MENU
klinika

Vrojtimi i BSH

80% e pronave shiten me kredi

20.11.2018 - 14:54

Tregu i pasurive të paluajtshme po mbështetet gjithnjë e më shumë nga kredia bankare. Sipas një vrojtimi të kryer nga Banka e Shqipërisë me 230 agjentë të pasurive të paluajtshme, rezulton se 80% e pronave të shitura u financuan me kredi bankare.

Përdorimi i kredisë bankare, sidomos për blerjen e banesave, është në rritje të ndjeshme, i mbështetur nga normat shumë të ulëta të interesit, por edhe një ofertë më e lartë e bankave për këtë produkt gjatë viteve të fundit. Kredia për pasuri të paluajtshme ka raportin më të ulët të kredive me probleme krahasuar me produktet kryesore të kredisë.

Në fund të vitit të kaluar, raporti i kredive me probleme për këtë produkt ishte 7%, në rënie të mëtejshme nga niveli 8.8% i një viti më parë. Kjo shifër është ndjeshëm më e ulët në raport me raportin mesatar të kredive me probleme, që për të njëjtën periudhë ishte 13.2%.

Sipas llogaritjeve të Bankës së Shqipërisë, norma mesatare e ponderuar e interesit e kredisë për blerje shtëpie gjatë nëntë muajve të parë të këtij viti ishte 3.7%, niveli më i ulët historik. Interesat kanë rënë vazhdimisht gjatë viteve të fundit, duke ndjekur politikën monetare lehtësuese që është ndjekur për valutat kryesore.

Sipas Bankës së Shqipërisë, interesi mesatar i kredive për pasuri të paluajtshme për periudhën 2008-2013 ka qenë 8.7%, ose dy herë më i lartë se sot.

 

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN