MENU
klinika

Hero i shqiptarëve, i Evropës!

Në Nju Jork, në rrugën “Gjergj Kastrioti Skënderbeu”!

16.05.2022 - 15:50

        Kur pak kohë pë parë, një rrugë në “Bronx” mori emrin e të ndriturit Fan Noli, një tjetër figurë themelore e historisë së Shqipërisë, prijësit legjendar, kalorës i krishterimit Gjergj Kastritot Skënderbeu, do të jetë emri i një tjetër rruge. Tanimë, shqiptarët e Amerikës, do të ecin në gjurmët e gjalla të veprës së lavdishme, të shqiptarëve që nuk kursyen asgjë për Kombin…

“Duka i Burgonjë, Philipe le Bon ishte një princ i fuqishëm, por ai ishte plak për të kryesuar një kryqzatë. Princat italianë ishin në luftë me njëri-tjetrin. Aragona dhe Kastilja ende nuk ishin bashkuar dhe myslimanët mbanin një pjesë të Spanjës.

Në Europë kishte veçse dy princa që mund të sulmonin Mehmetin II. Njëri ishte Huniadi, princi i Transilvanisë, ndërsa tjetri ishte i famshmi Skënderbe, i cili mund ta përballonte në malet e Epirit.

…E kam fjalën për Skënderbeun, lindur në Shqipëri.

Ai ishte bir i një despoti apo zotërie të asaj krahine, domethënë i një princi vasal… Skënderbeu kur ishte njëzet vjeç mendoi të arrinte qëllimin e vet.”

Të mos kishte më zotërinj mbi kokë dhe të mbretëronte i lirë.

Skënderbeu e kishte rimarrë kurorën e atit të vet që e meritonte për shkak të kurajos së tij.”

Duke ngritur kurajon e shqiptarëve theksoj:

“Shqiptarët janë ushtarët më të mirë të atyre anëve. Skënderbeu diti mirë të shfrytëzojë trimërinë e tyre dhe terrenin e ashpër malor të vendit të vet, prandaj me pak trupa ai ndali gjithmonë armata të shumta turke… e shqiptarët janë epiriotët e lashtë, të cilët janë aq luftëtarë sa edhe stërgjyshërit e tyre…

Ata janë një racë luftarake dhe se Shqipëria është një vend malor. Këta dy fakte ndihmuan Skënderbeun në fushatat e tij…”

Në veprën “Sprovë mbi zakonet e kombeve” (botuar anglisht në 1754), vepër historike-filozofike, ku vë në dukje heroizmin e popujve shqiptar në luftën kundër pushtuesve smanë dhe nënvizon…

“Sikur perandorët grekë bizantinë të ishin si Skënderbeu, Perandoria e Lindjes do të kishte qëndruar në këmbë” –  do të shkruante, Volteri

***

Kryetari i Bashkisë së Nju Jorkut, Eric Adams nuk i ka kursyer vlerësimet për komunitetin shqiptar, që punon dhe jeton në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Gjatë ceremonisë së emërtimit të njërës prej rrugëve të Nju Jorkut, me emrin e heroit tonë kombëtar, Adams krahas kreut të Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, i veçoi ata, si njujorkezë të mirë, që punojnë me përkushtim.

“Po flas për njujorkezët e mirë, për ata që kontribuojnë në qytetin tonë, që nuk flasin për të luftuar policinë, por si ta ndihmojne atë. Kur flas për njujorkezët e mirë, e kam fjalën për komunitetin e shqiptarëve. Ju përfaqësoni njujorkezët e mirë, punëtorë të palodhur, të përkushtuar dhe të devotshëm, që besojnë te siguria publike dhe në jetën cilësore që meritojme si qytet. Ky emërtim rruge, ku gjithkush që do të kalojë nëpër të, do të ngrejë kokën lart dhe do të shohë emrin, do të tregojë atë që ju e konsideroni lider, një hero, ai është emri që po i vendosim kësaj rruge. Është kaq domethënëse për ta njohur dhe për ta respektuar në një qytet, të cilin ju e keni bërë kaq të madh sa është. Zoti Veliaj, ju falenderoj që jeni këtu mes nesh, teksa emërtojmë këtë rrugë të rëndësishme dhe i them të gjithë miqve të mi të komunitetit shqiptar: Unë nuk ju konsideroj thjesht shtetas, por si vëllezërit dhe motrat e mia”, u shpreh kryetari i Bashkisë së Nju Jorkut.

Një moment i veçantë ishte fjalimi i liderit të mazhorancës në Senatin amerikan, Chuck Shumer, i cili ka dhënë një kontribut të rëndësishëm në karrierën e tij për çështjen shqiptare. “Ju dua shumë! E dua komunitetin tuaj sepse ju jeni më e mira e Amerikës! Shumë njerëz kanë ardhur këtu në vitet ’50-’60-’70, gjithçka donit të bënit ishte të punonit fort dhe të siguronit një jetë të mirë për veten dhe për fëmijët tuaj. Dhe ju ia dolët! Në pallatin tim kemi një burrë, një shqiptar të mrekullueshëm, që filloi pune si portier dhe tani zotëron 8 pallate. Kjo është historia shqiptare! Ndaj, ta shohësh këtë komunitet të rritet dhe të ketë progres, fillon të besosh tek Nju Jorku dhe të besosh tek Amerika”, deklaroi senatori, Chuck Shumer.

Në ceremoninë përuruese, Arbër Hajdari, përfaqësues i “Fundjavë Ndryshe” iu drejtua komunitetit shqiptar në Amerikë dhe mbarë shqiptarëve në botë.

Në fjalën e tij, ai u shpreh se ka ardhur koha që shqiptarët të bëhen bashkë dhe të mos harrojnë obligimet ndaj Shqipërisë.

Mesazhi i plotë:

I dashur vëllai im Mark Gjonaj, vëllai dhe miku i të gjithë shqiptarëve që ndodhen në SHBA, përkrahësi, ndihmuesi, organizuesi, ju që keni qenë pikënisja, ideatori i këtij eventi, gjej rastin të të falenderoj.

Pas ftesës tuaj, fluturova dhe erdha nga vendi i Skënderbeut, këtu mes jush, tek stërnipat e Gjergj Kastriotit, në këtë rrugë që sot merr emrin e tij, në vëndin e lirisë.

Duke ardhur këtu, m’u kujtuan fjalët e tij.

* Lirinë e gjeta në mesin tuaj*

E s’ka si ndodh ndryshe, se liria ndodhet pa dyshim dhe mbi të gjitha, në kampionin e lirisë, në SHBA.

Të dashur miq!

Dëshira për të folur për heroin tonë kombëtar, nuk i mungon asnjërit prej nesh dhe nuk ka pikë dyshimi që secili do të rendiste pa u lodhur, kontributet e tij për lirinë dhe qytetërimin perëndimor.

Ne kemi luftën tonë, që vazhdon pa u ndalur, e cila na frymëzon dhe obligon, të punojmë pareshtur, për ta bërë Shqiperinë tonë të dashur dhe kombin shqiptar, të ecë përkrah vendeve më të zhvilluara të Perëndimit, me në krye SHBA-në, mikun tonë më të madh.

Fondacioni që kam nderin dhe përgjegjësinë për ta drejtuar, ndihet krenar, sepse një pjesë e madhe e kontributeve të realizimit të kauzave tona, kanë ardhur pikërisht nga shqiptarët që punojnë dhe jetojnë në SHBA.

Ndaj, gjej rastin t’ju falënderoj publikisht, për solidaritetin dhe shpirtin human që keni treguar, për të ndihmuar vëllezërit dhe motrat tuaja në varfëri, në të gjitha trojet tona.

Ju, shqiptarët e Amerikës, jeni shëmbëlltyra e bashkimit, modeli i suksesshëm i punës, sakrificës dhe kontributit për atdheun!

Më bëhet zemra mal, që çdo ditë e më shumë, po zbatoni më së miri një nga porositë e heroit tonë kombëtar Gjergj Kastriotit, atë të bashkimit!

Ka ardhur koha, që shqiptarët, pavarësisht vendit ku jetojnë, bindjeve politike e fetare, të bëhen bashkë për të mos harruar obligimet që kemi për atdheun tonë, Shqiperinë!

Edhe pse midis nesh, ka prej tyre që thuprat e bashkuara të Skenderbeut tentojnë ti thyejnë një e nga një, jam i bindur se nuk do t’a arrijnë dot, pasi ne jemi më shumë se ata. Ne jemi shumica.

Ka ardhur koha, kur njerëzve duhet t’u flasë VEPRA DHE JO FJALA!

Uroj që ky takim historik, të shërbejë si burim frymëzimi, për të gjithë shqiptarët, por edhe si thirrje për të reflektuar, kryesisht për të gjithë ata që drejtojnë popullin tonë në trojet ku jetojnë shqiptarët, për të mos harruar, amanetet e heroit tonë kombëtar dhe të gjithë heronjve të tjerë të Kombit Shqiptar.

I nderuar Kryetar i Bashkisë z. Eric Adams,

Sot, ju jeni me stërnipat e Gjergj Kastriotit, që kanë këto 3 cilësi të spikatura:

Trimërinë

Besnikërinë

Mbajten e fjalës së dhënë.

Ju jeni prej sot, pjesë e familjes tonë. Faleminderit për nderimin që na keni bërë. Faleminderit dhe krenar që jeni mes nesh dhe me ne.

Për të mos u zgjatur, po e mbyll po me tre nga porositë e fundit, të cilat Heroi ynë Kombëtar i tha me fjalë dhe i bëri me vepra.

“Askush s’ju mund, po të jeni të bashkuar,

Kujdesuni për fëmijët dhe rininë,

Duajeni atdhenë si shqiponja folenë”.

Zoti e bekoftë dhe e ruajtë miqësinë e shqiptarëve me SHBA-në.

Ju faleminderit të gjithëve!