Piktori me origjinë nga Kreta, penel i rrallë i shekullit të 16-të, Domenikos Theotokopoulos, i njohur si “Greku” (1541-1614), u bë i famshëm për modelet e zgjatura në stilin bizantin. Rrugëtimi i jetës, ashtu si dhe krijimtaria e tij, mbështillet me perde misteri, madje krijimtaria e artistit u zbulua veçse në shekullin e 19-të, pas një periudhe të gjatë lënie në harresë. Piktori mbetet një nga emrat e mëdhenj lidhur me traditën manieriste. Ashtu si edhe rryma, El Greco lëvron prirjen e shprehjes së trajtave dhe të një palete të gjallë, pothuajse të mbinatyrshme. Artistë të shumtë të shekullit të 20-të, si Pablo Pikaso, e konsideronin Grekun një nga artistët kryesorë të Rilindjes në Evropë dhe ndoshta një nga pararendësit e artit modern./Konica.al
“El Greco është një piktor shumë i veçantë” ( Théophile Gautier).
Për fëmijërinë dhe familjen e Grekut thuajse nuk dihet asgjë, ndoshta përveç faktit që është shkolluar në vendlindje, në Candia (sot Heraklion) të Kretës, që asokohe i përkiste Republikës së Venedikut. E nisi karrierën si piktor ikonash, i ushqyer nga ndikime të shumta si italiane, bizantine dhe arabe. Të dhënat fillojnë e qartësohen me qëndrimin e Grekut në Venecia, nga viti 1568 deri në 1570, ndërsa jeton në folenë e Titianit. Artisti, i mbrujtur nga ndjenja të fuqishme fetare, mëson profesionin e ri të piktorit fetar dhe ushqehet me ndikimin italian. Së bashku, ata vizitojnë disa qytete, çka i mundëson të zbulojë veprat e Korrexhios dhe Parmesanit dhe të punojë me familje të fuqishme financiare.
Në Romë njihet botërisht, mospajtimi mes Mikelanxhelos dhe Grekut. Artisti grek ishte vërtet kundërshtues ndaj vizionit të piktorit italian, sa u përket zbukurimeve të Kapelës Sistine në Vatikan, të cilat i konsideronte si gjëra të turpshme. Ai thjesht do kishte dashur t’i shkatërronte veprat e Mikelanxhelos… Në vitin 1572, ende në Romë, ai u pranua në Akademinë e Shën Lukës, por, çuditërisht, në zhanrin e miniaturave. Karriera e Grekut mori një kthesë të rëndësishme në Spanjë, pasi mbërriti në tokat e mbretit Filipi II. Ishte periudhë e begatë, artet ishin në lulëzim, kështu që Greku u transferua pranë oborrit në Madrid, duke marrë porosi prestigjioze, veçanërisht për katedralen e Toledos. Gjithsesi, artisti hasi vështirësi të pajtohej me pritshmëritë e mbretit, i cili shqetësohej të mos u dilte fjale Këshillit të Tridhjetëve, i cili solli në pah aspektet mistike të përvojës fetare. Veç kësaj, Filipi II i konsideroi të tepërta edhe çmimet e vendosura nga Greku, që nuk ngurroi të përdorte pigmente të rralla si lapis-lazuli (blu e thellë). Ngaqë jetonte në Toledo për nevojat e porosive, ai u largua nga oborri. Po ashtu, shquhet edhe në porositjen e portreteve. Në Toledo, Greku e la të lirë stilin vetjak manierist (trupa të zgjatur, ngjyra të tharbëta, neveri ndaj natyralizmit). Po nuk është i vetmi, që kultivoi një stil të atillë kaq shprehës: Berruguete në Spanjë, Tintoretto, Parmesan, Bronzino në Itali… Në zemër të traditës manieriste, e cila u shfaq pas vdekjes së Rafaelit në 1520, duke vënë në dyshim realizmin klasik dhe idealin humanist, El Greco është padyshim një nga artistët më origjinalë. Në krye të një biznesi të vogël të vërtetë, ai nuk ngurron të tregtojë riprodhime të pikturave të veta. E rrethojnë asistentët dhe i biri, por njëherazi edhe e mashtrojnë, deri në falsifikimin e firmës. Si rrjedhojë, përfundoi i rrënuar dhe vdiq në Toledo në vitin 1614, në moshën 73-vjeçare.
Shekulli i 19-të, kohë kur u rizbulua piktori, njohu gjithashtu edhe një sërë legjendash që kishin të bënin me të, veçanërisht legjenda e gjoja çmendurisë së tij. Megjithatë, shekulli i 20-të nuk e ka harruar, pasi ai influencoi te Pol Sezani, por edhe te Pablo Pikaso dhe Xhekson Pollok.
“El Expolio” ose “Krishti i zhveshur nga tunika”, 1579-1580
Piktura është pjesë e “kopjeve autentike” realizuar në atelienë e Grekut, ku ripërmirëson kompozimin e pikturës së famshme të realizuar për katedralen e Toledos (1577-1579), së cilës i detyrohet për famën në Spanjë. Krishti përfaqësohet në majë të malit Golgota. Në trup ka mantelin e romakëve, turma dyndet dhe atmosfera bëhet dramatike. Krahasimi midis kopjes dhe origjinalit bën të mundur perceptimin e evolucionit të El Grekos drejt një toni më të lirshëm dhe ngjyrave më të kthjellëta.
“Portreti i një burri”, rreth 1590
A është ky një autoportret i Grekut, siç besojnë ca historianë arti? Nuk është e pamundur. Personazhi rreth të gjashtëdhjetave vesh me një rrobë të zbukuruar me gëzof dhe një jakë me pala, tipike për veshjet e meshkujve të kohës. Greku konsiderohet piktori i parë që futi portretin psikologjik në Spanjë. Personazhet janë përgjithësisht të veshur me të zeza, shpesh të pikturuar në bust ose gjysmë trup, me gjeste dhe vështrime në zemër të kompozimit.
“Varrimi i kontit të Orgazit”, rreth 1586-1588
Tabloja u pikturua për të përkujtuar varrimin e kryetarit të bashkisë së Orgazit në fillim të shekullit të 14-të, një ngjarje që do të zhvillohej në një skenë të mrekullueshme: me shfaqjen e disa shenjtorëve. Trupi i të vdekurit të devotshëm shtrihet në qefinin nga Shën Stefani dhe Shën Agustini, të veshur kryekëput me të praruar. El Greco e ka ndarë skenën në dy regjistra, por tokësorja dhe qiellorja duket se bashkohen (përmes vështrimit dhe prekjeve me duar). Kjo vepër monumentale, me të mbaruar u pëlqye dhe u admirua nga besimtarët në kishën e Toledos.
“Pamje e Toledos”, 1599
Gjatë karrierës Greku realizoi vetëm dy peizazhe, një zhanër që praktikohej fare pak në atë epokë. Vizioni që jep artisti i qytetit është shumë personal e assesi nuk kërkon saktësi topografike (shohim sidomos hijen e katedrales, e cila nuk duhej të shfaqej në këtë ambient). Është një peizazh i ndjeshëm, më shumë se shprehës. Gjithçka duket kërcënuese dhe dramatike në këtë pikturë, ku dominojnë ngjyrat e ftohta. I vendosur mes natyrës dhe qiellit, qyteti paraqitet si një vizion hyjnor./Konica.al