MENU
klinika

Nis mbledhja e Grupit të PS-së

Rama sulmon Metën: Presidenti më i keq që ka patur Shqipëria!

19.04.2022 - 10:27

Ka nisur mbledhja e Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, ku deputetët do të japin propozimet e tyre në zarfa të mbyllur për emrin e Presidentit të ri.

I pari që e mori fjalën ishte kryeministri Edi Rama, i cili sulmoi ashpër Presidentin aktual Ilir Meta, të cilin e cilësoi si më të keqin që ka patur Shqipëria. Sipas tij, Meta doli nga binarët e Kushtetutës dhe u bë i rrezikshëm e qesharak.

Përsa i përket emrit të Presidentit të ri, Rama tha se duhet të zgjidhet një njeri normal, që të plotësojë kushtet e duhura për të qenë në krye të shtetit shqiptar.

Pjesë nga fjala e Ramës:

Sot siç edhe jeni informuar, jemi mbledhur për të startuar brenda Grupit tonë Parlamentar procesin e identifikimit të kandidaturës më të përshtatshme për Presidentin e ri. Për herë të parë, PD ka mundësinë që ta zgjedhjë e vetme Presidentin apo Presidenten, që do të thotë se për herë të parë PS ka të gjithë përgjegjësinë për cilësinë e kandidaturës. Në pamje të parë duket një sfidë e lehtë, po të kemi parasysh se thuajse çdo kandidaturë që mund të plotësonte disa kritere elementare, si përshembull njohjen e gjuhës shqipe, pasjen e një karriere profesionale, vetpërmbajtjen në raport me ligjin dhe me Kushtetutën, do të ishte më e mirë sesa Presidenti aktual.

Nga ana tjetër, ajo që e bën këtë moment shumë përcaktues për karakterin, për ambicien dhe profilin e PS-së, është se nuk mjafton thjesht të zgjedhim një person që do të ishte më i përshtatshëm për atë rol sesa Ilir Meta, gjë që do ta përmbushnin si kriter 90% e shqiptarëve. Por është që të zgjedhim një figurë për të luajtur në 5 vitet e ardhshme figurën e kreut të shtetit, të ketë integritet, të garantojë normalitet,

Përzgjedhja është shumë më e ngushtë sesa do të ishte përzgjedhja e një pasuesi të Presidentit më skandaloz që ka njohur historia e atij institucioni dhe praktikisht të Presidentit më të papërsëritshëm në llojin e vet. Këtu është rasti për ta përsëritur. Zgjedhja e Ilir Metës President ishte një zgjedhje me detyrim-përcaktim për ne, që nuk i kishim votat për të zgjedhur Presidentin dhe gjendeshim në një kontekst politik të jashtëzakonshëm, po të kemi parasysh se mungonte opozita zyrtare në sallë dhe nga ana tjetër, vullneti dhe dëshira jonë ishte që zgjedhja jonë të binte mbi dikë që do të mund ta përfaqësonte edhe opozitën. Në ato kushte zgjodhëm një President për opozitën, por duke menduar se do të ishte edhe për Shqipërinë.

Rrjedha e ngjarjeve tregoi të kundërtën, dhe natyrisht i dha vendit një President i cili ishte shëmbëlltyra më e keqe e opozitës më të keqe që ky vend ka pasur qysh prej vitit 1991. Sot jemi në kushte të tjera dhe jemi përballë një sfide që duhet ta shohim si një përgjegjësi shumë të madhe dhe jo si një mundësi për t’i imponuar vendit një President që vetëm do të përmbushte me sukses gjysmën e kornizës politike të Shqipërisë, duke qenë faktikisht një figurë tërësisht e ngjyrosur politikisht. Nuk është kjo që na duhet dhe që duhet të bëjmë. Duhet të bëjmë një sforco të përbashkët duke i hapur rrugë ideve dehe propozimeve të gjithsecilit, në një proces konfidencial, në sensin që s’mund të hedhim emra që pastaj bëhen mish për top të mediave dhe thashethemeve, por duhet të bëjmë një proces në respekt të njerëzve që do të përfshihen në këtë rezervuar burimesh, ku do të identifikojmë kandidaturën më të përshtatshme.

Procesi s’mund të mbetet i mbyllur brenda Grupit Parlmentar dhe ne kemi edhe një Komision të përbërë nga 3 deputetë, për të komunikuar edhe me pjesët e tjera të Kuvendit, por për të hapur edhe një kanal me publikun, gjë që tanimë është bërë, duke i dhënë të gjithëve mundësinë të bëjnë propozimet e tyre.

Ka pasur dhe ka një debat lidhur me pse-në e moszgjedhjes së Presidentit nga populli dhe ripërsëritjen e të njëjtit proces që mbetet i kufizuar në kornizën e veprimtarisë së partive në Kuvend. Është një temë që meriton të diskutohet, në të gjitha rastet Presidentin do ta zgjedhë Kuvendi, por ne kemi detyrimin t’ja japim njerëzve mundësinë të shprehen për këtë temë, duke përcaktuar disa piketa, sepse Shqipëria është një Republikë e pastër Parlamentare dhe si e tillë nuk e mban dot një President të zgjedhur nga populli me këto kompetenca që ka sot. Patjetër që Shqipëria mund ta zgjedhë një President nga populli nëse do t’i japë Presidentit instrumenta që e bëjnë një figurë të zgedhur nga populli, që ka peshën dhe zërin e vet, që nuk bëhet qesharak dhe i rrezikshëm duke rrëshkitur nga binarët e Kushtetutës, i cili shkeli Kushtetutën siç e konfirmoi edhe “Kushtetuesja”. Se çfarë duhet të bënte tjetër Ilir Meta që të mos shkarkohej, kjo mbetet enigmë që nuk do ta mësojmë kurrë.