MENU
klinika

“Ramës i intereson përçarja brenda PD-së”

Zaloshnja: Elektorati i djathtë i ndarë në tre segmente

10.05.2022 - 16:06

Analisti Eduard Zaloshnja, i ftuar në rubrikën “Opinion” në “News 24”, foli për situatën në PD.

Në bazë të një sondazhi të kryer prej tij në fundjavë, ka rezultuar se Berisha ka mbështetjen e 60% të anëtarësisë së PD, 20% e ka Alibeaj dhe 20% tjetër përbëhet nga ata që janë neutralë në proces.

Në këtë linjë logjike tha se po veprohet edhe për përzgjedhjen e Presidentit të ri.

“Nga pikëpamja juridike s’e analizoj dot, por nga pikëpamja politike dalloj qartazi tre grupe. Grupi i Berishës që e quan një farsë këtë proces dhe deklaron se nuk do të marrë pjesë. Grupi i Alibeajt që mundohet të futet në kornizat e diskutimeve, gjetjes, konsensusit etj. Janë edhe ata që kanë paraqitur disa kritere për presidentin e ri dhe një grupi që është mes të dyve. Unë këtë gjë e lidh me faktin që edhe në elektorat kemi tre segmente. Unë mendoj që këto grupime brenda grupit parlamentar reflektojnë atë që mendojnë njerëzit e thjeshtë. Ata kanë kontakte me bazën, drejtues seksionesh, etj etj. Perceptimi që është në publik në lidhje me këto tre grupe është i tillë që ka krijuar simpati për secilin grup.

Nga sondazhi që bëra unë në fundjavë, dallohet qartazi një ndarje e elektoralit në tre segmente, segmenti pro Berishës afro 60 %, segmenti pro Alibeajt 20% dhe 20% që qëndrojnë neutral. Nuk është rastësi që këto grupime të kenë qëndrime të ndryshme për këto çështje. Sot kjo është çështja më e rëndësishme politike dhe këto vendime reflektojnë ato që ndihen në elektoratin e thjeshtë. Berisha ka arritur që të ketë rreth tij pothuaj 60% të elektoratit të djathtë. Alibeaj është në pozicion delikat. Nga pikëpamja juridike kemi një vendim që njeh Komisionin e Rithemelimit, që e ka shkarkuar. Për aq kohë sa çështja mbetet e hapur në gjykatën e Apelit, Alibeaj s’mund të thotë që jam kryetari legjitim i PD. Vendimi që është aktualisht është i shkallës së parë. Vendimi i shkallës së Parë njeh Berishën. Derisa të vendosë apeli Alibeaj është midis.

Kjo gjë krijon edhe një segment të tretë në elektoral që s’është as me Berishën e Alibeajn. Ai do të jetë vendimi më i rëndësishëm gjyqësor në lidhje me PD. Nëse Alibeaj fiton në Apel, ai ka të drejtë të thotë që jam unë kryetari i PD dhe kryetari i grupit. Mbetet të shihet kur të vendosë Gjykata e Apelit”, tha Zaloshnja.

Sipas analistit, nga kjo situatë brenda PD përfiton më së shumti Edi Rama.

“Nga pikëpamja politike Ramës i intereson të krijojë këtë përçarje brenda grupit parlamentar. Ai thotë që njohim si përfaqësues të opozitës Alibeajn dhe diskutojmë me të. Gjykata e shkallës së Parë nuk e njeh Alibeajn si kryetar. Ai vendim bën nul vendimet e marra nga PD e Bashës ose Alibeajt. Alibeaj nga pikëpamja juridike, është as në qiell e as në tokë, ndërsa Rama e njeh si përfaqësuesin ligjor të opozitës. Kjo situatë i intereson politikisht Ramës. Atit i intereson të ekzistojë kjo çarje e elektoralit të PD. Fakti që sot ata janë të ndarë 60, 20, 20, tregon që i leverdis Ramës. Çdolloj përçarje është në favor të kundërshtarit. Rama kënaqet dhe mundohet brenda lojës së tij politike që sinorin elektoral përballë ta ketë të përçarë. Sa më i përçarë të jetë kampi kundërshtar, aq më i letë është fitorja. Juridikisht, për aq kohë sa nuk ka vendosur gjykata e Apelit lidhur me çështjen e statuti të PD, Alibeaj nuk është përfaqësues legjitim i opozitës, është diku i të qenit dhe të mos qenit kryetar. Fakti që Berisha ka afro 60% të elektoralit me vete, tregon pikërisht këtë pasiguri që një pjesë e elektoratit ka, nëse duhet të ndjekin Berishën në këtë vazhdimësi apo Alibeajn. kemi edhe zëra, që nuk e ndjejnë veten, qoftë votuesit e thjeshtë, nuk e ndjejnë veten as me Berishën e as me Alibeajn. Kjo do të zgjasë deri kur të vendosë Apeli. Më pas do të ketë një ndarje mes dy kampeve. Nëse Alibeaj humbet në Apel shuhet nga pikëpamja juridike”, përfundoi analisti.