Nisi të shkruajë poezi dhe të botojë artikuj që në fillim të shekullit XX. Pjesë e poetëve që zbuloi, apo botoi Faik bej Konica, tek “Albania”. Asdreni do të vijonte traditat e poezisë së Naim Frashërit, duke lartësuar dashurinë për atdheun, me nxitjen për bashkatdhetarët që të rreshtoheshin në luftën për çlirim nga zgjedha turke.
Në Rumani, pasi u hap konsullata shqiptare në mars 1922, u emërua sekretar i konsullatës dhe… në Shqipërinë e 100 vjetëve më parë, zyrtarët e të gjitha niveleve deklaronin gjithçka kishin. Kjo praktikë e njohur edhe 100 vjet më parë, na vjen e vërtetuar përmes “Fletës personale” të Aleksandër Stavre Drenovës – Asdrenit: poetit, publicistit, patriotit shqiptar, autorit të Himnit të Flamurit.
Dokumenti daton në vitin 1923. Ishte koha kur Asdreni ishte emëruar si sekretar i konsullatës shqiptare në Bukuresht. Me sa duket, në dokumentet e Arkivës së Shtetit, deklarimi i pasurisë ishte kriter asokohe.
Poeti e ka plotësuar me detaje fletën personale, kur rrëfen se ka një shtëpi pa çati në Drenovë, një arë dhe një vreshtë…
Fletë personale
Aleksandër St Drenova
Sekretar i konsullatës në Bukuresht
Lindur në Drenovë, katund në periferi të Korçës në vitin 1872.
Pas studimeve në gjimnaz vazhdova studimet për Shkenca Politike të shtetit në Bukuresht. S’kam diplomë.
S’kam patur nëpunësi shteti të huaj e as në Shqipëri. Për shumë kohë kam qënë sekretar i shoqërisë shqiptare të Bukureshtit.
Jam emëruar si sekretar i konsullatës në Bukuresht, fillova qysh me 15 të marsit, kur nisi të funksionojë kjo kontratë.
Jam i pamartuar
Në Drenovë kam një shtëpi pa çati, një arë dhe një vreshtë.
6 shkurt 1923 Bukuresh. Aleksandër ST Drenova
Në një tjetër dokument duket se Asdreni, por edhe të tjerë zyrtarë të konsullatës, nuk ishin paguar prej tre vjetësh. Po aty, pasqyrohen të dhëna të tjera, që kanë të bëjnë me datën e nisjes për në Bukuresht dhe datën e kthimit drejt Tiranës. Në po këtë formular, ka një zë që lidhet me vërejtjet që mund të merrte një zyrtar. Asdreni, nuk kishte asnjë vërejtje në jetëshkrimin e tij (CV), siç duket vërehet në këtë dokument.