MENU
klinika

Emigranti 'jugosllav' në kampin e Semanit

“Myrteza Bajraktari merrte detyra nga UDB-ja…”

02.05.2022 - 12:04

          Publikohen disa dokumente nga institucioni i Autoritetit për Informimin e Dosjeve të ish-Sigurimit të Shtetit, ku ndodhet dosja voluminoze (formulare, hetimore dhe gjyqësore), e Myrteza Bajraktarit me origjinë nga Gostivari, i cili pasi mbaroi shkollën e mesme në qytetin e Tetovës, në vitin 1952, filloi studimet e larta në Universitetin e Shkupit, në degën e Filozofisë, ku krahas mësimeve ai u punësua edhe si gazetar në gazetën “Flaka e Vllaznimit” që botohej në Shkup, nga ku e largojnë shpejt, pasi botoi një artikull ku dilte hapur kundër shpërnguljes së shqiptarëve të Jugosllavisë, për në Turqi dhe si rezultat, u emërua si mësues në shkollën 7-vjeçare “Shaban Zeneli” të Kumanovës. Arrestimi i Myrtezait nga UDB-ja në vitin 1952, pasi ai bënte pjesë në një organizatë të fshehtë të quajtur, ‘Organizata Nacional-Demokrate Shqiptare’ dhe dënimi i tij me shtatë vite burg politik, të cilat i vuajti në burgun e Nishit dhe të Idrizovës. Arratisja nga Jugosllavia dhe ardhja në Shqipëri, ku pasi qëndroi disa kohë në kampin e internimit në Seman të Fierit, i’u dha e drejta e shkollës së lartë, duke u diplomuar në Universitetin e Tiranës në degën Gjuhë-Letërsi, por pasi refuzoi emërimin në qytetin e Beratit, në vitin 1971, arrestohet dhe dënohet me shtatë vite burg politik, me akuzën “agjitacion e propagandë”. Dalja nga burgu dhe lënia pa punë deri në shembjen e regjimit komunist dhe emërimi i tij si Konsull i Përgjithshëm i Shqipërisë në Zvicër, deri në vitin 1993, si dhe më pas zgjedhja e tij si Kryetar Nderi i Lidhjes Shqiptare në Botë, për vendet e Beneluksit, ku ai punoi për çështjen e Kosovës, deri sa u nda nga jeta më datën 11 dhjetor 2020. E gjithë dosja e plotë e Myrteza Bajraktarit, me emrat e funksionarëve dhe oficerëve të Sigurimit të Shtetit, pseudonimet e bashkëpunëtorëve, “kolegëve” e “bashkëpatriotëve” që e ndiqnin dhe survejonin, provokatorët në qelitë e hetuesisë, dëshmitarët që i dolën në gjyq, letrat dërguar Enver Hoxhës dhe instancave të larta zyrtare ku kërkonte pafajësinë e tij, etj., etj., publikohet për herë të parë nga Memorie.al

Nga: Dashnor Kaloçi

Dokumenti “Tepër sekret” i hartuar nga Punëtori Operativ i Sigurimit të Shtetit, Kapiteni i I-rë, Odhise Gjylameti dhe i miratuar nga majori Malo Zahaj, me relacionin mbi kontrollin e sendeve personale të emigrantit jugosllav, Myrteza Bajraktari

TEPËR SEKRET

RELACION

MBI KONTROLLIN E MATERIALEVE PERSONALE TE EMIGRANTIT JUGOSLLAV MYRTEZA BAJRAKTARI

Nga kontrollimi i materialeve personale të të lartpërmendurit, gjeta këto sende të dyshimta:

Katër letra (paketa) me një llojë pluhuri të bardhë, që i ngjan pyramidonit, por që nuk është pyramidon.
Ka një copë rrip të zi prej një lënde speciale, që duhet të ketë në përbërje xhelatine.
Përse janë të dyshimta materialet e sipërme:

Letrat me pluhur:

a. Me ato mundet të shkruhet ndonjë shkrim i padukshëm dhe pastaj si mbas formulës së caktuar, të deshifrohet nga Zbulimi Jugosllav, agjentit të cilit duhet të jetë Myrtezai.

b. Mundet të jetë edhe ndonjë kimikat tjetër, për ndonjë qëllim të caktuar, si helm etj.

Shiriti i zi prej lënde speciale:

a. Me anë të shiritit të zi mundet të deshifrohen letrat e shkruara me kopjativ (shkrimi sekret).

b. Me anë të këtij shiriti, mundet të diktohet letrat kopjative në qoftë se supozohet që t’i dërgohen më vonë nga Zbulimi Jugosllav.

Është interesante të theksohet se me vete, ka sjellë edhe kopjen e proces – verbalit, me të cilin tregon se ka qenë i dënuar në Jugosllavi. Nga kjo mendoj se duhet të nxjerrim konkluzionin, se ky duhet të ketë qenë agjent ose është rekrutuar më vonë dhe ka përpunuar grupin e tij, pastaj është kompromentuar dhe e kanë pregatitur dhe e kanë dërguar në vendin tone, si agjent të tyre me detyra të caktuara zbulimi.

Sa sipër unë propozoj:

Të bëhet analiza kimike në rast se ka mundësi nga Laboratori Qendror i Kriminalistikës i tre paketave me pluhur kimikal.
Të studiohet mirë puna e tij dhe të mbërrihet në konkluzionin, nëse duhet pyetur për këto gjëra ose nëse duhet të vihet në përpunim të rregullt dhe të kapen letrat që do të vijnë nga Jugosllavia dhe të provohen nëse deshifrohen, me anë të rripit të zi prej lënde speciale.
Konkluzion:

Nga materialet që kontrollova dhe nga provat që bëra, sidomos me shiritin e zi, kam shumë dyshim që Myrteza Bajraktari, duhet të jetë agjent i zbulimit jugosllav.

Major

Malo Zahaj

Datë 11/11/1962

INVENTARIZIMI I DOKUMENTEVE TË EMIGRANTIT MYRTEZ BAJRAKTARI

Një shishe parfum i nisur.
Tre çelësa të ndryshëm.
Një rrip të zi plastiku.
Fotografi të ndryshme 58 (pesëdhjete e tetë copë)
Një letër njoftimi të tijën.
Tre pluhura (ilaçe).
Dy gazeta jugosllave.
Disa dokumenta të tija shkruar jugosllavisht.
Inventari mbyllet me Nr. rendor (tetë)

Punëtori Operativ

Kapiteni i I-rë (Odhise Gjylameti)

Dokumenti “Tepër sekret”, i miratuar nga Kryetari i Degës së Punëve të Brendshme të Fierit, kolonel Abedin Tajari, me planin e masave agjenturalo-operative për përpunimin e Myrteza Bajraktarit, të hartuar nga Punëtori Operativ i Sigurimit të Shtetit, major Tajar Muharremi dhe shefi i Seksionit, major Ramadan Cano

A P R O V O H E T T e p ë r – s e k r e t

KRYETARI I DEGËS

Kolonel Abedin Tajari Fier, më 10.V.1963

P L A N

“I masave agjenturalo-operative për përpunimin e objektit Myrteza Bajraktari 2 A”

Myrteza Bajraktari, i biri i Fahriut dhe i Remzijes, i datëlindjes 1933, lindur në Gostivar dhe banues në sektorin Seman, me profesion arsimtar, kryer arsim të mesëm, me kombësi shqiptare dhe shtetësi jugosllave, shtresë e varfër, me gjendje civile i divorcuar, pa parti, kur ka qenë në Jugosllavi, është dënuar dy herë për çështje politike.

Është emigruar në Shqipëri më datën 17.VI.1962, së bashku me shokun e tij, Bejtash Ismailin, , ky i fundit tentoi të arratiset dhe u kap. Në deponimet që bëri, deklaroi se ishte dërguar me mision spiunazhi së bashku me Bektash (Myrteza Bajraktarin), nga Zbulimi Jugosllav.


E kaluara: Prej vitit 1951, ka kryer shkollën fillore dhe të mesme e në Gostivar,, Tetovë, dhe Prishtinë. Ka punuar katër muaj si nëpunës i gazetës “Flaka e Vëllazërimit”, në Shkup. Në vitin 1953, është arrestuar nga UDB-ja si element që propagandon kundër shkollave turke dhe se gjoja ka pasur tendenca arratisje në Shqipëri, si dhe për aktivitetet të organizuara, paskësh formuar një organizatë ilegale etj.

Është rekrutuar në burg nga koloneli i UDB-së, Qiro Atanovski, me detyrë të përpunonte disa persona, të cilët dyshoheshin si elementë anti titistë. Mirëpo, pasi e lirojnë nga burgu, ky nuk i ka raportuar – gjoja çështje me rëndësi UDB-së si agjent i saj, dhe duke vazhduar punën – kundër regjimit titist, formon prapë një organizatë ilegale dhe në të tilla rrethana, vjen si emigrant në Shqipëri, për të rënë në kontakt me organet tona dhe mbasi të merrte ndihmën e tyre në materiale dhe armë, për “organizatën ilegale”, të kthehesh prap në Jugosllavi, për të organizuar “Kryengritjen kundër Titos në Maqedoni”, etj.

Qëndrimi i tij në kampin Seman: porsa erdhi, menjëherë ranë kontakt dhe në shoqëri intime, me vëllezërit Halit dhe Rexhp Llazana, që të dy të fundit, të ardhur nga Gjermania Perëndimore në vitin 1958, dhe shumë të dyshimtë, si agjentë të Zbulimeve armike. Kohët e fundit, është parë në shoqëri shpesh herë me Ganimet Salinë, Rexhep Zyberin, etj.

Me qëllim të zbulojmë veprimtarinë e tij armiqësore, si agjent i mundshëm i Zbulimit në fjalë, do të marrim këto masa agjenturalo-operative:

Masat agjenturale-operative

Të drejtohet B.p. “Drini” dhe “Kosovari”, për të zbuluar se çfarë mendon objekti dhe përse reagon, lidhur me ardhjen e tij në Shqipëri, qëndrimin në kamp, mbi arrestimin e shokut të tij, etj. Për të dy B.p.-torët, do të bëhet nga një vijë-sjellje, se si dhe çfarë do të bisedojnë ata me objektin. Të studiohet edhe rrethi shoqëror për rekrutimin e një B.p.
Të zbulojmë se çfarë e lidh objektin me vëllezërit Llazana, si dhe bisedat që bënë me grupin Kosovar dhe maqedonas, siç janë: Ganimet Saliu, Rexhep Zyberi.
Do të parashikohen kombinacione të thjeshta si p.sh., kur objekti thyen rregullat e kombit, kur në të njëjtën kohë të thirren në postë, duke i mbajtur nën vërejtje objektin, edhe B.p.,-torët, “Dini” dhe “Kosovarin”.
Një veprim i tillë mund të bëhet kur çështja të jetë e studiuar mirë dhe na lënë dyshime tek objekti, për të menduar se mund të jenë provokacione, etj.

Në lidhje me shokun e tij, Bektash Ismaili, meqenëse nuk është normal nga gjendja psikike, çështja në drejtim të deponimeve ku e implikon objektin si agjent, aktualisht mbetet në vend, mbasi nuk janë mundësitë e hetimit, apo të ndonjë kombinacioni.

Detyrat do të kryen nga major, Tajar Muharremi, prej datës 30 Maj 1963, deri me datën 30 tetor 1963.

Kontrollon shefi i Seksionit të I-rë, major Ramadan Çano.

Punëtori operativ Shefi i Seksionit të I-rë

Major Tajar Muharremi Major Ramadan Çano

Dokumenti ‘Tepër sekret’ i miratuar nga Kryetari i Degës së Punëve të Brendshme të rrethit të Fierit, kolonel Abedin Tajari, me planin e masave agjenturalo-operative për ndjekjen e survejimin e emigranti jugosllav, Myrteza Bajraktari, në kampin e Semanit

A P R O V O H E T Tepër Sekret

KRYETARI I DEGËS SË P. TË MBRENDËSHM

K O L O N E L

Abedin Tajari

Fier, më 30.XI.1963

P L A N – M A S A SH

Operativo-Agjenturale Operative, për objektin në 2/A, Myrteza Bajraktari, emigrant jugosllav në Seman

Objekti Myrteza Bajraktari ka ardhur në Shqipëri më datën 19.XI.1962 dhe në fillim të vitit 1963, ka ardhur në Seman, për arratisjen e tij nga Jugosllavia në Shqipëri, ka deponuar në hetuesi, se ka ardhur me qëllim për të kërkuar nga qeveria shqiptare armë dhe materiale të tjera të rëndësishme dhe në sasira të mëdhaja, me qëllim që në Jugosllavi të bënin një kryengritje të armatosur, i cili ka deponuar se qysh në vitin 1951, ka qenë pjesëtar i një organizate me emrin “Shkëndija”, për këtë pretendon se sikur e ka krijuar vetë në Gostivar, me qëllim për të luftuar hapjen e shkollave turke.

Mbas deponimeve të tij, thotë se janë arrestuar dy anëtarë të organizatës nga U.D.B.-ja dhe mbas denoncimesh nga ata, arrestohet dhe dënohet me tre vjet burg dhe mbasi lirohet, futet prapë në organizatë, për të luftuar kundër Titizmit, lidhur me deponimet e tij në hetuesi, të lë dyshime të mëdhaja se do të jetë i dërguar nga UDB-ja Jugosllave, për qëllime armiqësore kundër vendit tonë.

Gjatë qëndrimit të tij në Seman, deri më sot, sipas planit të masave të mëparshme me detyrat e ngritura, nuk janë zbatuar dhe si përfundim, objekti është jashtë kontrollit agjenturial për arsye se në dosjen e tij nuk ka të dhëna që të flasë për ndonjë aktivitet të tij.

Për këtë arsye, mendojmë se në të ardhmen për të zbuluar aktivitetin e tij armiqësor përkundër pushtetit popullor, mendojmë të merren këto masa agjenturiale-operative.

Të drejtohet me B.P. me pseudonimin “Kosovari”, dhe t’i jepen këto detyra.
A. Të zëjë shoqëri me objektin dhe të qëndroj afër vazhdimisht, të përkrahi mendimet e tija me qëllim që të krijojë besimin e njëri tjetrit, mbasi të jetë afruar në biseda me objektin, t’i thotë në muhabet se do të bëjë se si ka menduar në të ardhmen, në qoftë se nuk do ta nxjerrin nga Semani, të mësojë prej objektit arsyet e arratisjes nga Jugosllavia, çfarë njerëzish ka lënë atje dhe marrëdhëniet ekonomike në Jugosllavi dhe çfarë ndryshimesh janë bërë mbasi B.p. t’i thotë se kam një kohë që kam ikur prej andej, me qëllim që të krahasohet gjendja ekonomike të Shqipërisë me gjendjen e atjeshme, të shikojë se me kë shoqërohet më tepër objekti në Seman nga emigrantët, dhe me cilin.

2). Po kështu, B.p. me pseudonimin “Shqiponja”, të drejtohet nga ana jonë, në drejtim të këtij objekti me qëllim që të mësoj prej tij, qëndrimin e objektit në Seman, të mësojë se çfarë e lidh objektin me vëllezërit Llazana, si dhe bisedat që bën me grupin e kosovarëve, si me Ganimet Saliun, Rexhep Zyberin, e të tjerë, me qëllim që të mësojë lidhjet e tij me elementë të ndryshëm jugosllavë, dhe me qëndrimin e tij në kampin e Semanit.

3). Të kontrollohet korrespodenca e tij, të studiohet nga ana e jonë të merren shënime operative për letrat që të lenë dyshime për objektin dhe të vendosjen në dosjen e objektit, mbas zbatimit të detyrave të këtij plani dhe mbasi të kemi grumbulluar materiale në ngarkim të tij, të mendojmë që në të ardhmen të dalim me detyra na konkrete për të bërë të mundur, për të zbuluar aktivitetin e këtij objekti.

Kryen kapiten Ibrahim Nasku, nga data 15/XI/1963 deri më datën 4/4/1964.

Kontrollon, Shefi i Seksionit Major Ramadan Canaj.

Punëtori Operativ Shefi i Seksionit

Kapiten Major

Ibrahim Nasku Ramadan Canaj

Shënim:

p., t’i jepet vijë-sjellje konkrete.
Të studiohet rrethi shoqëror i objektit dhe të rekrutohet një B.p. i ri nëse dy B.p., që janë nuk kanë arritur të futen në përpunim.
Të gjendet në se objekti ka të afërt të tij kosovarë në rrethin tonë me qëllim rekrutimi e dëgjimi dhe të takohet me të në Seman, të shohim se si do të interesohet./Memorie.al
Vijon numrin e ardhshëm

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Nga rrethimi i Leningradit te aventurat e Luftës së Ftohtë

25 faktet interesante të Bashkimit Sovjektik


“Pasuria që s’e blejnë dot paratë”

Libri për suksesin e vërtetë dhe rritjen personale

Ngjarja më e rëndësishme e popullit shqiptar

Dita e Alfabetit të Gjuhës Shqipe

Premiera “13” nën petkun e Sulejman Rushitit

“Kadare, Kuteli, Fishta…të ndërthurur në dramën bashkëkohore”

Erdhi si një mrekulli për publikun shqiptar

Marie Kraja, diva me zërin e pastërt dhe të kthjellët