MENU
klinika

Leon Tolstoi

Gjeniu i letrave, babai i shkrimtarëve ka përvjetorin

20.11.2018 - 12:35

Nga Eugent Kllapi/

Sot është dita e vdekjes së babait të shkrimtarëve, Leon Tolstoit(Lev Tolstoj). Parabola e tij jetësore është e njohur si për të gjithë gjenitë.

Në jetën e tyre nuk vlerësohen, fati i tyre është tronditës dhe lindin nga dramat e mëdha. Vepra e tyre sa e thellë është dhe gjeniale.

Ashtu si Niçe nuk është aq i lehtë për t’u kuptuar dhe me krizat e tij nervore, dhe si dë Mopasan nuk është aq i zbehtë për të shprehur dashurinë dhe interesin, si Shekspiri nuk është aq i dobët për të shprehur tragjeditë femërore në syrin e përvuajtur, dhe si Gogol, i preferuari i tij, nuk është aq i ngadaltë për të dalluar psikologjinë individuale të sëmurë të njerëzve për pak pushtet frymësh të vdekura.

Është babai i mbledhjes së gjithë shoqërisë njerëzore në një dramë dhe kjo në një mostër të mbledhur nga shoqëria ruse. Novelist, eseist, dramaturg, filozof, por mbi të gjitha ishte njerëzor.

Jeta e tij fillon si jetim dhe përfundon si jetim, pa emër varri, pa salltanete, sa gjenial aq dhe i thjeshtë, natyral, prandaj është më i madhi i të mëdhenjve, aty ku thjeshtësia përsoset në gjenialitet nuk ka më përkryerje.

Në fund të jetës vë dhe pemët e tij, përgatit vendin në pyll, vetëm aty ruhet madhështia, larg shoqërisë meskine e afër natyrës, perëndisë së gjithçkaje me erën që fryn lart e poshtë varrit të tij për pelegrinazh.

Sa më gjenial të jesh, aq më të thjeshtë e do jetën dhe aq më të pasur, sepse thjeshtësisht e ke kuptuar atë. Kuptimi i tij më i rëndësishëm është për jetën, lumturinë, si mund të mendojë më mirë për popullin e tij, si mund të përsoset kjo botë e shtirë aristokracie.

Nën petkun e filozofisë së shumë veprave ai shfaqte dëshirë për ta nxjerrë të vërtetën sublime siç dinte ai.

Shkrimtari rus është një nga autorët më të lexuar në botë, më të admiruar, më të përkthyer. Ai të jep një jetë të tërë njerëzore për një shoqëri të tërë.

Në qoftë se Dostojevski, apo Gogol janë mjeshtra të shprehjes së të imtës, finesës, deri në fijen e flokut, pra në psikologjinë individuale, ai është mbreti i letërsisë botërore nëpërmjet një psikologjie shoqërore.

Për të ka rëndësi sesi ndërthuren raportet njerëzore, bashkëveprimi i shtresave shoqërore, dashuria njerëzore, intimiteti dhe indiferenca njerëzore, vuajtja, mjerimi, harresa, zilia, smira e deri tek ndërthurje të tipareve kavalareske plot zbrazëti e kapadiallëk nën vellon e bukurisë.

Është i rëndësishëm bashkëveprimi i përgjithshëm i njerëzve ku ndërthuren të gjitha cilësitë dhe temperamentet, gjendjet dhe situatat e një shoqërie që lulëzon sa me përparim dhe me mjerim, sa dashuri dhe drama, një shoqëri si ajo e Rusisë cariste ku ndërthuren gjitha dramat që sot kalohen po në të njëjtën formë, po me frak të shndërruar në xhaketë sportive.

Është e njëjta gjë pasi shoqëritë përcjellin vetveten dhe hidhen në shekuj në po të njëjtat forma bashkëveprimi, aty ku ka tej mase dhimbje, ka dhe dashuri të pamata, ku ka zili e intriga, ka dhe mjerim, ku ka dëshirë, ka dhe indiferentizëm, por varet se si na e përcjellin këtë, ndryshojnë vetëm grimi dhe parukeria e flokëve sipas modës së kohës nga fustane që mblidhen belin me qemer në pantallona të çjerra mode, tragjeditë e njerëzve janë përsëri njësoj.

Këtu ai është mbreti që nuk i lë t’i shkasë asnjë nuancë të kohështrirjes së një shoqërie ruse aristokratike në dëshpërim dhe pothuasje në degjenerim sa dhe në shpërbërje. Nikolla i II nuk mund ta shikojë këtë, duhet të jesh në botën tolstojane ta shohësh me sytë që të trondisin.

Sytë e tij gjithmonë janë të tronditur nga mendja që mendon, por më shumë që kupton domethënie. Sytë e tij të thellë dhe gjithmonë të përqendruar lënë shenjë të thellë në imazh.

Zgjuarsia ka vlerë në domethënie, pa të nuk është dije, as inteligjencë, por mënyrë sesi ti mundohesh të kuptosh prapa kuptimit, aty nën rogoz të shoqërisë aristokratike. E ku ka më mirë se Tolstoi për ta treguar këtë.

Ai është gjenial për të qenë njeri dhe aq i thjeshtë sa një punëtor krahu në pamje të parë, është perandor i shkrimit rus. Thellësia e tij në mendim nuk mbaron, ajo shtohet deri në një pafundësi sjelljesh që sjellin një botë të tërë të vendosur në një vepër.

Dhe në këtë fund të pafundësisë së mendimit, ai ka akoma më thellësi mendimi për të thënë.

Shkritmarët e mëdhenj lindin gjithmonë në acar, në një vend ku lëvron bukur shkrimi, në Rusi.

Tolstoi lindi më 1828, ishte shkrimtar rus, rrjedh nga familja aristokrate e Tolstojve. Është pak të thuhet që është gjenial por mbi të gjitha gjenialët nuk i do asnjeri, ‘’nuk ka njeri më të urryer se një njeri që thotë të vërtetën’’, varet se si ua thua njerëzve këtë. Për këtë lloj të menduari ai u mallkua nga kisha dhe nga shoqëria e tij. Dramat e mëdhaja janë gatuar për njerëzit e mëdhenj.

Veprat e tij u tallën nga kritikët e kohës, shoqëria i largohej si me magji, edhe vetë u arratis nga gruaja në fundin e tij, por më shumë sikur donte të arratisej nga vetja. Edhe vetë jeta e tij ishte një dramë e pafund.

Nëna e tij Maria Nikollanjevna Vollkonskaja vdiq kur Tolstoi i ishte vetëm 2 vjeç. I ati Kont. Nikolla Ilic Tolstoi vdiq kur ai ngjizi 9 vjeç. Ai mbeti nën mbikqyrjen e tezes së tij Tatiana Aleksandra Ergolska.

Jetimët kanë tragjeditë e tyre që nuk kuptohen aq lehtë nga njerëzit normalë dhe tragjeditë që fshehin nën sirtar nuk mund të thuhen aq lehtë përveçse në kryevepra. Ndonjëherë jeta është më e fortë dhe tragjikomike se vepra, ky fat i ra edhe Tolstoit.

Më 1844 hyri ne universitetin e Kazanit dhe ne vitin 1847 dhe kundërshtar i regjimit carist. Në krime në 1854 ai tregoi trimëri në luftë në mbrojtjen e Sebastopolit. Pas një udhëtimi të gjatë në shtetet e Europës ai vjen me dëshirën në Rusi për të ngritur një shkollë. Ai merr akoma më ideale të mishërura nga Europa e trazuar e asaj kohe.

Më 1862 Leo martohet me të bijën e një mjeku e cila do e ndihmojë shumë në karrierën e tij.

Më 1863 mbaron novelën “Kozakët” që e kishte filluar shum kohë me parë dhe këtë vit boton novelën tjetër me titull “Polikushka”.

Më 1864 punën e madhe dhe të gjatë të shkrimit të veprës se madhe ”Lufta Dhe Paqja” që e përfundon ne vitin 1869. Për këtë atij u dihen 6 vjet, dhe në 6 vjet shpreh një shekull të tërë shoqëri.

Lufta dhe Paqja, është një novelë historike, në përkthimin shqip e ndarë në katër libra, flet për ngjarjet e trazuara në Rusi gjatë luftërave të Napoloeonit në fillim të shekullit të nëntëmbëdhjetë.

Mbështetur mbi një stil jete aristokratike që tashmë kish filluar të zhdukej gjatë kohës që Leon Tolstoi shkroi librin e tij në vitet 1860, libri përmbledh një periudhë relativisht të shkurtër – pesëmbëdhjete vjet – por paraqet jetët e karaktereve të ndryshëm nga të gjitha segmentet e shoqërisë me detaje të gjalla dhe të mirë realizuara.

Tregimi pasqyron përballjen e një gjenerate me ndryshimin, i cili i bën disa që të luftojnë për të mbrojtur strukturën ekzistuese edhe me jetën e tyre, ndërsa të tjerët e kuptojnë se mënyrat e vjetra po zhduken.

Me 1873 fillon punën per shkrimin e vepres monumentale “Ana Karanina” të cilën e përfundon ne vitin 1877. Një kryevepër që njerëzit sidomos femrat duhet ta lexojnë.

Kur e pyetën Uilliam Folknerin se cilët ishin tre librat më të mirë shkruar ndonjëherë, u përgjigj: “Ana Karenina, Ana Karenina, Ana Karenina”.

Tolstoi ka kaluar nëpër përvojën të “Luftës dhe Paqes” e të “Ana Kareninës”, ku pas përvojës pedagogjike arrin në përfundimin se as kisha zyrtare, as rendi autokritik, as marrëdhëniet borgjeze nuk mund t’i japin popullit punonjës lumturinë. Ata meritojnë të demaskohen, madje të demaskohen pa mëshirë.

Një femër e bukur që dashuron diçka që nuk mund ta realizojë në jetën e saj, të jetë me endrrat e saj të dëshiruara, të plotësojë veten në një ambient shoqëror ku ka shtirje, shtirje që vjen nga një sistem i përvuajtur aristokracie.

Romani voluminoz “Lufta dhe Paqja” u hodh në letër nga gruaaja e tij. Për 6 vite me radhë, ajo rishkroi dorëshkrimin e plotë 8 herë, ndërkohë i dha jetë 4 fëmijëve nga 13 që pati çifti.

Diku ai shprehet: “Në emër të cilës dashuria duhet të veprojë dhe si duhet të veproj? Cilën dashuri duhet të sakrifikoj për tjetrën?”

Pas mbarimit të këtij libri atë e kap një krizë e thellë shpirtrore dhe kjo dallon në veprën e mëvonshme të tij.
Me mendimin e tij kritik e letrar sa dhe filozofik ai kundërshton të gjitha shtresat e pasura, fenë. Në këtë kohë boton ‘’Zotëria dhe punëtori’’, ‘’Ringjallja’’, ‘’Haxhi Murati’’.

Nga ky kuptim i jetës, i lumturisë, i artit, të drejtës, të vërtetës, nga shkrirja e të përjetshmes me të përditshmen, midis reales dhe mbiereales, e ideales me konkreten, burojnë disa tipare themelore të artit të pazëvëndësueshmit Tolstoi.

Tolstoi novelist rend në subjektet e tij tek e thjeshta, por kjo e thjeshtë në mendjen e tij tirret si e jashtzakonshme, endet si në gjatësi dhe në gjerësi për t’u sjellë madhështore nëpërmjet shkrimit.

“Lumturia e familjes” është nga veprat e para të Tolstoit, ku shfaqet drejpërsëdrejti si mendimtar shoqëror. Familjen ai e konsideron si themelin e shoqërisë, prandaj kërkesa e njeriut për lumturi nis që në familje dhe vetëm një familje e shëndoshë mund të bëhet burim lumturie.

Te “Vdekja e Ivan Iliçit”, del në pah kalbësira shoqërore e kohës që do rinovuar, ribërë në përgjithësi. Subjekti ka të bëjë me një nëpunës. I ati kishte qenë gjithë jetën nëpunës i panevojshëm në një dikaster të panevojshëm, duke mbuluar një vend fiktiv e duke marrë një rrogë aspak fiktive.

Ai vetë tërhiqet drejt njerëzve me pozitë si kandrrat drejt dritës dhe ka aftësinë të rregullohet menjëherë kudo që ndodhet. Ka dobësi për punët që bëhen me duar të bardha, me këmisha të pastra etj., nga ana tjetër i pëlqen të marrë pozicionin e një të pakënaquri, të një liberali të moderuar.

Shkurt, është tipi i burokratit. Libri të bën të shikosh se sa zbrazëti ka brenda pamjes së parë, mirazhit jetësor që mbulohet shpesh herë plot me ngjyresa ylberi.

Po ashtu e mirënjohur mbetet vepra “Kazakët”, ku Olenini, një i ri aristokrat i velur nga jeta boshe e njerëzve të sërës së tij në qytetin e madh, largohet për në fshat. Atje e habit, e trondit, madje e magjeps veçanërisht mënyra me të cilën e kuptojnë dhe e jetojnë jetën kazakët dhe që ndryshon aq shumë nga mënyra e tij prej njeriu me pozitë e të civilizuar. Ata jetojnë thjesht, me djersën e ballit.

Po ashtu edhe novela “Atë Sergi”, ku siç shprehet edhe Stefan Cvajg: “Enigmën e Tosltoit e gjejmë të zbërthyer në novelën “Atë Sergi”. Fytyra e tij të kujton zabelin: ka më shumë shkorret se lëndina, nga kjo s’ke mundësi të shohësh se ç’fshihet brenda”. Cvajg në jetën e tij mori një udhëtim vetëm e vetëm të shihte varrin e tij.

Në vitin 1910, në vitin e 81 të jetës, Leon Tolstoj iku nga shtëpia dhe vdiq në stacionin ”Astapovo”. Prehet në nënën natyrë në pyll, pa mbishkrime por me lavdinë e tij.

Tolstoi nuk pranoi të kthehej në shtëpi, dhe pas sëmundjes së pneumonisë, ai vdiq më 20 nëntor 1910.

Disa thënie të Leon Tolstoit

-Ne humbëm, sepse i thamë vetes që humbëm.
-Nëse kërkon përsosmërinë, nuk do të jesh asnjëherë i kënaqur.
-E habitshme se sa i madh është iluzioni, që bukuria është mirësi.
-Dy luftëtarët më të fuqishëm janë durimi dhe koha.
-Që të heqësh qafe një armik, duhet që ta duash atë.
-Kuptimi i vetëm i jetës është që t’i shërbejë njerëzimit.
-A është vërtetë e mundur që t’i thuash dikujt tjetër atë që ndien?
-Në emër të Zotit, ndalu një moment, lëre punën, shih përreth teje.
-Jeta e vërtetë jetohet kur ndodhin ndryshime të vogla.
-Muzika është gjuha e shkruar e emocionit.
-Nuk ka madhështi atje ku nuk ka thjeshtësi, mirësi dhe të vërtetë.
-Mërzia: Dëshira për të patur dëshira.
-Të gjitha ato që kuptoj, i kuptoj prej dashurisë.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN



Premiera “13” nën petkun e Sulejman Rushitit

“Kadare, Kuteli, Fishta…të ndërthurur në dramën bashkëkohore”

Erdhi si një mrekulli për publikun shqiptar

Marie Kraja, diva me zërin e pastërt dhe të kthjellët

80 vite nga vdekja e “mbretëreshës së maleve”

Udhëtimi në Shqipëri, ekspozitë me fotot e Edith Durham!

Nga koha e luftës në majën e skenës shqiptare!

Reshat Arbana në gjurmët e një “best seller”-i!