MENU
klinika

Mero Baze

Berisha ngjan me një hajdut që harron të marrë rrogën, jo me dikë që e fal atë

18.04.2022 - 20:13

Sali Berisha po përpiqet të bëhet “hero” duke refuzuar dietat” e Kuvendit, por në fakt po dëshmon që nuk ka qenë kurrë i interesuar për se paguhet dhe sa paguhet. Deklarata e tij e sotme, “se i ka kërkuar financës së Kuvendit të tërheqë nga llogaria e tij pagesat për dietat” është një gënjeshtër.

Por mendoj që është nga ato gënjeshtra që ai përpiqet t’i përdorë për t’u dukur “i përkushtuar” ndaj parave të buxhetit, por që tregon që ka aq shumë para, sa nuk ka pyetur kurrë për rrogën dhe aksesorët e saj.

Së pari, Sali Berisha nuk mund të paguhet për “dieta” pa aplikuar të marrë dietat. Për të marrë dietat si deputet duhet të mbushësh një formular dhe të tregosh ku ke udhëtuar. Financat e Kuvendit nuk janë të japin para automatikisht për dietat.

E vetmja pagesë automatike e Kuvendit për deputetët është rimbursimi i telefonit dhe karburantit në masën 35 mijë lekë të reja.

Fakti që Sali Berisha i referohet kësaj pagese si “dieta”, tregon se ai nuk e ka marrë rrogën, nuk ka pyetur kurrë për rrogën dhe nuk di as vetë se për çfarë paguhet si deputet. Arsyen e dimë.

Ato janë para xhepi para miliardave që ai dhe familja e tij i kanë rrëmbyer këtij vendi, derisa u akuzuan për korrupsion domethënës nga Departamenti i Shtetit i SHBA. Ai nuk ka shkuar në Kuvend për dieta dhe rrogë, por për të mbrojtur miliardat e vjedhura nga pushteti i tij.

Por mund të na e kursente këtë deklaratën populiste se ka vënë në siklet gjithë deputetët e Foltores që i kanë marrë ato para, madje kanë kërkuar para dhe kur kanë djegur mandatet dhe kanë ikur nga Kuvendi.

Vetë Berisha mund të refuzonte pagesën pasi dogji mandatin, por dhe atë me siguri nuk e ka ditur që e merr.

Ndaj deklarata e tij e sotme, na kujton më shumë një hajdut që harron të marrë rrogën, se sa një deputet të përkorë që nuk pranon pagesa që nuk i takojnë. Askush nuk i ka dhënë pagesa që nuk i takojnë.

Kuvendi nuk ka kompetencë t’i tërheqë lekët që i takojnë si deputet. Aq më tepër që ai është ndër të paktët, që nuk është bërë deputet për rrogë, por për imunitet. Rrogën sot e ka zbuluar për herë të parë.

Por nëse do që rrogën dhe pagesat për telefon dhe karburant t’i dhurojë, mund t’ia çojë fëmijëve të familjeve të vrarë në Gërdec apo më 21 janar. Bën nje sevap dhe per djalin që e ka futur në gjak për të vjedhur.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN