Kongresi i 46-të i zakonshëm i UEFA-s ka zhvilluar punimet ditën e sotme në Vienë në të cilin morën pjesë drejtuesit e federatave anëtare. Në këtë kongres ishin të pranishëm edhe delegacioni shqiptar i udhëhequr nga Presidenti Armand Duka, njëherazi edhe anëtar i Komitetit Ekzekutiv të UEFA-s, Sekretari i Përgjithshëm, Ilir Shulku, dhe dy anëtarët e Komitetit Ekzekutiv, Abdyl Kuriu dhe Anila Basha, të cilët u njohën me vendimet e ndryshme.
Të gjithë anëtarët e UEFA-s u informuan rreth një rritje të konsiderueshme në programin e solidaritetit dhe zhvillimit të “HatTrick VI”, që është parashikuar të marrë 935 milionë euro në katër-vjeçarin e ardhshëm 2024-2028.
Kjo nënkupton një rritje prej 21% (160 milionë euro) nga 775 milionë euro që janë në dispozicion të “HatTrick V”, ku çdo federatë anëtare do të ketë mundësi të marrë deri në 17 milionë euro përgjatë 4 viteve.
Programi “HatTrick”, ku Presidenti Duka është një nga zv.kryetarët ka mbështetur federatat anëtare të UEFA-s në zbatimin e programeve të edukimit dhe zhvillimit, si iniciativat bazë për vajzat dhe djemtë, programet e përgjegjësisë sociale, edukimin e arbitrave dhe trajnerëve, si edhe financimin në infrastrukturën futbollistike – duke ndihmuar në ndërtimin e fushave, stadiumeve, qendrave të trajnimeve dhe zyrave qëndrore. Që nga krijimi i saj në vitin 2004, HatTrick ka investuar afro 2.5 bilionë euro në futbollin europian.
Gjithashtu, në këtë Kongres të 46-të të zakonshëm të UEFA-s u prezantua edhe një përditësim i statusit për zhvillimin e futbollit të femrave, duke vënë theksin në rritjen e jashtëzakonshme të futbollit të femrave, me shifrat rekord të frekuentimit, në shitjen e numrit të biletave dhe interesi i rritur nga tifozët, sponsorat dhe transmetuesit televizivë, si në Champions League për femra, ashtu edhe në Europianin e ardhshëm për femra që do të zhvillohet në 9 qytete të ndryshme të Anglisë në datat 6-31 korrik 2022.
Delegatët u informuan se ndeshjet e Europianit të femrave këtë verë do të transmetohen në 195 vende përmes 65 transmetuesëve televizivë të ndryshëm, për të arritur një audiencë globale mbi 250 milionë njerëz dhe informoi se mbi 396’000 bileta tashmë janë blerë nga tifozë nga 95 vende.
Kongresi i UEFA-s gjithashtu miratoi këto pika:
- Raportin e Presidentit dhe Komitetit Ekzekutiv të UEFA-s si dhe Raportin e Administratës së UEFA-s për vitin 2020/2021
- Pasqyrat financiare 2020/21 dhe buxhetin financiar për vitin 2022/23
Në fund, Kongresi ratifikoi edhe anëtarët e rinj për Organet e Administratës së Drejtësisë së UEFA-s.