MENU
klinika

Çfarë parashikon agjencia?

Moody’s rikonfirmon vlerësimin për ekonominë shqiptare

15.04.2022 - 13:05

Ekonomia shqiptare vijon të jetë me perspektivë të qëndrueshme. Ka qenë agjencia ndërkombëtare e vlerësimit të kredibilitetit “Moddy’s”, e cila ka rikonfirmuar vlerësimin e ekonomisë shqiptare në “B1 – me perspektivë të qëndrueshme”.

Sipas Ministrisë së Financave në raportin e e publikuar më 13 prill, Moddy’s vlerëson se rimëkëmbja ekonomike pas pandemisë ishte e fortë, me bazë të gjerë pasi gjatë goditjeve të tërmetit dhe pandemisë u ruajt stabiliteti makroekonomik.

“Kontraktimi i PBB në 2020 (gjatë pandemisë) ishte më i zbutur dhe rimarrja gjatë 2021 ishte më e fortë se sa pritshmëritë fillestare të agjencisë. Produkti i Brendshëm Bruto (PBB) u rrit me 8.5% në 2021, duke tejkaluar tashmë nivelin e PBB para tërmetit dhe pandemisë. Ndërsa rritja e fortë e PBB parashikohej të vazhdonte në 2022 dhe 2023 duke u mbështetur nga një rimëkëmbje e mëtejshme në sektorin e turizmit dhe kërkesa e brendshme e qëndrueshme, agjensia ka rishikuar në ulje parashikimin e saj të rritjes së PBB në përkatësisht 3.4% dhe 3.6%, (nga 4.5% dhe 4.0% që e kishte më parë), për shkak të ndikimit ekonomik negativ, kryesisht indirekt, të konfliktit ushtarak Rusi-Ukrainë dhe sanksionet ndërkombëtare të vendosura ndaj Rusisë. Cmimet/kostot më të larta të energjisë dhe inputeve të tjera bazë krijojnë presione të qenësishme inflacioniste që reflektohen në një kërkesë të brendshme më të dobët, si dhe reduktojnë rritjen ekonomike të vendeve të origjinës së turizmit në Shqipëri”, thuhet në raport, sipas asaj që publikon Ministria e Financave.

Ndërkohë agjencia vlerëson se borxhi publik, pasi u rrit në nivelin 74.5 % të PBB në vitin 2020 për shkak të goditjeve të pandemisë dhe tërmetit, filloi të bjerë sërish në vitin 2021 në nivelin 73.2%. Agjencia parashikon se kjo trajektore rënëse e borxhit publik do vijojë edhe me tej dhe parashikon një nivel prej 72.6% dhe 72.3% respektivisht për vitet 2022 dhe 2023.

Gjithashtu, agjencia vlerëson se, pavarësisht nga rritja e borxhit (gjatë pandemisë), parametrat e përballueshmërisë së borxhit [shërbimit të borxhit] për vitet 2022 dhe 2023 do vijojnë të jenë në nivelet e para-pandemisë (me shpenzime për interesat e borxhit publik sa 7.6% e të ardhurave buxhetore) dhe më poshtë se sa mesatarja e dekadës së fundit (prej 9.7%).

Agjensia parashikon që inflacioni i çmimeve të konsumit të mbetet mbi 5% në pjesën e mbetur të vitit 2022 dhe më pas të zbutet në 3.5% në fund të vitit 2023. Për vitin e plotë 2022 dhe 2023, agjensia parashikon që inflacioni i çmimeve të konsumit të jetë përkatësisht 5.3% dhe 3.8%, pas nivelit prej 2.1% të regjistruar në 2021.

Perspektiva “e qëndrueshme” e Shqipërisë sipas vlerësimit të agjencisë, përveç se reflekton rekuperimin e fortë ekonomik pas pandemisë dhe rikthimin në trajektoren rënëse të borxhit publik, mbështetet gjithashtu edhe nga pritshmëritë e agjencisë për një risk të kufizuar të aftësisë likuide si të sistemit bankar ashtu edhe të qeverisë, nga pritshmëria e vazhdimësisë së politikave, veçanërisht në kontekstin e reformave në kuadër të procesit të integrimit drejt Bashkimit Evropian (BE), si dhe pritshmëria për një nivel të moderuar të imbalancave të jashtme.

Ndërkohë, “Moddy’s” thotë në raport se perspektiva ekonomike për 2022-2023 mbetet e rrethuar nga një paqartësi e lartë për shkak të konfliktit të vazhdueshëm ushtarak Rusi-Ukrainë dhe rrezikut të një përshkallëzimi të mëtejshëm dhe/ose zgjerimit të konfliktit. Megjithatë agjencia vlerëson se ekspozimi i Shqipërisë ndaj Rusisë prej ndërvarësisë energjetike apo tregtisë është i ulët.

Ministrja e Ekonomisë, Delina Ibrahimaj, duke cituar raportin, vlerëson se perspektiva ekonomike për 2022-2023 mbetet e rrethuar nga paqartësia e lartë për shkak të konfliktit të vazhdueshëm

“Moody’s, agjencia prestigjoze ndërkombëtare e vlerësimit rikonfirmon “B1” dhe me perspektivë “të qëndrueshme” ekonominë shqiptare. Produkti i Brendshëm Bruto u rrit me 8.5% në 2021, duke tejkaluar nivelin para tërmetit dhe pandemisë. Turizmi dhe kërkesa e brendshme e qendrueshme mbështetën rritjen. Pozitivisht vlerësohet rikthimi në trajektoren rënëse e borxhit publik edhe ruajtja stabilitetit makroekonomik. Agjencia vlerëson se ekspozimi i Shqipërisë ndaj konfliktit Rusi-Ukrainë, si nga ana e sektorit energjetik apo e tregtisë është i ulët. Ajo thekson se prespektiva ekonomike për 2022-2023 mbetet e rrethuar nga paqartësia e lartë për shkak të konfliktit të vazhdueshëm”, shkruan ajo në Facebook.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


“Shqipëria ka bërë progres”

Moody’s konfirmon vlerësimin në ‘B1’