MENU
klinika

Ah! Shqipëria e Konicës...

Komedia e partive politike

16.05.2022 - 12:54

        Korrespondenca e mikut t’one të kthiellt, Francesco Argondizza, që “Dielli” boton në numër të sotmë, na heq përsëri vërejtjen mi reziqet që e rethojnë Shqipërinë. Kur popujt dëshërojnë paqe dhe kërkojnë marëveshje e miqësi në mes tyre, aventurierët e politikë nërkombëtare si Mussolini dhe Pashiçi e shkojnë kohën duke bërë plane për të turbulluar qetësin e botës, për të derdhur përsëri gjak, dhe për të shtuar mjerimet që rendojnë si plumb i nxehtë në kurriz e në shpirt të njerëzisë.

Nuk është punë aq e lehtë të prishet një Shtet i vendosur, dhe s’duhet të na trembet aqë shumë syri. Atë lakmi çakalle që kanë sot, fqinjtë t’anë e kishin dhe die. Ish më lehtë të prishej die se sa sot Shqipëria; më lehtë në kohë të Konferencës së Parisit, kur Shqipëria nuk ish edhe e njohur si Shtet dhe armiqt’ e saj flisjin si shokë dhe aliatë të nderuar të Fuqive të Mbëdha mundëse, se sa sot që Shqipëria jo vetëm është një Shtet i njohur po mer pjesë dhe në Lidhje të Kombeve.

Pastaj, ka sot n’Evropë burra si Radiç-i i Kroatisë dhe Morel-i i Inglisë, fytyra fisnike që përfaqësojnë ndërgjegjjen e njerëzisë dhe zëri i të cilëve, i shtrënguar të heshtë gjer die nga gishtërinjt’ e hekurt të despotismave e të censurave të lindura nga lufta, dëgjohen tani anë mb’anë të botës dhe janë të zotët të bashkojnë për veprim gjithë forcat morale të dheut.

Jo. Nuk besoj se Shqipëria është në rezik, – të pakën jo dhe për shumë kohë. Po kjo s’do të thotë se jemi të siguruar në çdo rast dhe në çdo mënyrë.

Asnjë Shtet nuk është i siguruar plotësisht dhe pa konditë. Nuk është nevojë të kërkojmë shëmbëlla në histori të shkuar, arrin të hedhim një sy në historin’ e sotme, për të kuptuar se Shtetet, si njerëzit, lindin, riten dhe vdesin, – dhe ca vdesin që në foshnjëri, nga sëmundjet ose nga aksidentet.

Në qoftë se anarkia, e cila mbretëron që katër vjet e tëhu në Shqipëri vazhdon dhe ca kohë, ahere optimisma s’ka vent dhe trëmbem se diç do të ngjasë. Le të kemi shpresë se të vetë-qojturve “udhë-heqës” do t’u vijnë menttë dhe punët do të shtrohen. Po në qoftë se e papritura ngjet, në qoftë se Shqipëria – fjalë fatale – vdes, ahere munt pa çpifje të shkruajmë këto fjalë në gur të varrit të saj:

U NGJALL NGA IDEALISTËT
U RUAJT NGA RASTET
U VRA NGA POLITIKANËT

Po. S’ka dyshim se politikanët – turma e erët e njerësve që e përdorin politikën jo si një udhë po si një qëllim – kanë zënë t’i vënë kazmën Shqipërisë. Unë që s’këndoj kurrë gazetat e Shqipërisë (e kam çfaqur arësyen tjatër herë), zura këto javët e fundit t’i këndoj me regull që të kuptoj rrjedhjet politike të vendit, dhe gjer tani nuk arrita të zbuloj gjësendi.

Këtu këtje, nonjë artikull i veçuar cfaq te bërësi një ndienjë të problemeve të mbëdha që janë shtruar përpara Shqipërisë; po përgjithësisht s’duket gjëkundi filli i pakëputur i mendimeve të përgjithëshme, po vetëm një bisedim i rëmbyer hollësirash, detajesh.

Për shembëll, le të marrim reformën e kodit. Pse duan t’a reformojnë dhe me cc’frymë do t’reformohet? S’meret vesh mirë. A duan t’a shkurtojnë kodin dhe t’i përmbledhin gjithë kanunet në një pakicë faqesh, siç bëri tani shpejt Japoni, gjë për të cilën ky vent u lëvdua nga juristët, se shumësia e kanuneve është një sëmundje dhe një pengim?

Po të kishin një ide t’atillë reformatorët t’anë, ahere ja një fill udhëheqës, një mendim i përgjithëshm: arsyeja e reformës do t’ish simplifikimi. – A duan t’i lënë më tepër liri njeriut dhe të shkurtojnë gjer në kufirin më të ngushtë nërhyrjen e Shtetit në punët individuale, dhe jo si në Prusi ku për të ndruar odë duhet të kërkosh leje nga opolicia, sistem skllavërie i kopiuar gjer më një pikë dhe nga Turqia?

Ja përsëri një fill udhëheqës: zgjerimi i lirive individuale dhe pakësimi i pengimeve të vëna nga Shteti. – A duan të kenë kanune më elastike, më t’ epëshme, dhe jo rigide pa nevojë, – si për shembëll në Skolland ku ka shumë forma martese: përpara një njeriu feje, ose përpara registar-it, ose përpara miqsh të thirur si dëshmonjës në shtëpi, etj., të gjitha forma legale, kurse në Francë ka vetëm një formë legale dhe do s’do je i shtrënguar t’i bindësh asaj forme?

Ahere, ha bhë thatër fill udhë-heqës: të reformuarit e kodit për të kallur ane mb’anë një epërsi më të madhe në formalitetet. Munt të vazhdojmë duke dhënë shembëlla të tjera. Këto arrijnë për të treguar se një reformë, që të jetë reformë e dobishme, duhet të ketë një fill udhëheqës, një frymë përmirësonjëse të re.

Në këtë reformë të kodit, s’shohim për kundrë veç se një ndryshim. Po çdo ndryshim nuk është doemos një përparim. Dhe po të përmbledhim fjalët e reformonjësve dhe fjalët e kundërshtarëve do të gjejmë këto mendime: Reformonjësit duan t’a reformojnë kodin e sotmë se s’janë mësuar me të, kundërshtarët e mprojnë se janë stërvitur pas tij. As gjë tjatër.

Që Shqipëtarët, në çdo çap të jetës politike dhe sociale, tërhiqen nga hollësirat dhe kurrë nga mendimi i përgjithëshëm; dhe nga ana tjatër, që Shqipëtarët kujtojnë se çdo ndryshim është përparim: – ato janë dy fakte që duhet t’i kenë vënë re gjithë vëzhgonjësit e shvillimeve në të katër vjetët e fundit. Patmë këto ditë një provë tjatër në të “themeluarit” e dy “partive” të “ra”.

Asnjë nga këto të dy “parti” s’ka nonjë gjë të re brenda, as njerës tërinj as parime të ra: njerëzit jan’ ata që i kemi njohur në disa partira të tjera, – parti “‘nacionaliste”, “popullore”, “përparimtare”, “liberale” dhe s’di se ç’emëra të tjera me -ore, -are, -ale ose -atre: po kurdohere ”the same old damned thing”, një grup njerëzish që nuk i lith as një e shkuar e përbashkët: as dashuria për një ideal të përbashkët, po vetëm ca inate e ca interesa të çastit.

E vetëma gjë e re ketu jan’ emërat e “partive”, emëra që s’kan’ asnjë kuptim të caktuar: fjala “demokrat” ësht’ aq’ elastike, sa ka ngjarë shumë herë të meret për flamur mbulonjës nga reaksionarët më të tërbuar; sa për fjalën “radikal”, kjo ësht edhe me elastike, -aq’ elastike sa më Sërbi “radikale” një kohë quhej partia rusofile, në Francë “radikale” ka qenë partia që lëftonte lidhjen e Shtetit me Kishën Katholike, n’Ingli “radikale” jan’ ata liberalë që anojnë nga partia e punëtorëve, dhe n’Amerikë më në fund fjala “radikal” është një emër i mbuluar për të thënë socialist.

Aqë kuptime sa edhe vende. S’munt të mohojmë se në të dy “partitë” që u themeluan ka njerës të mirë; përveç kësaj, sekretarët që të dy partive janë miqatë t’anë, dhe nukë munt të vënë në dyshim kthiellësin’ e qëllimeve të tyre. Po dhe njerës të mirë shumë herë bien viktima të rrethit e të rasteve. Themelimi (i cili do të mbetet themelim në kartë vetëm) i të dy partive të ra, nuk është veç se një lodrë fjalësh, – një ndryshim etikete, ndryshim që Shqipëtarët pas zakonit të tyre e kujtojnë përparim. Po a do t’ gënjehet Populli? Besoj që jo.

Besoj që Populli kur të shohë se gjith’ ata njerës që i kanë dalë një mot më parë n’emër të një partie tjatër dhe tre vjet më parë n’emër të një partie tjatër prapë, do të thotë me vete të tij se këta njerës tallen me të, dhe do t’u kthejë kurrizin. Dhe do t’ votojë pas mendjes tij, – do t’votojë për njerëzit e “ndershëm”, pa vënë re maska, etiketa, dhe emëra.

Kemi shvilluar shumë herë në këto shtylla mendimin që një vent nukë munt të qeveriset mire po s’pati dy parti t’ organizuara, po parti në kuptimin e vërtetë të fjalës, do me thënë parti që kanë një parim udhëheqës të kthiellt, një program me hollësira të caktuara mirë, me anëtarë besnikë e të patundur, dhe me një kryetar të njohur e të dëgjuar. Që të gjitha këto mungojnë në Shqipëri.

Dhe kur na çfaqen dy parti pa kokë, pa trup, dhe veçan pa frymë, besojmë se nuk do t’gënjehet njeri me etiketa, – etiketa që janë dhe fallse, se etiketa e vërtetë e që të dy partive në fjalë duhej t’ish “konservative e matur”; që t’i çquajme duke marë hua një fjalë nga jargoni i parlamentit të Francës, njëra munt të quhet “parti centre-gauche” dhe tjatëra “parti centredroit’: S’shohim, gjë tjatër n’ato “partira”.

Po pse te humbasim kohën? Populli u ngop me gënjeshtra. Ka humbur besimin në politikanët. Dhe Populli s’ka aspakë faj, se politikanët më të vërtet s’meritojnë aspakë besim. Aherë ç’do të dalë nga zgjedhjet? Hiç gjësendi. Populli shqipëtar – si popujt e tjerë të Ballkanit, si Grekët për shembëll që një-qint vjet me radhë s’kanë patur veç se partira personash, “Trikupiste” dhe “Delijaniste”, “Venizeliste” dhe “Kostandiniste” – do t’ grupohet pas personave. Populli Shqipëtar do t’votojë për njerëzit “më të ndershëm”, dhe Perëndia e di se ç’farë njerës jan’ ata që Populli i gjykon të ndershëm.

Përpara një kauzi ballkanik si ky, është më kot të thajmë gurmazin duke predikuar në shkretëtirë. Besojmë se detyra e vatrës është paskëtaj të rij’ e paanëshme, duke stërvitur Popullin për një të nesërme më të kthiellt dhe duke përkrahur, çdo guvernë që të japë ca garantira të paka ndërgjegjjeje dhe pune, pa kërkuar nga ky brez i korruptuar gjëra të pamundura.

 

Faik KONICA – Botuar më 1924

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Filip Shiroka – poeti i dallëndysheve

“Kombi qytetërohet me mësimin e gjuhës”

Konica ky mësues i rreptë

“E deshi Shqipërinë aq sa e urreu”

Ju rrëfej vëllezërit e mi...

“Një ëndërr e zhdukur nuk përsëritet”


Një dhuratë e kinemasë tonë nostalgjike për të gjithë brezat

Restaurohet filmi “Kthimi i Ushtrisë së Vdekur”

Çfarë u diskutua gjatë takimit në Tiranë më 1989-ën

Refuzimi që Nexhmije Hoxha i bëri Nënë Terezës për një shtëpi bamirësie!

Në 40-të vjetorin e filmit “Proka”

Mbrëmje kinematografike me regjisorin Isa Qosja

"Kur jeni zënë për herë të fundit me gruan?"

Përgjigjet plot humor që jepte Dritëroi për Sadijen