Për të gjithë ata që kanë memorien e dobët, shfaqja e së enjtes u kujtoi edhe njëherë që njeriu të cilin shqiptarët e hoqën në 2013-ën, nuk ka ndryshuar aspak.
Sali Berisha duhet falënderuar që largoi me dhunë Enkelejd Alibeajn nga foltorja e Kuvendit.
Faleminderit Sali që na kujtove se ke mbetur i njëjti që ke bërë rrahjet dikur në Libofshë, në mitingjet që organizonte PS, rrahjet e 26 majit 1996, hedhjen në erë të 26 personave në Gërdec, vrasjet e 21 janarit 2011.
Faleminderit që na kujtove sesi ti nuk e duron mendimin ndryshe dhe sesi ke rrahur konkurrentët e tu në parti dhe qeveri. Ke mbetur i njëjti!
Faleminderit që na kujtove që je i njëjti bandit që mbledh rreth vetes banditë, na kujton sesi deri edhe truprojat e tua kanë vrarë e kanë vjedhur në emrin tënd.
Faleminderit që nuk na le të pendohemi pse kemi votuar Edi Ramën, dhe na e kujton që ti të vjedh dhe të vret dhe çdokush tjetër duket njeri normal krahasuar me ty.
Faleminderit që na kujtove se ti je një dhunues serial femrash kur bëhet fjalë për egon tënde. Lëre pastaj për të tjerat.
Faleminderit që na kujtove që vazhdon dhe je dhunues sistematik institucionesh dhe rregullash.
Të falënderojmë që të mjaftuan vetëm pesë minuta që të na rikujtoje se çfarë makthi ke qenë për shqiptarët normalë.
Faleminderit që në këto muajt e fundit na rikujtove sesi ashtu si një anodë, ti ke dhuntinë që të grumbullosh rreth vetes njerëzit problematikë.
Faleminderit që falë teje, këmbënguljes dhe pandreqshmërisë tënde, amerikanët u kujtuan të na shpëtojnë prej teje.
Të gjitha këto peshqeshe që na ke bërë në 30 vite, të paktën na kanë ndihmuar që të mos gabojmë në të ardhmen me ndonjë të ngjashëm tëndin, që fati do na e sjellë në rrugë. Ndaj, faleminderit.