I kthyer tashmë në një traditë mjaft pozitive, në 7-8 prill 2002 u zhvillua Panairi “Work & Study”, i organizuar nga, Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë Tiranë, Bashkia e Tiranës si dhe Ministria e Arsimit dhe Sporteve. Në këtë panair morën pjesë një numër i madh kompanish, universitetesh publike e private. Një nga arritjet e tij ishte “ballafaqimi” ndërmjet “cilësisë dhe standarteve të ofertës universitare”, “cilësitë profesionale të kapitalit njerëzor, dmth, të studentëve të diplomuar” me “standartet dhe kërkesat specifike të tregut të punës”. Kompanitë dhe bizneset prezente në këtë panair ofronin një numër të konsiderueshëm vendesh pune “të lira”, por punësimi në to nuk është dhe nuk mund të jetë “automatik” në sensin që “i ofrohet të interesuarit më të parë”. Ajo që u konstatua në këtë panair, që përbën një tendencë të përgjithshme, është fakti se në mjaft raste, CV e kandidatëve për punësim, apo cilësia e diplomës së tyre universitare nuk përputhej sa duhet me dijet, grupet e njohurive, përvojën dhe kompetencat që kërkoheshin.
Ballafaqimi ndërmjet universiteteve, studentëve të diplomuar në to, dhe kërkesave të bizneseve apo kompanive të shumta prezente po evidenton një fakt në dukje “tronditës”. Ndërkohë, të diplomuarit që kërkonin punë ofronin si “kalë beteje” diplomën dhe “emrin e mirë” të universitetit, bizneset/kompanitë kërkonin informacion të gjerë e të thelluar mbi “kompetencat që ata zotëronin, detaje mbi grupet e njohurive të specializuara, aftësitë kritike e kreative të kandidatëve për punësim, metodat dhe metodologjitë e kërkimit që ata zotërojnë, etj.
Ky fakt evidenton dy elemente : evolucionin e shpejtë të një pjese të madhe të bizneseve e kompanive shqiptare drejt teknologjive të reja moderne në prodhim, menaxhim e drejtim, drejt thellimit të procesit të dixhitalizimit kompleks, drejt revolucionit 4.0, inteligjencës artificiale, startup-ve, në vendosjen e strategjive dixhitale në zemër të strategjive të tyre të zhvillimit, etj.; dhe, sfidat e reja të universiteteve dhe kolegjeve profesionale për të mos u mjaftuar vetëm me “emrin e mirë” apo akreditimet institucionale dhe ato të programeve të veçanta, por, për të bërë një “qilizëm” të thellë në programet mësimore, sillabuset, tekstet dhe literaturën e specializuar, praktikat mësimore, cilësinë e mësimdhënies dhe pedagogëve të tyre, etj.
Shifrat janë impresionuese: 85% e profesioneve dhe vendeve të punës të vitit 2030 – pra vetëm 8 vite larg – nuk ekzistojnë akoma dhe do krijohen në këtë dekadë. Pritet një ndryshim drastik i tregut të punës, kompetencave dhe profesioneve, tashmë në një evolucion të shpejtë. Përballë kësaj tendence, shkollat dhe universitetet duhet të organizohen e ndryshojnë për të ofruar formim profesional e shkencor në përputhje me kërkesat e reja të tregut të punës.
Roli i universiteteve në zhvillimin ekonomiko-social
Në këto dy dekada të para të shek.XXI-të, debatet për të ardhmen e universiteteve dhe kërkimit shkencor po fokusohen rreth impaktit të tyre direkt e indirekt në katër forcat e mëdha të ndryshimit të botës moderne : stimulimin e teknologjive të reja, përballimin dhe përfitimin nga efektet e globalizimit – përfshirë këtu dhe frenimet apo drejtimet e reja që po merr globalizimi i ndikuar fort nga pandemia e covid-19 të shprehur në forma të tilla si “deglobalizimi”,”glokalizimi”, “sloëbalizimi”, konfliktet gjeopolitike, ndryshimet klimaterike, tranzicioni energjitik, zhvillimi i qëndrueshëm, etj.,- formimin e kapitalit social cilësor dhe mirëqeverisjen në gjithë shkallët e saj. Cilësia e universiteteve dhe e kërkimit shkencor në raport me zhvillimin ekonomik e social të një vendi konsiderohen të barabarta me efektet dhe produktivitetin që japin teknologjitë moderne, inovacionet dhe format e avancuara të drejtimit e menaxhimit.
Vendet e zhvilluara, vende me ekonomi emergjente, si një nga indikatorët bazë të suksesit ekonomik e social kanë performancën e sistemit të tyre universitar, rolin dhe cilësinë e kapitalit human që prodhojnë, udhëhiqen nga filozofia se “universitetet duhet të prodhojnë mendje cilësore dhe jo thjesht koka të mbushura me informacion”, duke i dhënë përparësi kreativitetit individual e kolektiv në shërbim të zhvillimit. Edukimi konsiderohet si një instrument që promovon zhvillimin ekonomik të çdo vendi, si një faktor i rëndësishëm që nxit produktivitetin ekonomik.
Progresi teknologjik ka qenë për të gjitha vendet motori i industrializimit dhe zhvillimit të tyre. Që në kohën e revolucioneve industriale të shek. XVIII – XIX-të dhe deri te “revolucioni 4.0” i kohës sotme – mekanizimi, elektrifikimi dhe prodhimi masiv, elektronika dhe automatizimi, ciber-sistemet Smart Industry – është dëshmuar se zhvillimi i çdo vendi është vepër e njohurive shkencore më shumë sesa thjesht i bollëkut të burimeve natyrore.
Por, eksperienca ndërkombëtare dëshmon se jo çdo investim në sektorin e arsimit dhe edukimit përkthehet automatikisht në zhvillim ekonomik. Mjaft vende, përfshirë këtu dhe Shqipërinë, megjithëse kanë investuar në sistemin e tyre arsimor, vazhdojnë të mbeten vende të varfra dhe pa progres në procesin e industrializimit, ekonomisë së dijes, teknologjive moderne dhe produktivitetit. Shembuj të shumtë dëshmojnë qartë se një zgjerim thjesht sasior dhe mbështetje formale e sektorit të edukimit nuk ndikon automatikisht në zhvillim ekonomik.
Një vend mund të nxjerrë persona të kualifikuar, por në qoftë se nuk arrin të krijojë infrastrukturat teknologjike e menaxheriale, institucionet, kuadrin ligjor rregullator, sistemin e motivimit dhe konceptin e karrierës profesionale, atëherë ky vend nuk arrin të krijojë sinergjinë e nevojshme që kjo kategori njerëzish të shkolluar e edukuar të verë në jetë njohuritë e përfituara dhe të ndikojë cilësisht në zhvillimin ekonomik. Kjo është e vlefshme edhe për shumë të rinj e të reja shqiptare të formuar e diplomuar në universitete prestigjoze perëndimore që hasin vështirësi të shumta për tu punësuar e kontribuar në Shqipëri.
Për të stimuluar evolucionin e shpejtë teknologjik dhe format moderne të administrimit, SHBA tërheqin intensivisht nëpërmjet një sistemi specifik të universiteteve të tyre shkencëtarë e intelektualë të shquar nga e gjithë bota. BE kërkon nga institucionet e saj që edukimi dhe formimi profesional të konsiderohen si investime strategjike jetësore për të siguruar të ardhmen efikase të biznesit europian, se universitetet dhe formimi profesional nuk duhet të shihen nga qeveritë dhe vendimmarrësit vetëm si çështje e brendshme e tyre, se industria dhe biznesi duhet të kenë një influencë sa më të madhe në hartimin dhe zhvillimin e programeve akademike, etj.
Tashmë është fakt se qeverisja e universiteteve dominohet nga « prodhuesit », pra nga profesorët dhe administratorët, ndërkohë që duhej të orientohej nga « përdoruesit » e produkteve universitare, nga bota e biznesit, bankat, institucionet publike, etj. Në senatet apo bordet e administrimit të tyre, përfaqësimi i bizneseve, bankave, industrisë, tregtisë, institucioneve publike, OJQ-ve etj, është akoma i mangët. Por, janë pikërisht këta konsumatorët kryesorë të produkteve të universiteteve, dhe duhet të jenë ata që duhet ta formatojnë studentin dhe specialistin e ardhshëm.
Cilësia e universiteteve evidentohet pikërisht duke përdorur këtë tregues, duke i listuar universitetet sipas performancës që paraqesin të diplomuarit e tyre në tregun e punës, ndërkohë që nuk kemi evidenca të plota apo database me punësimin dhe ecurinë në karrierë të të diplomuarve. Universitetet duhet të kalojnë nga një logjikë bazuar në ofertën që ato japin, në një logjikë të re, e cila integron gjerësisht kërkesën e shoqërisë dhe biznesit për produktet universitare.
A mund të jepet një përkufizim për misionin e universiteteve?
A mund të portretizohet “universiteti ideal”? A mund të thuhet se cila është mënyra më e mirë e organizimit të universiteteve apo modeli më i mirë i tyre? Këto janë pyetje e pikëpyetje të vështira, përgjigjet për të cilat kanë lidhje të ngushtë me zhvillimet historike të evolucionit të universiteteve në Shtete e shoqëri të ndryshme, me kontekstin në të cilin përcaktohet misioni universiteteve, ashtu dhe me “luftën” apo përballjen aktuale ndërmjet modeleve kryesore universitare. Nga një këndvështrim i gjerë historik e gjeografik, universitetet i gjejmë të përcaktuar apo aplikuar në katër mënyra të ndryshme:
“Universitetet e arteve liberale”, që ofrojnë kryesisht studime në ciklin e parë bachelor në sferën e arteve liberale dhe shkencave, që si synim kryesor kanë “dhënien e njohurive të përgjithshme kulturore, sociale e akademike në shkencat e natyrës dhe ato humane, njohjen e kulturës dhe dijeve të trashëgimisë humane, si dhe zhvillimin e kapaciteteve logjike e intelektuale te studentët, më shumë se sa formimi profesional apo teknik i tyre. Tipari karakteristik i tyre është “madhësia e vogël”, cilësia e lartë e profesorëve dhe bibliotekave e qendrave të informacionit, komunikimi direkt dhe i personalizuar i pedagogëve me studentët, funksionimi i tyre në kampuse të veçanta.
“Universitetet shkencore”, që falë shkencës dhe metodologjisë pozitiviste kanë si mision kryesor “gjetjen e të vërtetës dhe kërkimin shkencor fondamental” si dhe “kërkimin e aplikuar”. Këto lloj universitetesh janë më të zhvilluara në ciklin e dytë Master dhe ciklin e tretë Doktoratura apo post doktoratura. Nëpërmjet kërkimit fondamental universitar synohet shpjegimi i ligjeve dhe ligjësive themelore në shkenca të ndryshme, ndërsa nëpërmjet kërkimit të aplikuar veprimet dhe projektet konkrete në sferat e këtyre shkencave.
“Universitetet e shërbimit publik”, të lidhura me zhvillimet dhe shqetësimet sociale, ekonomike e politike të vendit, që formojnë ekspertë e menaxherë për nevojat e Shtetit, administratës, qeverisjes qendrore e lokale, pra, universitete në shërbim të shoqërisë dhe Shtetit. Këto lloj universitetesh nuk janë me natyrë të pastër akademike e shkencore, por e shohin veten në shërbim të nevojave të zhvillimit ekonomiko-social të shoqërisë. Përgjithësisht këto lloj universitetesh funksionojnë si entitete publike të financuara nga Shteti.
“Universitetet e biznesit” që janë tërësisht në funksion të nevojave të sipërmarrjes, nevojave të zhvillimeve ekonomike e financiare, cilësisë së ekspertëve dhe burimeve njerëzore, ose akoma më shumë, janë organizma universitare të krijuara nga shoqatat e bizneseve, korporatat, dhomat e industrisë dhe tregtisë, rrjetet kombëtare e ndërkombëtare të zhvillimit, transferimit dhe marketingut të inovacioneve, institutet e kërkim-zhvillimit, etj. Janë kryesisht universitete private, në ekspansion të vazhdueshëm.
Këto forma të organizimit të universiteteve mund të përmblidhen në dy kategori : “modele akademike” ku futen universitetet liberale dhe ato shkencore, dhe “modele utilitare” ku futen universitetet e shërbimit publik dhe universitetet e biznesit.
Ndërkohë, në horizont ka filluar kristalizimi i një koncepti të ri universitetesh, që përmblidhen me termin “universitetet e të ardhmes 2050”, të cilat shihen si instrumenti kryesor i kuptimit të qartë dhe reflektimeve që kanë të bëjnë me big data, revolucionin dixhital, revolucionin 4.0, tashmë dhe fillimin e revolucionit 5.0, inteligjencën artificiale, të cilat kanë efekte e pasoja të jashtëzakonshme për ekonominë, punësimin, shëndetin, mjedisin, bujqësinë, ushqimin, sigurinë dhe gjithë shoqërinë e sotme dhe të ardhme. Në një botë në ndryshime e zhvillime marramendëse dixhitale, robotike, inteligjence artificiale, nanoteknologjive, bioteknologjive, shkencave konjitive, infoteknologjive, në plan të parë po del problemi i formimit të “kapaciteteve, aftësive, dhe dijeve tona” në përgjigje të këtyre zhvillimeve “me shpejtësi kozmike”.
Synimi i universiteteve të së ardhmes, është “ti japin gjeneratave të reja, një vizion panoramik të botës së ardhme dixhitale, të bëhen auditorët dhe laboratorët e gjetjeve dhe debateve të këtyre zhvillimeve, të ndihmojnë në një perceptim më të qartë e real të së ardhmes, të krijojnë aftësitë e domosdoshme kreative e adoptuese, pedagogjike e profesionale, të evidentojnë oportunitetet e zhvillimit të ardhshëm, krijimin e vlerave të reja dhe punësimit. Në gjithë historinë njerëzore nuk ka ndodhur asnjëherë që njerëzimi të përballet me sfida kaq të mëdha, të cilat me një shpejtësi kozmike po e ndryshojnë “botën e vjetër” drejt një bote të re plot shkëlqim e rreziqe njëkohësisht. Zhvillimet e inteligjencës artificiale të shoqëruara me robotikën dhe gjenetikën po e transformojnë thellësisht njeriun dhe shoqërinë.
“Presioni” i tregut të punës ndaj universiteteve
Jo pa qëllim apo formalisht, universiteteve ju kërkohet vazhdimisht të bëjnë analizën e tregut të punës, ecurinë e profesioneve të ndryshme, shpejtësinë dhe qëndrueshmërinë e të diplomuarve të tyre në tregun e punës, tendencat e reja në këto tregje, etj., në mënyrë që diplomat, programet, degët apo lëndët që ato zhvillojnë në curriculumet e tyre, të përputhen sa më mirë me këto tendenca, ti paraprijnë këtyre zhvillimeve. Ky mbetet një nga treguesit kryesorë të vlerësimit të cilësisë dhe standardeve të universiteteve.
Në 2-3 dekadat e fundit, në marrëdhëniet e universiteteve me tregjet e punës, dmth, të “produktit” universitar me “blerësit dhe përdoruesit” kryesorë të tij që janë bizneset, shërbimet e ndryshme publike e private, korporatat, institucionet publike e jo-publike, qeverisja qendrore e ajo lokale, etj., janë vënë re disa trende madhore, sidomos ato që kanë të bëjnë me zhvillimet e “revolucionit 4.0”, inteligjencës artificiale, robotikës, analizës së big-data, shtrirjes së jashtëzakonshme të digjitalizimit dhe telework-ut, etj., të shoqëruara dhe me kërkesat e reja specifike të kushtëzuara nga efektet e pandemisë së Covid-19 dhe “sfidave të reja të të ardhmes”
Deri në vitet 1960-90-të, një pjesë e rëndësishme e të punësuarve që zotëronin një diplomë universitare të niveleve të ndryshme, vlerësohej kryesisht nga “cilësia e të diplomuarit”, dmth, nga shkalla e vlerësimit të tij, si dhe nga “emri dhe prestigji i universitetit”. Në grupin e kritereve të punësimit, këto dy elemente kishin peshë të rëndësishme mbi të cilat bazohej vendimmarrja e punësuesve, apo “blerësve” të individëve, të cilët aplikonin për t’u punësuar. Koncepti “profesion” apo “vend pune i konsoliduar” ishte dominues, në kuptimin që studentët kur zgjidhnin degën apo fakultetin që do ndiqnin, kishin në mendjen dhe preferencat e tyre “profesionet” apo “drejtimet profesionale” që synonin dhe aspironin të realizonin, duke filluar që nga studimet universitare.
Edhe struktura e programeve dhe përmbajtja e currikulumeve universitare u përshtat me një tendencë dhe kërkesë të tillë të tregjeve të punës. Universitetet ishin shumë pak fleksibël, studimet universitare zgjasnin 4-5 vite sipas drejtimit të diplomës së zgjedhur dhe të ofruar dhe mundësitë për një “profesion të ri” ishin të vogla e të gjata, sepse kërkonin një periudhë tjetër 4-5 vjeçare, ose kurse specifike profesionale, që nuk kishin vlerën dhe eficencën e universiteteve.
Ndërkohë, në vitet 1990-2010-të, filloi të shfaqej një “fenomen i ri” që reflektonte një situatë të re në tregjet e punës dhe zhvillimet ekonomiko-sociale, sidomos në vendet e zhvilluara të botës. Ndërsa në vitet 1960-1990, mbi 80-90% e të diplomuarve, “arrinin të punësoheshin” në këto profesione “klasike” dhe të konsoliduara, dhe vetëm një pjesë e vogël e tyre ndesheshin e punësoheshin me profesione të reja të “lindura” së fundmi, apo në profesione që ata vetë i “krijonin dhe zhvillonin”, sidomos mbas viteve 2000, kjo tendencë filloi të përmbysej me shpejtësi.
Numri i të diplomuarve që gjente punë dhe punësohej në një profesion të konsoliduar apo “historik”, ra nën 60%, ndërkohë që 30-40% e të diplomuarve të rinj, ose filluan të ndeshen me profesione të reja që po zhvilloheshin me shpejtësi, ose ishin ata vetë që krijonin shërbime e profesione të reja në përputhje me zhvillimet e tregjeve të punës. Kjo situatë i dha një mesazh të rëndësishëm universiteteve për reagimin që duhej të bënin për modernizimin dhe përshtatjen e shpejtë të programeve, degëve e profileve që ato ofronin.
Vetëm ato universitete që ju përgjigjën “flakë për flakë” kësaj tendence të re, duke ndryshuar organizimin dhe konceptimin e currikulumeve, metodave të mësimdhënies, informacioneve, njohurive e dijeve që ju ofronin studentëve, kabinetet e laboratorët modernë, lidhjet e ngushta me aktorët kryesorë të tregut të punës dhe kërkesave të tyre, studimin e perspektivave të zhvillimit të sektorëve të rëndësishëm të shkencës, ekonomisë e shoqërisë, zhvillimit të cilësive të kreativitetit, etj.; arritën t’i përgjigjen situatës së re, duke i bërë më “fleksibël”, më “kreativ”, më “kompleks”, më “kritik” dhe më “funksional” ndaj ecurisë së tregjeve të punës, të diplomuarit e tyre.
Është e sigurt se kjo “është tendenca e re me të cilën do përballemi”. Disa vite më parë, një adresë e rëndësishme Web, që publikonte oferta punësimi, konstatoi faktin se “për partnerët e saj, në kërkesat e tyre për cilësitë e kandidatëve për t’u punësuar, nuk bënin më pjesë diplomat universitare, të paktën në informacionet më të rëndësishme dhe decizive për të fituar postet vakante të punës. Kjo tendencë të ndihmon të kuptosh përse gjigandët e teknologjisë “Big five” (Google, Amazon, Apple, Facebook, Microsoft) ndërtuar “Universitetet e tyre” dhe krijimin e çertifikatave profesionale specifike : specialist në sigurinë kibernetike, ekspert në mbrojtjen e të dhënave, inxhinier në inteligjencën artificiale, zhvillues të dhënash dhe ekspert në Big Data, këshilltar dhe analist inovacioni, ekspert eficence dhe aplikimi start up-esh, menaxher tranzicioni dixhital, analist dhe këshilltar risku e paqartësie, ekspert dialogimi, asistent virtual, ekspert videografie, multichannel communication consultant, menaxher rendimenti apo optimizues aktiviteti, inxhinier i autonomisë financiare, ekspert tregjesh dhe monedhash virtuale, Zoom support specialists, etj., Në pamje të parë duken si profesione apo vende pune të specializuara, por në fakt janë një pjesë e profesioneve të së ardhmes.
Tregu i punës ka evoluar dhe ndryshuar më shpejt dhe në drejtime më specifike në raport me shpejtësinë e reagimit të universiteteve dhe “produkteve” të tyre. Janë universitetet ato që duhet të reagojnë me shpejtësi dhe inteligjencë për ti paraprirë kërkesave “speciale” të tregjeve të punës, për ta kuptuar thelbin, përmbajtjen dhe evolucionin e këtij tregu, duke ju përgjigjur me një ofertë universitare të modernizuar e specifike, me diploma, programe, degë e profile specifike, lëndë apo grup lëndësh “shumë të specializuara e cilësisht të avancuara”.