me mbret tradhtar (Duce dixit!)

Gratë, me ferexhetë që fluturojnë nga era, rendin sa djathtas, majtas, duke kërkuar një strehim. Një strehim!… Sa qesharake. Në këtë vend me zakone patriarkale, ku njerëzit nuk kanë shumë kërkesa nga qytetërimi, pikërisht strehime nuk ka. Kasollet e vogla përgjatë bregut fluturojnë në ajër nga shpërthimet.

E megjithatë, me të kaluar të shtangurit e parë, burrat, ata shqiptarë të guximshëm, që nuk i tremben barutit, shpejt e mblodhën veten. Kanë rrëmbyer dyfekët, martinat, të vjetra ndoshta, por që vetëm duart e tyre dinë t’i përdorin. Rrëmujazi, por të vendosur, marrin për nga porti, ku disa mole, të prekur nga predhat me qitje të shkurtër, shfaqin tashmë rrënim të plotë.

Ushtarët e Madhërisë së Tij Zotërisë Viktor-Emuanuelit III zënë të zbarkojnë. Barka të mëdha mbushur dëng me ushtarë e armë moderne kërkojnë të arrijnë bregun. Disa plumba fshikullojnë sipërfaqen e ujit përreth barkave. Dhe prej tyre, veç kur shpërthen zjarr breshërie që i bën barkat të luhaten, tronditur nga mitralimi. Më në fund, një barkë i afrohet ranishtës. Dhe menjëherë, pas strehimit të një kodrine ranore, ushtarët montojnë mitralozat e rëndë dhe tak-taku vdekjeprurës nis këngën e tij të kobshme, ndërkohë që një zjarr breshërie mushqetash të bersalierëve ka për tabelë qitjeje shqiptarët, që fshihen si të mundin prapa barkave të përmbysura, apo prapa hekurave ku lidhen ballamarët.

Topat e rëndë vijojnë bombardimin dhe nën goditjen e tyre trupat mund të vazhdojnë pa u dëmtuar zbarkimin. Janë në raportin njëqind italianë me një shqiptar. Lufta është tepër e pabarabartë, për më tepër që tashmë qitësit shqiptarë janë nxjerrë jashtë lufte. Metalurgjia e fuqishme italiane në formë predhash e armësh të blinduara ngadhënjen ndaj guximit të tyre të dëshpëruar dhe ndaj dyfekëve të vjetruar. Musolini mund të thotë sa të dojë nëpërmjet agjencisë Stefani se gjaku rrodhi rrëke dhe se trupat e tij pushtuan qytetet shqiptare, pavarësisht nga një mbrojtje heroike të ushtarëve shqiptarë. Kjo i shkon për shtat aleatëve të tij.

Gjithçka mbaroi. Mbi rrënojat në tym, mund të vendoset tani flamuri italian për të festuar këtë ngadhënjim të lavdishëm armësh. Disa fëmijë qajnë mbi kufomat e nënave të tyre mbuluar në gjak të freskët, duke shikuar syshqyer ata ushtarë trimosha, me pendë gjithë ngjyra majë kape, që valëviten nga era e fitores.

101 të shtënat me topa një ditë më parë – paqësore këto për të lajmëruar ardhjen në jetë të princit trashëgimtar, Leka Zogut, – pasuan gjëmimin e topave të Duçes për të lajmëruar një “jetë të lumtur, duke e çliruar popullin shqiptar nga zgjedha e një plutokrati!”…

Sepse kishte mbetur në Evropën e mekanizuar në kulm edhe një ishull i vogël njerëzish, me zakonet e tyre të lashta, që hanin bukën e thekrës, pinin qumështin e dhive, këndonin luginave baladat e të parëve të tyre!

Dhe tani u dashka që këta të marshojnë me hapin e patës, të këndojnë “Giovinezzan”, të përshëndesin fashistçe, të njohin uniformën e përhimtë të një populli vënë në rresht regjimentesh…

Por, në fund të fundit, duhet thënë se as që u kërkua ndonjëherë të merret mendimi i tyre.

Pas tradhtisë që mbreti Zog i bëri vendit, duke e lënë nën mëshirën e gjerakëve të Musolinit, rinia revolucionare e Shqipërisë e bashkuar me Partinë Komuniste Shqiptare, filloi organizimin e rezistencës kundër pushtimit italian dhe për pesë vjet rresht, luftoi deri në çlirimin e vendit, në nëntor të vitit 1944. Shqipëria ishte vendi i parë në Evropë, i cili u çlirua nga nazifashizmi, me forcat e veta gjashtë muaj para përfundimit të Luftës së Dytë Botërore.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN



Një dhuratë e kinemasë tonë nostalgjike për të gjithë brezat

Restaurohet filmi “Kthimi i Ushtrisë së Vdekur”

Çfarë u diskutua gjatë takimit në Tiranë më 1989-ën

Refuzimi që Nexhmije Hoxha i bëri Nënë Terezës për një shtëpi bamirësie!

Në 40-të vjetorin e filmit “Proka”

Mbrëmje kinematografike me regjisorin Isa Qosja

"Kur jeni zënë për herë të fundit me gruan?"

Përgjigjet plot humor që jepte Dritëroi për Sadijen