Kancelari gjerman Olaf Scholz foli në një konferencë të përbashkët me kryeministrin e Kosovës Albin Kurti pas një takimi dy palësh në Berlin.
Olaf Scholz deklaroi se Gjermania do të mbështesë rigjallërimin e procesit të Berlinit duke vlerësuar rolin e saj në marrëdhëniet mes vendeve të Ballkanit.
Ai u shpreh se integrimi europian është një perspektivë realiste ku duhet investuar më shumë energji.
“Kjo do të funksionojë vetëm përmes marrëveshjeve konkreteve që do të arrijnë të dyja vendet, Këtu bën pjesë ajo që ka bërë Gjermania prej kohësh që është njohja e Kosovës.
Ne me gjithë dëshirë japim mbështetjen tonë në këtë drejtim. Ne nuk gjykojmë kush ka të drejtë por ofrojmë mundësinë që liderat të ushtrojnë lidershipin.
Vullneti është shumë i madh për të bërë ndryshime. E para është rigjallërimi i procesit të Berlinit. Ne dëshirojmë ta nxisim. Dhe e dyta është çështja e integrimit europian. Kjo është një perspektivë realiste. Ia vlen të merren vendime dhe ia vlen të biem dakord për këtë gjë”, deklaroi ai.
Ai shtoi se në gjysmën e dytë të vitit do të shkojë vetë në vendet e Ballkanit Perëndimor për të ndjekur nga afër procesin. “Unë e di nga bisedat që kam zhvilluar që procesi i Berlinit vlerësohet shumë nga shtetet e Ballkanit. E di që shtetet e Ballkanit gëzohen shumnë që kancelari i Gjermanisë e vazhdon këtë proces. Ne po përgatitemi ta bëjmë në gjysmën e dytë të vitit.
Unë do të shkoj në rajon. Ne do të kemi një bazë të mirë për bashkëpunim. Kjo mund të shpallet nga larg por duhet ta bëjmë bashkë. Ne kemi interes të madh për ta bërë këtë gjë”, u shpreh kancelari gjerman.
Ndërsa kryeministri i Kosovës Albin Kurti theksoi se të gjitha iniciativat paralele me këtë proces, për Kosovën janë të pavlefshme.
“Iniciativat rajonale ne i mbështesim atëherë kur e kemi BE brenda si vlerë. Të gjitha iniciativat e tjera paralele që duan ta hapin Ballkanin nga lindja ne nuk i konsiderojmë dhe i quajmë të pavlefshme”, deklaroi Kurti.