Nga dita e sotme hyn në fuqi heqja e kufizimeve për të gjithë shtetasit që hyjnë në Shqipëri nga çdo pikë kufitare. Vendimi u njoftua pak ditë më parë në mbledhjen e Komitetit të Ekspertëve.
Zv/ministrja e Shëndetësisë Mira Rakacolli bëri me dije se në kufi nuk do të kërkohet dokument vaksinimi për Sars Cov2, dokument të testimit negativ për infeksionin Sars Cov2 apo certifikatë shërimi nga ky infeksion.
“Bazuar ne rekomandimin e Komitetit të Ekspertëve të Vaksinimit, vaksinimin me dozë të katërt të qytetarëve mbi 60 vjeç dhe atyre me sistem imunitar të kompromentuar sipas rekomandimit të mjekut të familjes.
Nisur nga situata epidemiologjike, kemi vendosur heqjen e detyrimit për mbajtjen e maskave, por rekomandojmë fuqishëm mbajtjen e tyre në ambiente të mbyllura dhe sidomos në ato të paajrosura mirë.
Vendosëm lejimin e muzikës pas orës 23:00 dhe rihapjen e klubeve të natës. Heqjen e detyrimit për të paraqitur dokument vaksinimi për Sars Cov2, dokument të testimit negativ për infeksionin Sars Cov2 apo çertifikatë shërimi nga ky infeksion për të gjithë shtetasit që hyjnë në Shqipëri nga çdo pikë kufitare duke filluar kjo nga data 1 maj i këtij viti”, bëri me dije prof. Mira Rakacolli, kryetare e Komitetit Teknik të Ekspertëve.