Një autor shqiptar dhe një dramë shqiptare. Një realitet therës dhe një vend në tranzicion.
“Pak pakt” është një vepër e re bashkëkohore, një komedi e zezë, me tematikën ku publiku shqiptar gjen veten. Vepra e autorit dhe regjisorit Ledian Gjeçi u shfaq për publikun, në skenën e Teatrit Kombëtar Eksperimental “Kujtim Spahivogli”, tek “ArTurbina”. Regjisori Gjeçi thotë se, kjo vepër do të vijojë dhe net të tjera në skenë.
“Kemi në plan që ta sjellim dhe të dielën në teatër. Deri tani janë bërë 11 shfaqje dhe të fundit janë risjellje për suksesin”, – tregon regjisori. Një vepër shqiptare në skenën tonë teatrore, që përcjell mesazhe për publikun. Trajtohet drama e ikjes së rinisë, e braktisjes së vendit për një jetë më të mirë, kjo një problematikë e thekshme e shoqërisë tonë.
Autor dhe regjisor Ledian Gjeçi, thotë se “Pak pakt” ndërgjegjëson publikun, për gjendjen ku jetojmë.
“Shfaqja trajton problemin e ikjes së rinisë nga vendi, një hemorragji e tmerrshme kombëtare. Të rinjtë ikin, sepse këtu situata është krejtësisht e pafavorshme për të ndërtuar një jetë normale dhe me ekonomi të qëndrueshme. Vepra sjell përballë publikut, gjendjen ku jetojmë dhe nxit ndjenjën e revoltës ndaj korrupsionit dhe padrejtësive”, – shprehet ai.
Në role shohim aktorë të njohur, por dhe emra të rinj, të cilët, së bashku u mirëpritën mbrëmjen e të mërkurës, për artdashësit. Një vepër që është publiku e do dhe sipas regjisorit, “shkak” bëhet edhe tema, sa dhe loja aktoriale. “Në suksesin e veprës, ndikim ka tematika, ku publiku shqiptar gjen veten dhe loja e aktorëve është e mrekullueshme”, – vëren Gjeçi.
Aktorët dhe subjekti
Regjisori ua ka besuar rolet aktorëve të njohur, por dhe emrave të rinj.
Në role: Ermir Hoxhaj, Xhuliano Brisku, Mehmet Xhelili, Ledjon Zoi, Erjon Hinaj, Gëzim Rudi, Alba Shtëmbari dhe Margent Çaushi. Vepra bën fjalë për dy djem shqiptarë të shkolluar mirë, por thellësisht të varfër e të mbytur në borxhe, të cilët, i kap policia në fragrancë duke tentuar të ikin jashtë shtetit në mënyrë ilegale. Shpresa e tyre e vetme për një jetë më të mirë, shkatërrohet totalisht. Por, vjen dikush dhe iu ofron djemve një pakt me të cilin ata mund të dalin nga burgu dhe mund të përfitojnë dokumente në çdo shtet europian, vetëm nëse deklarojnë publikisht sikur janë homoseksualë…
Sikur bëhet me dije nga institucioni, gjatë realizimit është treguar me kujdes, në mënyrë që të mos cënohet asnjë grupim racor, gjinor, apo orientim seksual. “Por sigurisht, duke ruajtur ekuilibrin e konfliktit që lyp dramaturgjia, me palët pro dhe kundër”, – thuhet për shfaqjen.
Në 2021 Ledian Gjeçi me dramën “Pak Pakt” u shpall fitues nga Qendra Kombëtare e Librit dhe Leximit (QKLL), si autor i një vepre të mirërealizuar në të gjithë komponentët e saj. Veprat e autorit Ledian Gjeçi janë vënë edhe në skena të qyteteve të tjera. Përmendim veprën në vitin 2017, me titull “Në dorë të fatit”, vënë në skenë në Vlorë, nga regjisori Arben Kumbaro. Si autor, Ledian Gjeçi, në aktivitetin e tij artistik përfshin edhe teatrin për fëmijë.