Pas taksimit të produkteve serbe me 100 për qind nga Kosova, ka reaguar edhe përfaqësuesja e Lartë e Bashkimit Evropian, Federica Mogherini.
Ajo ka kërkuar nga Qeveria e Kosovës që të hiqet menjëherë taksa prej 100 për qind për mallrat e importuara nga Serbia dhe Bosnja.
Duke e quajtur “shkelje të marrëveshjes së CEFTA-s”, Mogherini ka thënë se ky vendim është kundër frymës së Marrëveshjes për Stabilizim Asociim mes BE-së dhe Kosovës.
“Vendimi i sotëm i Qeverisë së Kosovës për të rritur taksën ndaj mallrave të importuara nga Serbia dhe Bosnja për 100 për qind është shkelje e pastër e CEFTA-s dhe frymës së Marrëveshjes për Stabilizim-Asociim mes Bashkimit Evropian dhe Kosovës.
Ajo përkeqëson situatën pas vendimit të parë prej 10 për qind javën e kaluar. Qeveria e Kosovës duhet menjëherë të anulojë këto vendime”, është shprehur ajo.