MENU
klinika

Rritje çmimesh dhe ‘përjashtimi’ i dy shteteve

Çfarë parashikohet të ndodhë në BE pas embargos me naftën ruse?

04.05.2022 - 10:23

Presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen e deklaroi këtë para Parlamentit Europian në Strasburg. Embargoja do të hyjë në fuqi brenda 6 apo 8 muajsh. Për dy vende të BE vlejnë rregulla të veçanta.

Prej javësh debatohet në BE nëse është e përballueshme për vendet e BE një embargo e naftës kundër Rusisë. Komisioni Europian ka përpunuar tani një propozim, të cilin të mërkurën presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen e bëri të ditur para Parlamentit Europian. Propozimi është pjesë e një pakete të re sanksionesh kundër Rusisë, bëjnë të ditura njëzëri disa agjenci lajmesh. Por që të hyjnë në fuqi sanksionet e planifikuara është i nevojshëm miratimi i 27 vendeve anëtare të BE. Që këtë të mërkurë pritet që të fillohet në Brukel me konsultimet. Nëse nuk ka rezerva të mëdha nga kryeqytetet e BE embargoja mund të hyjë në fuqi brenda disa ditësh.

Sipas këtij propozimi kjo embargo do të hyjë në fuqi brenda 6 apo 8 muajsh. Kjo do të thotë se sipërmarrjet e BE nuk do duhet në të ardhmen që të importojnë më naftën ruse. Por për t’u dhënë vendeve kohë për t’u përgatitur, do të ketë afate kalimi. Konkretisht parashikohet që pas 6 muajsh do të hyjë në fuqi ndalimi i importeve për naftën e papërpunuar dhe pas një faze prej 8 muajsh edhe ndalimi i produkteve të naftës. Në këtë kontekst do të luajë rol nëse furnizimet vijnë me gazsjellës apo me anije.

Përjashtime janë bërë për Hungarinë dhe Sllovakinë. Të dyja këto vende marrin sasi të mëdha të naftës nga Rusia dhe për shkak të mungesës së rrugëve detare nuk shohin mundësi të shpejta për të gjetur menjëherë burime të tjera alternative të furnizimit.Krahas embargos së naftës propozimi i BE për sanksione përfshin edhe masa të reja ndëshkuese kundër sipërmarrjeve. Të prekura priten të jenë banka më e madhe ruse, Sberbank, dy banka të tjera dhe televizione që shpërndajnë me qëllim informacione të rreme për luftën në Ukrainë. Bankat nuk do mund të përdorin më sistemin financiar të komunikimit Swift.

Habeck pret “hov të çmimeve”

Për qytetarët e BE një embargo do të thotë çmime më të larta. Kështu ministri gjerman i Ekonomisë, Robert Habeck pret rritje me “hov të çmimeve”. Një arsye ndër të tjera është që nafta ruse do duhet të zëvendësohet nga alternativa të tjera më të shtrenjta. Po ashtu ndryshimet që duhet të bëjnë rafineritë dhe rrugët e furnizimit sjellin kosto të tjera.
Por nuk ka prognoza të sakta, se sa do të rriten çmimet në të ardhmen./DW