Partia Demokratike po vijon procesin e riorganizimit. 4 degët e para kanë përfunduar procesin e zgjedhjes së kryesisë së degës dhe kryetarit, ndërsa deri më 20 prill pritet që të përfundojë kjo fazë në të gjithë vendin.
Në një intervistë për gazetën “Panorama”, përfaqësuesi i Komisionit të Rithemelimit, Ivi Kaso, u shpreh se pas zgjedhjeve, në strukturat e nivelit të dytë, që nga 30 prilli e në vazhdim do të vijojë faza e dytë, që do të jetë përzgjedhja e strukturave të larta drejtuese të PD-së.
Ndërkohë, për të pasur një gjithëpërfshirës të demokratëve në vendimmarrjen për kryetarët e degëve, Kaso tha se Komisioni i Rithemelimit ka vendosur që lista e votuesve të përbëhet nga demokratët që kanë qenë pjesë e listës së gjerë më 2019- ën, por e shkrirë edhe me listën e përfituar referendumi i 18 dhjetorit. Në referendum, sipas tyre, ka pasur edhe demokratë, të cilët kanë votuar me dokumentet e vjetra. Në vijim të intervistës, Kaso tha se i ftuar në Kuvendin e 30 prillit është edhe ish-kryetari i PD-së, Lulzim Basha.
Z. Kaso, cilat janë afatet për përzgjedhjen e kryetarëve të PD në degë?
Në Kuvendin e 11 dhjetorit të certifikuar nga gjykata, PD është përfshirë në një proces të thellë riorganizimi, i cili fillon nga qelizat bazë të PD-së, që është seksioni dhe ngjitet lart në mënyrë vertikale, duke prekur grupseksionet, kryesitë e degëve dhe kryetarin e degës. Proces që duhet të përmbyllet përpara Kuvendit të 30 prillit. Kuvendi i 30 prillit do të jetë zyrtarisht edhe fillimi i fazës së dytët të riorganizimit të partisë, ku do të fillojë përzgjedhja e organeve qendrore të partisë. Deri në këtë fazë, të gjitha degët janë të përfshira në procesin e riorganizimit. Ka përfunduar në një pjesë të degëve ky proces dhe brenda datës 20 prill, ashtu siç është përcaktuar në kalendarin e miratuar nga Komisioni i Rithemelimit, synohet të përmbyllet procesi i përzgjedhjes së kryetarëve të degëve të PD-së. Procesi është në një fazë të avancuar në 4 apo 5 degë të PD-së që do të përmbyllin procesin e përzgjedhjes së kryetarit të partisë. Ndërkohë, për pjesën më të madhe të degëve, afati i paracaktuar është 17 prilli, datë në të cilën do të paraqiten kandidaturat dhe, mbas konfirmimit të plotësimit të kritereve nga ana e Komisionit të Rithemelimit në raport me kushtet statutore, mes datës 18-20 do të zhvillohet procesi i përzgjedhjes së kryetarëve.
Sa është numri i anëtarësisë që do të votojnë?
Aktualisht, PD është në një proces rikonfirmimi dhe ricertifikimi të anëtarësisë për shkak edhe të një vullneti të lidershipiot të vjetër të PD-së, në procesin e fundit ku u thirr anëtarësia e saj, që ishte procesi i përzgjedhjes së kryetarit në vitin 2021, janë verifikuar probleme të mëdha me listat e anëtarësisë. Ato kanë pasur nevojë të rishihen dhe, për këtë, ne kemi vendosur që të rikthehemi te lista e mëparshme, që nuk kanë qenë të kontestuara nga askush, pra lista zyrtare e vitit 2019. Ato do të integrohen me listat e demokratëve që morën pjesë në referendumin e datës 18 dhjetor, të cilët votuan me dokumentet e vjetra të PD-së. Aktualisht është një proces i verifikimit të dyanshëm të këtyre dy listave, të cilat do të konkludojnë me një listë përfundimtare integrale. Ato do të certifikohen dhe do të përbëjnë databazën zyrtare të PD-së. Gara është e hapur dhe të gjithë demokratët, pavarësisht se kur janë anëtarësuar, janë thirrur në procesin e riorganizimit të nivelit të parë të PD-së, atë të seksioneve dhe grupseksioneve, kryesive të degëve dhe kryetarëve të degëve. Proces që më datën 30 prill, me fillimin e Kuvendit të demokratëve, do të nisë puna për organet qendrore.
A janë bashkuar kryetarët që kanë mbështetur Bashën?
Ka pasur një ofertë për bashkim që në momentin e thirrjes së Kuvendit të datës 11 dhjetor, dhe thirrja ka qenë edhe më e fortë në zbatim të vullnetit. Oferta e sinqertë për bashkim ka qenë kryefjalë e PD-së që kur Komisioni i Rithemelimit ka marrë drejtimin politik. Ka përcaktuar linjat gudë të kësaj force politike. Sigurisht, në çdo degë që ka pasur specifikat e veta, e rëndësishme është që thirrjes i janë përgjigjur pozitivisht të gjithë ata demokratë që kishin deri në një moment, nuk kanë njohur autoritetin e Kuvendit të 11 dhjetorit ose të Komisionit të Rithemelimit si organ zyrtar të dalë prej tij. Pjesa më e madhe janë përfshirë në garën për seksionet, grupseksionet, kryesitë e degëve dhe të kryetarit të degës, pavarësisht se ende s’ka filluar. Një pjesë e tyre jo vetëm kanë marrë pjesë, por edhe janë përzgjedhur për të drejtuar.
A është thirrur Basha në Kuvendin e 30 prillit?
Thirrja është e hapur për të gjithë demokratët. Nuk ka një Kuvend të 30 prillit të Komisionit të Rithemelimit apo të mbështetësve të Komisionit të Rithemelimit. I tillë ishte edhe Kuvendi i 11 dhjetorit, i hapur për demokratët. Kështu do të jetë edhe Kuvendi i madh i 30 dhjetorit. Askush nuk përjashtohet, gjithkush do të vlerësohet përmes mekanizmit të vetëm legjitim që mund të bashkojë demokratët: vota e lirë e demokratëve!