MENU
klinika

Artur Ajazi

Opozita e shpallur “non-grata”, që kërkon të vijë në pushtet

12.04.2022 - 14:24

Gjithë opozita (në rast se biem dakort se opozita është Partia Demokratike) duket sikur ka hyrë në labirinthin pa kthim, të shpalljes “non-grata” të saj. Ajo parti ka marrë tashmë hijen e ish-liderit historik. Në oborrin, zyrat, korridoret dhe sallat e saj, flitet për Berishën, “bëmat” dhe fushatën e tij, luftën e tij ndaj amerikanëve, dhe mburren se “kemi një burrë që nuk trembet ndaj tyre”. Janë të vegjël dhe të paditur, tek i dëgjon të thonë në mexhilis, se “Berisha është kryetari, babai politik, Berisha është i vetmi që do ta rrëzojë këtë qeveri, me Berishën nuk matet asnjë, as SHBA”.

Kjo miopi politike, është më e theksuar edhe tek “rinia e partisë”, tek ajo që dikur mbante shpresën Berisha, dhe që sot e ka kthyer në levë qorre e tij. Por ish-lideri, sot i rikthyer në “lider aktual”, nuk ndalet. Ai e ka vendosur të “djegë” partinë për të shpëtuar “nderin dhe dinjitetin e tij politik”. De facto , Partia Demokratike është një parti “non-grata”. Dhe pavarsisht deklaratave që vijnë nga SHBA dhe Ambasada e saj në Tiranë, Berisha vazhdon rrugëtimin e tij. Po heq të gjithë kryetarët e degëve, po bën “zgjedhjet e reja” dhe vendos besnikët e tij në rrethe, po zbaton planin e largimit “me lezet” të atyre që mbështesnin Bashën, do të largojë padyshim Alibeajn, dhe deri në Shtator (një muaj me ogur ky) ai do të jetë shefi i ri i partisë, por jo opozitës.

Një tjetër synim që ka Berisha sot, (e habitshme kur e mendon) është edhe rikthimi në pushtet…a thua se erdhi dje nga jeta publike, nuk e njohin, dhe pasi bëhet kryetar partie, kërkon të bëhet edhe kryeministër. Partia Demokratike po kthehet në shoqatë, nga ku bëhet humor me “ushtarët” e partisë, u tregohen atyre barcaleta dhe rrëfime me “pushtet dhe kryeministër”, ku padyshim personazhi kryesor mbetet ish-lideri Sali Berisha.Ata nuk munden kurrë ta mendojnë se, një ditë të bukur partia do të mbetet jashtë çdo axhende për ndërkombëtarët, pasi u ka mbushur rradaken Berisha se “rikthimin në politikë ashtu si unë, e bën çdo lider në botë”.

Tragjikomike kur e dëgjon, se si u flet atyre që e besojnë akoma edhe se “kongresi i Ramës ishte frika e tij ndaj rikthimit tim”. Pothuajse i ka bërë, ata që e rrethojnë si robotikë, dhe sipas gjasave, nuk kanë ndërmënd ti thonë “as largohu dhe as mos kandido”. Një opozitë e rikthyer në duart e ish-liderit, që është shpallur “non-grata” nga partneri ynë stradegjik SHBA, natyrisht nuk mund të shpresojë që pa mbështetjen e tyre, të fitojë pushtetin. Shqiptarët e dinë, e njohin, dhe e mbajnë mënd fare mirë, Berishën president, Berishën kryeministër, e dinë dhe e mbajnë mënd mirë edhe Berishën në opozitë, kur digjeshin dhe shkatërroheshin qytetet dhe institucionet e shtetit,ndaj çdo përpjekje e tij për “rikthim në pushtet”, mbetet imagjinatë e shfrenuar dhe tallëse, që ai servir tek ata që e mbështesin akoma.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN