Përfundon ndërtimi i urës “bailey” në fshatin Zall Torë, në bashkinë e Pogradecit.
Ministri i Mbrojtjes Niko Peleshi, shoqëruar edhe nga kryetari i bashkisë Ilir Xhakolli inspektuan investimin e kryer, falë bashkëpunimit mes forcave xheniere të Forcave të Armatosura dhe pushtetit vendor.
Peleshi tha se kjo urë veç banorëve të fshatit Zall Torë do t’i shërbejë edhe banorëve të 5 fshatrave në njësinë administrative Proptisht.
“Kemi ndërtuar një model pune bashkëpunimi me bashkitë, sipas të cilit një pjesë të investimit e bën bashkia, atë që ne e quajmë këmbët e urës, ndërsa pjesën tjetër të urave “bailey” e bëjnë forcat tona xheniere, pra e mundëson FA.
Nuk është ura e parë, as e fundit që kemi ndërtuar nga veriu në jug. Pothuajse në çdo bashki kemi dorën tonë, për momentin jemi duke punuar në Pukë, Fushë Arrëz, Selenicë të Vlorës dhe sot po inagurojmë këtë urë.
Jam i kënaqur që pothuajse 4 mijë banorëve të kësaj njësie do t’u shkurtohet rruga për në shërbimet e tyre apo rrugën nacionale deri në 25 kilometra.
Takova goxha fëmijë e të rinj, të cilët frekuentojnë 4 shkolla 9-vjeçare dhe 2 shkolla të mesme, por janë edhe 8 qendra shëndetësore, të cilat me këtë rrugë afrohen shumë”, u shpreh ministri Peleshi.
Ministri vuri në dukje faktin se komunikimi me rrugën nacionale do të mund të zhvillojë edhe turizmin, pasi kjo zonë ka potenciale të fshehura siç janë ura e Golikut, apo monumentet historike,të cilat mund të tërheqin vizitorët vendas e të huaj. Në dy vite janë ndërtuar rreth 25 ura “bailey” në të gjithë vendin, të cilat u shërbejnë rreth 20 mijë banorëve.
Nga fshati Zall Torë, ministri njoftoi se të hënën Forcat e Armatosura të Shqipërisë do të përfshihen në aksionin e madh kombëtar për pastrimin e bregdetit nga veriu në jug të vendit, për të mbështetur Ministrinë e Mjedisit dhe Turizmit.
“Ne jemi një komponent shumë i rëndësishëm i këtij aksioni, sepse marrim pjesë edhe me forcat tona edhe me mjete. E kemi bërë dhe herë tjetër, por këtë radhë është e një shkalle më të gjerë”, u shpreh ministri.
Peleshi bëri të ditur se ka nisur përgatitja për emergjencat e verës. Duke kujtuar situatën e krijuar verën e kaluar nga zjarret ai kërkoi bashkëpunimin e banorëve për të informuar në kohë për çdo emergjencë, në mënyrë që të mos përsëriten raste si ai i një viti më parë.